Vajza që po e mposht kancerin!

  • 25 September 2016 - 19:00
Vajza që po e mposht kancerin!

Erin Cross ishte diagnostikuar me leukemi akute limfoblastike në vitin 2012

Një vajzë britanike, familjarët e së cilës kishin mbledhur 180,000 dollarë për të shkuar në SHBA dhe për t’iu nënshtruar një trajtimi kundër kancerit, tani është në gjendje të përmirësuar. Vajza gjashtëvjeçare, Erin Cross, kishte tre vjet që luftonte kundër leukemisë akute limfoblastike dhe tanimë i kishte shteruar të gjitha opsionet e tjera të trajtimit. Shpresa e saj e vetme për shërim ishte transplantimi i palcës ashtërore, por për ta bërë këtë gjendja e saj duhej të ishte në përmirësim.

Kështu, prindërit e saj, Sarah dhe Anthony, zbuluan një klinikë në SHBA, për të cilën besonin se ishte shpresa e tyre e fundit,transmeton Gazeta Kosova Sot.

 Nëna e saj ka deklaruar se ka qarë nga gëzimi

Pas muajve të tërë të analizave eksperimentale, javën e kaluar Erin u lëshua nga Spitali i fëmijëve në Sietëll. Dhe, pasi që u kthyen në shtëpi në Çester të Britanisë, ata morën një telefonatë, ku iu treguan se ajo zyrtarisht ishte në remision. Kjo nuk d.m.th. se Erin është shëruar nga kanceri, por ka arritur mundësinë që ta bëjë transplantimin e palcës ashtërore. Ky është përparimi i saj më i madh deri sot kundër kësaj sëmundjeje. Nëna e saj ka deklaruar se ka qarë nga gëzimi.

Sapo ishte diagnostikuar me këtë sëmundje, në vitin 2012, Erin menjëherë kishte filluar me kimioterapi. Ajo kishte pasur përmirësim, ishte kthyer në shkollë dhe prindërit e saj sa nuk fluturonin nga gëzimi. Por, në mars, sëmundja iu kthye përsëri, ku mjekët iu thanë se 95% e palcës së saj ashtërore ishte prekur nga leukemia. Ajo iu nënshtrua sërish terapisë, por mjekët i thanë se vetëm transplantimi i palcës mund ta shpëtojë. Të shpresojmë që storja e saj ta ketë një hepiend. 

(Kosova Sot)