Palestinezët reagojnë pas deklaratës së Trumpit për Jerusalemin

  • 26 September 2016 - 21:04
Palestinezët reagojnë pas deklaratës së Trumpit për Jerusalemin

Një zyrtar i lartë palestinez dënoi sot deklaratën e kandidatit republikan presidencial, Donald Trump se ai do të njohë Jeruzalemin si kryeqyteti i pandarë i Izraelit.

“Deklarata e Trumpit tregon mospërfillje për të drejtën ndërkombëtare dhe për politikën e jashtme të SHBA-së lidhur me statusin e Jeruzalemit, duke përfshirë pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Jeruzalemit Lindor”,  tha Saeb Erekat, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), në një deklaratë.

Trump kishte bërë këtë deklaratë dje, gjatë takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ishte në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Gjithashtu, udhëheqësi izraelit është takuar me kandidaten demokrate, Hillary Clinton më vonë gjatë ditës në përpjekje për të dalë neutral në prag të zgjedhjeve amerikane më 8 nëntor.

Erekat tha se “komentet e Trumpit kanë diskredituar zgjidhjen ‘dy shtete’ si dhe rezolutën e OKB-së”, transmeton atsh.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të respektojë thirrjen e presidentit palestinez, Mahmoud Abbas për t’i dhënë fund pushtimit si dhe të shpëtohet zgjidhja ”dy shtete” para se jetë tepër vonë.

SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar e konsiderojnë pushtimin dhe aneksimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli në 1967 si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Ndërkombëtarët deri më tani kanë refuzuar të njohin shpalljen e Izraelit se Jerusalemi është kryeqytet i tij, madje e konsiderojnë më tepër si kryeqytet i dy shteteve, Izraelit dhe shtetit të ardhshëm të Palestinës.

(Kosova Sot)