Riformatimi i Qeverisë, blerje kohe për të mashtruar ndërkombëtarë

  • 26 September 2016 - 12:44
Riformatimi i Qeverisë, blerje kohe për të mashtruar ndërkombëtarë

Vendi po shkon mbrapa me këtë mentalitet qeverisës

Opozita nuk do ndryshime kozmetike, kërkon zgjedhje të parakohshme 

"Riformatimi i kabinetit qeveritar po imponohet nga bashkësia ndërkombëtare, e cila po insiston në çdo mënyrë që t'i largojë nga skena politike të gjithë ata, të cilët janë nën hetime, ku dosjet e tyre gjenden nëpër tavolinat e prokurorive. Nuk besoj se do të mund të bëjnë shkurtimin dhe riformatimin e kabinetit ky koalicion, sepse e ka pajtuar grupin e tyre partiak me poste e ministri, dhe një gjë e tillë do të krijonte parregullsi dhe përçarje brenda vetë partive", shprehet analisti Islam Krasniqi

Duket se së fundi ka një presion të vazhdueshëm ndërkombëtar përballë koalicionit qeverisës PDK-LDK për ndryshime substanciale në kabinetin qeveritar, përmes një procesi të ri të riformatimit, me qëllim të krijimit të një kabineti më racional në përbërje të personelit- dikastereve ministrore, por edhe me qëllim të një qeverisjeje më efektive. Kjo temë u bisedua edhe në takimin e fundit mes kreut të PDK-së, Kadri Veselit, dhe ambasadorit amerikan. Por, sipas gjykimit të opozitës dhe analistëve politikë, ky lloj presioni ndërkombë- tar nuk mund të japë zgjidhje kualitative dhe të qëndrueshme që do të përmirësonte jetën e qytetarit të Kosovës. Është një vlerësim gjeneral, sipas të cilit zgjidhja e mirë vjen vetëm me zgjedhje të reja dhe me ndryshim substancial të mentalitetit politik në qeverisje, jo me ndryshime kozmetike dhe blerje kohe për klasën aktuale në krye të keqqeverisjes së vendit, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Koalicion i dinozaurëve

Sekretari organizativ i AAK-së, Ali Berisha, dhe deputeti nga subjekti politik opozitar Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, konsiderojnë se lansimi i kësaj përpjekjeje të re të blerjes së kohës për jetëgjatësinë e kësaj Qeverie jofunksionale nuk mund të japë zgjidhje, por zgjidhja është shkuarja në zgjedhje të reja që do të duhej mbajtur në pranverën e vitit që vjen, krahas lokaleve dhe parlamentare. "Unë konsideroj që as Kadri Vesli dhe as vetë Isa Mustafa nuk e dinë saktësisht sa anëtarë nga partitë e tyre politike dhe partnerët e tjerë në koalicion i kanë në kabinetin qeveritar, sidomos në pozitat e zëvendësministrave, një numër që me siguri ia kalon edhe shtetit të madh të Kinës. Ka ministri, në të cilën janë edhe deri në 5 zëvendësministra, pavarësisht që ata nuk figurojnë zyrtarisht në faqet e ministrisë përkatëse, dhe kjo tregon më së miri joseriozitetin e qeverisjes së keqe, dëshmon politikën e qëllimit të zhvatjes që u bëhet taksapaguesve të shtetit nga ky koalicion i dinozaurëve", u shpreh për "Kosova Sot" deputeti Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën. Përpjekjet për riformatim të qeverisës, sipas tij, janë vetëm përpjekje për të mundur që të dalë zvarrë ky koalicion i dështuar deri në pranverën e vitit që vjen, përndryshe ai nuk pret që ky koalicion të shkojë deri në fund të mandatit. "Me këtë qeverisje të keqe është duke e hëngër jo vetëm e ardhmja e vendit, shtetin brendapërbrenda, por ajo po e ha edhe vetveten. Prandaj do t'i vijë fundi kësaj qeverisjeje", është shprehur ai. Është vlerësim dhe pritje e tij që me thellimin e kësaj krize, në vend të krijimit të një qeverisjeje më të mirë me riformatim, pranvera e vitit që vjen të sjellë zgjedhje të reja për të dyja nivelet dhe kjo qeveri e dështuar ta marrë epilogun e vet të turpshëm, me gjykimin që do t'i japin qytetarët. "Unë besoj që zgjedhjet lokale do të tërhiqen pak më herët, të mbahen më herët, dhe është një klimë politike që për shkak të dështimeve në politikat madhore të shtetit nga kjo qeverisje e tanishme, gjasat në të mëdha që zgjedhjet lokale të mbahen për 6-7 muaj më herët, dhe të mbahen së bashku me zgjedhjet parlamentare të parakohshme, kjo është shumë e mundshme duke u bazuar në rrjedhat e tanishme politike, por edhe duke i bazuar në zhvillimet e tjera", u shpreh Zafir Berisha për "Kosova Sot".

