Kontratat e dyshimta të AKP-së me Lushtakët (Video)

  • 26 September 2016 - 22:49
Kontratat e dyshimta të AKP-së me Lushtakët (Video)

Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka nënshkruar tri aneks-kontrata me kompaninë “Security Code”. Aneks-kontratat me vlerë prej rreth 700 mijë eurosh janë nënshkruar pa tenderë publikë

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i ka nënshkruar tri aneks-kontrata me kompaninë “Security Code”, pronë e Ukshin Lushtakut, vëllait të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Aneks-kontratat me vlerë prej rreth 700 mijë eurosh janë nënshkruar pa tenderë publikë, duke u thirrur në kontratën e vitit 2014, të cilën kompania e sigurimit fizik e ka me AKP-në.

“Gazeta Jeta në Kosovë“ zbulon se aneks-kontrata e parë është nënshkruar në muajin shkurt, njëra në muajin maj dhe e fundit në javën e parë të muajit shtator.

“Gazeta JnK” ka gjetur se aneks-kontratat për ofrimin e sigurimit fizik të objekteve janë nënshkruar përkundër faktit që AKP-ja dhe “Security Code” kanë pasur një kontratë valide për të njëjtën periudhë.

AKP-ja kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare me “Security Code”, që përfundonte më 1 shtator të vitit 2016. Vlera e kësaj kontrate ishte 1 milion e 872 mijë euro.

Ndërkohë, vlera e dy aneks-kontratave të para, të cilat janë shpenzuar deri në shtator 2016, ishte 457 mijë euro.

Pra, AKP-së i ka kushtuar sigurimi fizik për gati gjysmë milioni euro më shtrenjtë se sa vlera e kontratës që ishte valide deri në fillim të shtatorit të vitit 2016.

Llogaritë matematikore tregojnë se për dy vite Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpenzuar rreth 2 milionë e 300 mijë euro, apo rreth 25 për qind më shumë se sa shuma fillestare e planifikuar.

Hulumtimi zbulon se në përmbyllje të kontratës AKP-ja ende nuk ka arritur të nënshkruajë kontratën e re dyvjeçare, duke u detyruar që në muajin shtator të nënshkruajë edhe aneks-kontratën e tretë. Pra, në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi edhe aneks-kontrata e tretë, e cila ka një vlerë prej 246 mijë euro.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka zbuluar se kjo aneks-kontratë ishte planifikuar të nënshkruhej në muajin gusht, mirëpo ajo ka hyrë në fuqi vetëm në javën e parë të muajit shtator. Prolongimi i nënshkrimit ishte bërë pas dërgimit të pyetjeve nga “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Kështu, vlera e aneks-kontratave të nënshkruara në mes të AKP-së dhe kompanisë “Security Code” gjatë vitit 2016 është 703 mijë euro.

“Security Code” është pronë e Ukshin Lushtakut, vëllait të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Bashkëpronar është edhe Valdrin Tahiri, që është djalë i Esat Tahirit, ish-truprojë i Sami Lushtakut.

Në fakt, pronësia e kësaj kompanie është ndryshuar në muajin dhjetor të vitit 2012, kur pronarë ishin Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku, djali i vëllait të Sami Lushtakut.

Ndryshimi i pronësisë ishte bërë disa muaj pas nisjes së hetimeve për tenderin për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, vlera e të cilit ishte rreth 6 milionë euro. Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i Prokurimit, Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj e ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha, akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Dyshimet për shkëputjen e kontratës

Kompania “Security Code” është kujdesur për objektet dhe asetet shoqërore për një kohë të gjatë. Ajo kishte një kontratë në vitin 2012 që peshonte 1 milion e 32 mijë euro. Kontrata ishte dyvjeçare. Kurse në shtator të vitit 2014, AKP-ja kishte nënshkruar një kontratë të re me kompaninë “Security Code” të cilën e kishte fituar pas konkurrimit në tenderin publik të hapur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kontrata ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2014. AKP-ja kishte planifikuar se gjatë dy viteve sa do të zgjaste kontrata, deri me 1 shtator 2016, do të shpenzoheshin 1 milion 872 mijë e 200 euro. Kjo ishte vlera e përgjithshme e kontratës, ndërkohë që kompania kishte ofruar një çmim prej 2.0178 euro për orë, duke e përfshirë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Megjithatë, Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte iniciuar tenderin e ri për sigurimin fizik në muajin dhjetor të vitit 2015, ani se kishin mbetur edhe 10 muaj të kontratës 2-vjeçare.

Në AKP thonë se inicimi i tenderit ishte bërë pas kërkesave të departamenteve brenda AKP-së me arsyetimin se ishin harxhuar mjetet e parapara në kontratë. