Kelmendi me pagë milionëshe merr grante qeveritare gati 1 milion euro

  • 26 September 2016 - 07:34
Kelmendi me pagë milionëshe merr grante qeveritare gati 1 milion euro

BIZNESMENI DHE DEPUTETI RAMIZ KELMENDI NDIHMOHET FINANCIARISHT NGA QEVERIA 

Hertica: Kelmendi dhe Devollët, të përfshirë në aferat PRONTO dhe klanet e mafisë ekonomike

"Pikërisht njerëzit si Kelmendi, Devolli e të tjerë si këta, janë pjesë e rrjetit të bizneseve të lidhura me pushtetin, ku si gjithmonë nga paratë e tatimpaguesve përfitojnë bizneset e tyre,...në njërën anë për shpëlarjen e parave të pista të pushtetarëve, ndërsa në tjetrën, sa herë që u "thahet fyti" pushtetarëve, ua freskojnë me miliona euro, duke i nxjerrë fitimtarë gjatë fushatave zgjedhore me blerjen e votave të qytetarëve të varfër", u shpreh analisti Florim Zeqa

Në bazë të shënimeve zyrtare, të dhëna nga Ministria e Bujqësisë, për gazetën "Kosova Sot", është konstatuar se kompania ELKOS shpk, që për pronar ka deputetin biznesmen Ramiz Kelmendi, për momentin vetë pretendent për zëvendëskryeministër të Kosovës, për projektin e ndërtimit të qendrës grumbulluese për pemë dhe perime, i janë paguar mjete financiare në formë grantesh në shumën prej rreth 900 mijë euro. Sipas dokumentit zyrtar, përgjigjja e dhënë nga Ministria e Bujqësisë, del se kompania ELKOS ka përfituar plot 855 513.89, pra rreth 900 mijë euro, shkruan gazeta Kosova Sot.

Më saktësisht, në dhjetor të vitit 2012 i është paguar granti i parë në shumën prej 300 000, pastaj gjatë muajit shkurt 2014 edhe 300 000 euro të tjera, në mars po të 2014 edhe 200 000 të tjera, kurse në tremujorin e fundit të vitit 2014, në tetor, edhe kësti i radhës në shumën prej 55 513.89 euro. Përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë të pavarur, këtë lloj subvencionimi të biznesmenit politikan, sidomos në kohën e nxehtë të periudhës së zgjedhjeve parlamentare, e shohin si një krijim të lidhjes akoma më të fuqishme të rrjetit ekzistues mes politikës dhe bizneseve oligarkike, që mbështesin njëra-tjetrin dhe krijojnë një qark të mbyllur dhe konkurrencë jolojale në ekonominë e vendit. Sipas opinionistëve, të cilëve u janë prezantuar këto fakte, mjetet financiare të paguara në atë kohë për ELKOS-in, grante në vlerë prej afro 900 000 eurosh, ishin vetëm edhe një shtysë e re shtesë që Ramiz Kelmendi të kapet akoma më shumë pas politikës, e cila është futur tek bizneset private oligarkike, prandaj edhe asokohe vendosi për kalimin në PDK dhe që zgjon dyshimin për mbështetje të fuqishme financiare të fushatës zgjedhore të PDK-së, të drejtuar nga ish-kreu i saj i atëhershëm Hahim Thaçi. Gjatë ditës së djeshme gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje se për çfarë arsye është bërë një subvencionim i tillë nga Ministria e Bujqësisë, pse e kanë ndihmuar me grante një biznesmen, i cili në deklarimet e tij publike pretendon se ka pagë mujore që shkon akoma më larg se granti i dhuruar qeveritar 1 milion euro, përderisa kemi qindra mijëra të tjerë që nuk marrin asgjë.

