LDK: Sondazhi i fundit është hartuar në zyrat plotë armë dhe molotovë të Levizjes Vetëvendosje!

  • 26 September 2016 - 21:47
LDK: Sondazhi i fundit është hartuar në zyrat plotë armë dhe molotovë të Levizjes Vetëvendosje!

Kompania “UBO Consulting” e ka pranuar se sondazhi i saj, që nxori Vetëvendosjen si partinë e dytë dhe Albin Kurtin si të preferuarin e kosovarëve për kryeministër, është kontraktuar pikërisht nga kjo parti opozitare. Pikërisht për këtë shkak  Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kërkuar kësaj kompanie të tregojë se sa para ka marrë nga subjekti opozitar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret pranimin dhe pohimin e marrëdhënies klienteliste ndërmjet LVV-së dhe Kompanisë UBO Consulting e cila ka publikuar një sondazh të përgatitur dhe të hartuar në zyrat plotë armë dhe molotovë të VV-së”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Telegrafi.

“Për hir të transparencës dhe mënjanimit të mashtrimit të publikut, praktikë kjo e përditshme e LVV-së, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të bëhen publike informacionet se sa ka qenë kostoja e këtij shërbimi, kush janë porositësit e tjerë, nga cilat burime financiare është bërë porosia e sondazhit dhe në cilën adresë biznesore është bërë ky transaksion”.

LDK thotë se, këto informacione do t’i shërbenin sqarimit të këtij mashtrimi të porositur, për të cilin LDK dhe përfaqësuesit e saj sinjalizuan me kohë.

Ky subjekt politik, më tej në reagim, thotë se “të gjitha sondazhet kredibile vendore e ndërkombëtare bëjnë të ditur se LDK-ja qëndron në pozita tejet të favorshme të cilat konfirmojnë mbështetje në rritje nga qytetarët e vendit”.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës i përkrahin politikat zhvillimore dhe properëndimore të Republikës së Kosovës, përkushtimin e saj për rrugën integruese euroatlantike, si dhe angazhimet për fuqizimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të BE-së”.

“Qytetarët e Kosovës nuk përkrahin sekte politike që hedhin molotovë mbi policë, qytetarë, institucione publike dhe shtëpi private, njerëz që sulmojnë institucionet me armë të rënda luftarake, subjekte që mbushin selinë me armë zjarri, lëndë narkotike, maska për kryerje të veprimeve kriminale e lëndë djegëse, që sulmojnë përfaqësuesit diplomatikë, njerëzit që i kanë dyert e mbyllura dhe janë “persona non grata” në të gjitha shtetet perëndimore, njerëz që bëjnë thirrje për ekzekutime publike, për kaos, anarki e vrasje…”, thuhet në reagimin e LDK-së. 

(Kosova Sot)