Ky është personi që dhunoi biznesmenin libanez Fadi Mitri

  • 26 September 2016 - 20:22
 Ky është personi që dhunoi biznesmenin libanez Fadi Mitri

Personi që duket në ketë foto është pikërisht ai që rrahu barbarisht përfaqësuesin e kompanisë Omnix Albania, Fadi Mitri, 16 ditë më parë. Në foton që disponon vetë i dëmtuari si dhe policia shqiptare, duket se agresori ka zbritur nga makina pasi kishte kryer më parë aksidentin e qëllimshëm me automjetin ku ndodhej Mitri dhe familja e tij. Automjeti i dhunuesve, një “Volksagen Tuareg” i zi me targa italiane, dallohet qartë i dëmtuar në krahun e djathte si pasoje e përplasjes. Nga hija e agresorit kuptohet se ai mban në dorë një send e që sipas dëshmisë së Fadi Mitri, ishte një shkop bejsbolli. Personi bën kujdes të shohë përreth para se të godasë investitorin libanez. Ketë foto e ka bërë bashkëshortja e Mitrit. Pamja, ndonëse e turbullt, tregon se në sediljen e pasagjerit të makinës së agresorëve qëndron një person, i cili filmon rrahjen.

Familja e Fadi Mitri dhe drejtuesit e Omnix Grup të kontaktuar nga "vizion plus", thonë se policia e ka marrë foton, por ende nuk ka arrestuar autorin kryesor të dhunimit. I vetmi i dyshuar, Skender Kraja, ndodhet ne qeli për posedim te një sasie te vogël droge.

Pas largimit të Fadi Mitri nga Shqipëria, Prokuroria vendosi sekuestro mbi sipërfaqen prej 45 mije metrash katrore ne Gjirin e Lalëzit, ku do të ndërtohej kompleksi turistik. Organi i akuzës dyshon se kjo tokë është fituar nga shtetasi Pal Selçuni, përmes dokumenteve të falsifikuara.

(Kosova Sot)