Kurteshi: Keqpërdorimet e qeveritarëve në këtë vend nuk kanë kufi

Ndryshe, deputetë nga opozita dhe analistët konsiderojnë se kjo situatë flet më së miri se si pikërisht njerëzit si Kelmendi e të tjerët, që janë pjesë e rrjetit të bizneseve të lidhura me pushtetin, gjithmonë përfitojnë nga paratë e tatimpaguesve dhe natyrisht si miku i tij Shkëlqim Devolli që ua "lag" fytin e tharë pushtetarëve, siç bën Devolli me Grabovcin. Deputeti i lëvizjes "Vetëvendosjes", Ismail Kurteshi, u shpreh për "Kosova Sot" se ky rast është dëshmia më e mirë se si funksionon lidhja e politikës me bizneset që e ushqejnë atë, nëpërmes keqpërdorimeve më skandaloze të pushtetarëve. "Keqpërdorimet e qeveritarëve në këtë vend nuk kanë kufi. Subvencionet në Kosovë nuk jepen si mbështetje për bujqësinë ose për zhvillimin e ndonjë kapaciteti përpunues që ndihmojnë prodhimet vendore, rritjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në Kosovë subvencionimet jepen në formë të huas. Nga ai që qeveritarët i japin subvencion presin përkrahje, përfituesi merr obligim që subvencionin ta kthejë në formë të votës elektorale, donacionit për subjektin politik ose subvencionin ta kthejë në formë të mitës. Kjo edhe është arsyeja që subvencionimi bëhet ose në baza partiake, ose mbi bazën e lidhjeve farefisnore, ose mbi bazën e interesit reciprok", u shpreh Kurteshi. Tutje ai ka shtuar: "Kjo praktikë e përhapur gjithandej vendit nuk mund të bëhet ndryshe as kur është në pyetje ETC-ja ose kompanitë e tjera, që kanë përjetuar rritje enorme për një kohë shumë të shkurtë tamam si vëllezërit dhe miqtë e politikanëve, që po i drejtojnë institucionet më të rëndësishme të vendit. Është indikative fakti se si vëllezërit dhe miqtë e politikave që i kanë kapur institucionet, i kanë kapur segmentet më të rëndësishme të bizneseve në Kosovë!?", theksoi deputeti Kurteshi për gazetën.

Grantet qeveritare bëhen motiv shtesë i biznesmenëve për t'u bërë pjesë e partive në pushtet

Analisti Florim Zeqa u shpreh për "Kosova Sot" se lidhja e politikës me bizneset është e ngjashme sikurse lidhja e korrupsionit me krimin e organizuar. Sipas tij, janë këto dy lloj lidhjesh të fuqishme që bashkëveprojnë dhe ushqejnë njëratjetrën. "Favoret financiare që i bëhen nga politika zyrtare, respektivisht nga Qeveria si rasti i biznesmenit Ramiz Kelmendi dhe biznesmenëve të tjerë në emër të granteve dhe subvencioneve për biznese private. Kjo është një formë e shpërblimit për financimet që këta të fundit (biznesmenët) ua kanë dhënë gjatë fushatave zgjedhore politikanëve në pushtet. Ajo çfarë shihet nga të dhë- nat zyrtare, e dhënies nga Ministria e Bujqësisë, kompanisë ELKOS shpk për projektin e ndërtimit të qendrës grumbulluese për pemë dhe perime, ku i janë paguar rreth 900 mijë euro,...pronari i së cilës kompani pretendon se i merr të ardhura mujore hiç më pak se mbi 1 milion euro. Ky përveçse paradoks i llojit të vet, paraqet aktin më të rëndë dhe skandaloz të keqpërdorimit të parasë publike,...kur në të njëjtën kohë nga Ministria e Bujqësisë refuzohen bizneset e vogla për marrjen e granteve prej vetëm disa mijëra eurove për mbijetesë familjare", u shpreh analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot". "Kjo dëshmon faktin se pikërisht njerëzit si Kelmendi, Devolli e të tjerë si këta janë pjesë e rrjetit të bizneseve të lidhura me pushtetin, ku si gjithmonë nga paratë e tatimpaguesve përfitojnë bizneset e tyre,...në njërën anë për shpëlarjen e parave të pista të pushtetarëve, ndërsa në tjetrën, sa herë që u "thahet fyti" pushtetarëve ua freskojnë me miliona euro, duke i nxjerrë fitimtarë gjatë fushatave zgjedhore me blerjen e votave të qytetarëve të varfër. Sigurisht se mega-grantet qeveritare bëhen motiv shtesë i biznesmenëve për t'u bërë pjesë e partive në pushtet. Deklaratat për "largim" nga partia e biznesmenëve të mëdhenj janë vetëm një mashtrim për opinionin, me qëllim të mbulimit të marrëveshjeve të fshehta me pushtetarët", ka pohuar analisti Zeqa. Ai ka nënvizuar edhe faktin tjetër, apo anën më të errët të medaljes së lidhjeve të bizneseve me politikën, e që është fuqizimi i shtetit serb në Kosovë përmes importimit të mallrave dhe produkteve ushqimore serbe në Kosovë. "Kjo ka bërë që Serbia të bëhet faktor i fuqishëm ekonomik dhe politik në shtetin, për të cilin pushtetarët tonë krekosen se është i pavarur dhe sovran, kur çdo ditë e më tepër shteti ynë është duke e humbur pavarësinë ekonomike, politike, sovranitetin dhe integritetin territorial. Andaj në rrethanat e krijuara është krejt normale që një biznesmen-politikan si Ramiz Kelmendi të jetë patjetër edhe zëvendëskryeministër i vendit", u shpreh Zeqa për "Kosova Sot".

