Basha: S’ka ditë pa një viktimë! Duhet reflektim, duhet zgjidhje

  • 26 September 2016 - 11:26
Basha: S’ka ditë pa një viktimë! Duhet reflektim, duhet zgjidhje

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka shprehur shqetësimin e thellë për aksidentin që u ndodhi mbrëmë tre policëve në Kamëz dhe ka theksuar se situata e rendit dhe sigurisë kërkon domosdoshmërisht “një reflektim, një zgjidhje”.

“Ngjarje jashtë mase tronditëse ajo mbrëmë në Kamëz, ku pas një aksidenti humbi jetën në detyrë, polici Ervin Haxhiaj, – deklaroi sot Basha. – Dua të ngushëlloj nga zemra familjarët, të afërmit dhe kolegët e tij, dhe uroj shërim sa më të shpejtë për dy policët e tjerë, Besmir Voi dhe Neil Hoxha.

Duke kërkuar hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes, dua të shpreh shqetësimin e thellë për pasigurinë në rritje, në cdo drejtim në vendin tonë si pasojë e shthurjes totale të sigurisë dhe rendit.

Nuk kalon një ditë e vetme pa një viktimë në rrugët tona, pa një përplasje me armë, apo një vrasje për shkak të drogës. Duhet një reflektim, duhet zgjidhje, vendi meriton rend dhe siguri,” theksoi kreu i PD-së në përfundim.

(Kosova Sot)