Nesër rifillimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd, rreth kodit telefonik të Kosovës

  • 25 September 2016 - 12:24
Nesër rifillimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd, rreth kodit telefonik të Kosovës

Nesër pritet vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh për zbatimin e marrëveshjeve të telekomunikacionit.

Takimet e ekipeve negociuese nga Prishtina dhe Beogradi do të mbahet në ndërtesën e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian.

Ndërsa në prag të bisedimeve Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka theksuar se Kosova javën e ardhme do të marrë kodin telefonik ndërkombëtar.

Tahiri ka deklaruar se BE-ja ka vendosur që këtë jave të mbajë tre ditë bisedime me të dy palët, që sipas  Tahirit BE-ja ka kushtëzuar Serbinë që të mos ndërhyje në kodin telefonik +383.

Ndërsa delegacioni i Beogradit, përveç përfaqësuesve të Zyrës për Kosovë dhe Zyrës për detyrat e Koordinimit në procesin e negociatave me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, do të ketë përfaqësues të Ministrisë dhe Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Kompanisë ‘Telekom Serbia’ dhe Agjencisë Rregullatore për Komunikimet Elektronike dhe Shërbimet Postare.

Ndërsa zëvendës Drejtori i Zyrës për Kosovë Dusan Kozarv ka demantuar deklaratën e Tahirit rreth kodit telefonik të Kosovës.

(Kosova Sot)