Hertica: Kelmendi nuk mund të jetë i besuar dhe politikan i suksesshëm

Po aq i bindur se ky është një fill i lidhjeve të politikës kriminale me biznesmenët oligarkë, që mbajnë një monopol të madh në tregun e Kosovës, është edhe analisti Ali Hertica. "E gjithë kjo që ndodh sot me hovet e pandashme të disa biznesmenëve kosovarë është diçka që të fut në dyshime se edhe grantet që i përfitojnë janë rezultat i involvimit të politikës për interesat e saj, dhe pikërisht rrjetet ordinere kriminale, që sot e kanë ngulfatur zhvillimin e sistemi ekonomik, kur dihet se e gjithë kjo ngecje vjen nga monopoli i biznesmenëve të pandërgjegjshëm dhe kriminalë. "Ramiz Kelmendi u pasurua në kurriz të popullit të varfër të Kosovës. Kelmendi pasurinë e tij e bëri me ata që bënë krime në Kosovë, ata që bënë krime në Kosovë janë edhe vëllezërit Kariq. Kelmendi nuk mund të jetë i besuar dhe politikan i suksesshëm në Kosovë. Pasuria e Kelmendit burimin e ka në Serbi nga vëllezërit Kariq. Është e ditur se të gjithë fushatat zgjedhore ishin të ndihmuara- financuara nga ky, në të gjitha partitë ku ai ka qenë deri më tash, sepse të vetmen armë e ka atë për t'u inkuadruar në politikë, duke ua mbushur gojën liderëve gjatë fushatës. Atyre ua financon të gjitha shpenzimet, por edhe ndoshta nuk kursehet as në blerjen e votave nga punëtorët e tij, kur ua kushtëzon votën me vende pune", ka pohuar Ali Hertica. Sipas tij, ky rast është vetëm një zbulim i vogël i lidhjes së politikës me bizneset që kontrollohen prej saj. "E gjitha kjo skemë e politikës së të pangopurve, siç është Ramiz Kelmendi dhe Devollët, janë të përfshirë pikërisht në të gjithë më aferat PRONTO dhe klanet e mafisë ekonomike. Derisa qytetari sot ka ardhur në një gjendje tepër të rëndë ekonomike dhe mezi po e siguron mbijetesën", pohon Ali Hertica. Për më tepër ai thotë se politikanët biznesmenë të kalibrit të Ramiz Kelmendit janë zhvatësit dhe mashtruesit më të mëdhenj të qytetarëve të këtij vendi. " Kelmendi nuk është politikan dhe nuk i intereson politika, ai është biznesmen i cili punon vetëm për para, që kur vjen në pyetje biznesi i tij, bëhet i verbër edhe nëse ka një kodër të madhe para syve. Deklarata e tij lidhur me hapjen e 1 milionë vendeve të punës është boshe apo premtim politik, se vendi është në prag të zgjedhjeve dhe premton për poenë politikë", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot". Edhe përkundër përpjekjeve të gazetës për të kontaktuar deputetin Kelmendi, ai nuk është përgjigjur. 
 

(Kosova Sot)