Presioni i Erdoganit largoi firmën e Rrugës së Kombit

  • 26 September 2016 - 09:58
Presioni i Erdoganit largoi firmën e Rrugës së Kombit

Grushti i shtetit në Turqi gjatë në muajin korrik dhe “ofensiva” që nisi presidenti Erdogan kundër Fethullah Gulen, në çdo cep të botës ka prekur edhe Shqipërinë. Dhe kjo, jo vetëm për lëvizjen e këtij të fundit, sidomos në institucionet arsimore, por edhe në vepra të tjera, për të cilat Erdogan nuk ka “gisht”. Dhe bëhet fjalë për kompaninë që ka fituar tenderin për koncesionin 30-vjeçar të kompanisë turke “Vendeka”. Mësohet pak kohë më parë se, në rrugë diplomatike, shteti turk iu ka dorëzuar autoriteteve shtetërore qendrore një dokument pa vulë dhe pa firmë, në të cilën nominalisht akuzohet një konsorcium turk, i cili sapo kishte fituar tenderin e mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës, për një periudhë 30-vjeçare dhe me një vlerë 596.1 milionë euro.

Letra dhe takimet e diplomatëve turq thuhet se kanë ardhur në kohën që “Vendeka” kishte fituar këtë tender, e në vazhdën e kërkesave të vazhdueshme të Ankarasë ndaj Tiranës për frenim, kontroll dhe mundësisht përzënie të interesave të Gulenit nga Shqipëria. Thuhet se qeveria shqiptare i ka rezistuar këtij presioni, sidomos për investime delikate që lidhen me shërbime me cilësi ndaj qytetarëve në sektorë të rëndësishëm, ku ky shërbim publik çalon në cilësi. Ndërkohë, “Shekulli” mëson se kjo letër nuk ka kaluar në kanalet e Ministrisë së Transporteve, e cila është ministria përgjegjëse që ka shqyrtuar tenderin dhe ka përzgjedhur firmën fituese.

Letra

Akuzat për firmën “Vendeka” kanë qenë të detajuara dhe kanë marrë vëmendjen e qeverisë. Letra, akuzon lidhjet e pronarit të “Vendeka Bilgi Teknolojieri”, Ismail Meral, me Fethullah Gulen dhe organizatën e tij “FETO”, të cilësuar si terroriste nga ky dokument. I njëjti dokument, dorëzuar autoriteteve shqiptare, citon emrin e Baki Kuran, drejtorit të përgjithshëm të “Vendeka”-s, si pjesëmarrës në ceremoninë e zhvilluar në Filipine në shtator të vitit 2013, ku Fetullah Gulen mori çmimin si kontributor për paqen. Akuza më e rëndë e dokumentit të Ankarasë që disponohet nga “Top Channel” është për Husein Kizmaz, drejtorit të Rajonit të Paqësorit për firmën “Vendeka”.

(Kosova Sot)