Gashi: Shteti i ka harruar dëmet e luftës që i ka bërë Serbia

  • 25 September 2016 - 14:03
Gashi: Shteti i ka harruar dëmet e luftës që i  ka bërë Serbia

Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se menjëherë pas luftës janë inkuadruar një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kishin punuar në sistemin e kaluar, në kohën e Serbisë, derisa, sipas tij, të njëjtit nuk kanë qenë në gjendje, duke mos pasur forcë morale, por as njohuri, që t'i qaseshin ndjekjes së kriminelëve serbë, por edhe padisë kundër Serbisë si shtet për gjenocidin dhe për shkatërrimet që i kishte bërë në Kosovë.

Më tej ai ka nënvizuar se në këtë drejtim kemi të bëjmë me neglizhencë totale të shtetit juridik të Kosovës, ngase, siç tha, këtu ka të bëjë çështja e faktorit njeri dhe jo mangësia e ligjeve apo provave, të cilat do ta vërtetonin gjenocidin e Serbisë së kryer ndaj qytetarëve të Kosovës.

 "Andaj ka prova të mjaftueshme për ta paditur Serbinë si shtet për shkatërrimet të cilat i ka bërë gjatë luftës në Kosovë, derisa kjo është detyrë e organeve të drejtësisë dhe nuk mund të lihet në persona apo në individë të caktuar, të cilët kanë viktima në familjet e tyre, po edhe të cilëve u është shkatërruar prona deri në djegien e gjithë infrastrukturës dhe për të gjitha këto ka fakte të mjaftueshme që të paditet Serbia, e që këtë duhet ta bëjnë prokurorët, si dhe ata që e kanë sjellë këtu këtë çështje", ka deklaruar avokati Tom Gashi në  një prononcim për Gazetes Kosova Sot.

(Kosova Sot)