Kryeministri Isa Mustafa takoi sekretarin e OKB-së

  • 25 September 2016 - 17:04
Kryeministri Isa Mustafa takoi sekretarin e OKB-së

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar në New York sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit dhe përfaqësues të vendeve tjera.

Gjatë takimit me sekretarin Ban, në selinë e Kombeve të Bashkuara, Mustafa e njoftoi atë për zhvillimet në Kosovë, ndërsa i kërkoi mbështetje të mëtejme për Kosovën, duke e informuar për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare – përfshirë agjencitë e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, gjatë takimit me presidentin Nishani, Mustafa shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Republika e Shqipërisë dhe ai personalisht po japin për fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.

Mustafa u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khalid Al-Hamad Al-Sabah, nga i cili kërkoi përkrahje të mëtejme për njohjet e reja të Kosovës dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. 

(Kosova Sot)