Kelmendi: Në dy vjetët e fundit Qeveria aktuale nuk ka dhënë asnjë llogari para Kuvendit të Kosovës

  • 26 September 2016 - 18:35
Kelmendi: Në dy vjetët e fundit Qeveria aktuale nuk ka dhënë asnjë llogari para Kuvendit të Kosovës

Prof. Dr. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot" theksoi se Qeveria është ajo që e ka bërë gabimin e tillë fatal, duke rrezikuar 1/4 e buxhetit të vendit dhe duhet ndëshkuar.

 "Në dy vjetët e fundit Qeveria aktuale nuk ka dhënë asnjë llogari para Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast edhe Kuvendi i Kosovës ka bërë gabime, sepse nuk e ka kryer detyrën e vet kushtetuese, që ta kontrollojë punën e Qeverisë së Kosovës. Kështu, duke e anashkaluar punën dhe obligimet e njëra- tjetrës, ka ardhur që ta kemi një situatë të tillë. Qëllimi numër një i Kuvendit është që të kërkojë një llogari politike dhe ekonomike nga ana e Qeverisë dhe në anën tjetër të analizohet puna e Qeverisë aktuale, duke e shprehur mendimin e tyre si deputetë të Kuvendit ata edhe mund të kërkojnë që të shkarkohet Qeveria aktuale dhe në të njëjtën kohë që të kërkojmë edhe nga ana e organeve të drejtësisë që të hapet procedurë penale dhe hetuese kundër kësaj Qeverie që me një veprim të saj mundet që t'i kushtojnë buxhetit të vendit me qindra miliona euro", është shprehur Kelmendi.

 Ai thotë se Qeveria nuk mund të arsyetohet se për shkak të këtij apo atij faktori ka ardhur deri te çështja e këtyre lëshimeve, sepse në këtë rast ka përgjegjësi edhe politike, por edhe një përgjegjësi penale në këtë situatë aq tragjike e aq të rëndë për çështjen tonë në përgjithësi. "Pra, jo vetëm që duhet që Kuvendi i Kosovës të kërkojë përgjegjësi politike, por ata duhet që ta shkarkojnë Qeverinë duke kërkuar në këtë rast ndaj saj edhe përgjegjësi penale nga organet e ndjekjes, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t'i jepet çdokujt që luan vendi i merituar dhe që vepron në kundërshtim të interesit të Kosovës dhe qytetarëve". Ndryshe, Kelmendi thotë se zakonisht Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Kosovës.

"Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e vlerëson dhe nuk i beson një raporti të tillë që e ofron Qeveria dhe nuk ka bazë të mjaftueshme për ta marrë në përgjegjësi dhe për ta shkarkuar Qeverinë për këto shkelje shumë të rënda që Kosovës edhe mund t'i kushtojnë me qindra miliona euro, atëherë Kuvendi mund të krijojë një komision të saj të veçantë me kushtin që nëse nuk u beson atyre të komisioneve të përhershme të Kuvendit që janë për financa, atëherë ky komision i veçantë e kërkon dhe e hulumton rastin në fjalë dhe që pas hulumtimeve t'i raportojë Kuvendit dhe vetëm pas këtij raportit të këtij komision do të duhej që të ndërmerren masat e veçanta", është shprehur Kelmendi. Ai thotë se mund edhe të kërkohet llogari penale. Sipas tij, gjykata e përcakton natyrën e këtyre të bëmave, se a është përgjegjësi penale apo tjetër.

(Kosova Sot)