Albert Berisha: Nuk jam terrorist, u dënova pa faj

  • 26 September 2016 - 19:25
Albert Berisha: Nuk jam terrorist, u dënova pa faj

Albert Berisha, i dënuar në shkallën e parë me tre vjet e gjysmë burgim për terrorizëm, ka thënë se nuk është terrorist – përkundër se është dënuar, gjykata ka dështuar të mbledh fakte për fajësinë e tij, kjo për arsye se as nuk ka të tilla.

Berisha ka thënë se e di arsyen përse u dënua, ndonëse s’kishte fakte.

“Nuk është se jam befasuar për arsye se tërë ai pompozitet medial disi është dashur që të arsyetohet. Megjithatë, nuk kam pritur dënim kaq të lartë për një vepër që nuk e kam kryer. Ka pasur shumë mungesa dhe zbrazëtira, por gjykata arriti në këtë përfundim, përkundër se vet aktakuza është kundërthënëse. Tre vjet e gjysmë nuk janë shumë për terrorizëm, por janë shumë kur nuk ke bërë asgjë. Unë nuk i përkas kësaj aktakuze”, tha Berisha në infomagazin

“Një nga të metat e shumta të gjykimit ka qenë edhe grumbullimi i njerëzve që nuk janë njohur me njëri-tjetrin. Gjykimi në grup i bie që kemi vepruar si grup i organizuar kriminal, por ne as që njihemi. Unë as që i njoh të tjerët në këtë proces. Ka pasur persona që kanë pranuar se kanë qenë pjesë e ISIS-it, apo Al-Nusra-s, dhe janë dënuar me tre vjet, kurse unë s’kam pranuar fajësinë jam dënuar me tre vjet e gjysmë”.

“Në proces nuk na është dhënë mundësia që të paraqesim fakte. Por, ka njerëz që më kanë parë në udhëtimin tim dhe dëshmojnë këtë që po them unë”, tha ai.

“Po ashtu, ka persona të tjerë që janë atje me grupe joterroriste. I kam numrat e telefonit dhe ata kanë shprehur gatishmërinë që të deklarohen dhe të tregojnë në gjykatën pafajësinë time”, tha Berisha.

(Kosova Sot)