Nuk ka perspektivë për qytetarin me këtë Qeveri

Mendim të ngjashëm ndan edhe Ali Berisha nga AAK-ja. "Kjo Qeveri nuk mund të përmirësohet, as të riparohet me ndryshime kozmetike. Është mirë në interesin e vendit dhe të qytetarëve që kjo Qeveri të shkojë sa më shpejt nga pushteti, që ta çojë vendin në zgjedhje dhe nga zgjedhjet e reja të dalë një qeveri e re, e cila me projekt të ri dhe konkret premton edhe zhvillim efektiv në të gjitha fushat e jetës, pasi që po shihet se kjo Qeveri e tanishme krejtësisht e ka humbur rrugën dhe mundësinë e ofrimit të perspektivës për qytetarin. Kjo Qeveri e ka huqur sidomos me këto dy marrëveshjet e fundit, që janë të dëmshme për Kosovën, dhe duke insistuar me çdo kusht në zbatimin e tyre ka bërë që të bllokohet Kosova në të gjithë fushat e tjera me interes për zhvillim dhe përparim. Kështu që pavarësisht idesë së riformatimit, nuk do të ketë asgjë të re, sepse bartësit kryesorë të institucioneve të kësaj Qeverie dhe projektet e tyre nuk premtojnë zhvillim", u shpreh sekretari organizativ në AAK, Ali Berisha, për "Kosova Sot". Sipas tij, përpjekja që me ndryshim të disa figurave në qeverisje mund të jetë vetëm lojë politike, ngase defekti qëndron në vetë mentalitetin dhe shkollën politike me të cilën është filluar qeverisja e vendit në këtë mandat. "As ato figura të reja që do të mund të vinin si rrjedhojë e riformatimit nuk mund të sjellin ndryshime pozitive, pasi që problemi qëndron në vetë ata që janë bartësit kryesorë të procesit, jo vetëm të disa figura qeverisëse në kuadër të dikastereve të ndryshme qeveritare", pohoi Ali Berisha. Të paefektshëm, por edhe të pamundur e sheh procesin e riformatimit të Qeverisë, pavarësisht presionit nga jashtë, edhe politologu Islam Krasniqi. "Riformatimi i kabinetit qeveritar po imponohet nga bashkësia ndërkombëtare, e cila po insiston në çdo mënyrë që t'i largojë nga skena politike të gjithë ata të cilët janë nën hetime, ku dosjet e tyre gjenden nëpër tavolinat e prokurorive. Nuk besoj së do të mund të bëjnë shkurtimin dhe riformatimin e kabinetit ky koalicion, sepse i ka pajtuar grupin e tyre partiak me poste e ministri dhe një gjë e tillë do të krijonte parregullsi dhe përçarje brenda vetë partive, sepse ky koalicion i ka pajtuar me poste e pozita grupet klanore brenda vetë koalicionit. Nuk e besoj se mund të ketë ndryshime efektive me këtë klasë politike të dëshmuar për dështim deri më tani ne qeverisjen e vendit, sepse duhet ndryshime rrënjë- sore, brenda vetë koalicionit, brenda vetë partive politike, të cilat e kanë shkatërruar këtë vend", u shpreh politologu Krasniqi. 

(Kosova Sot)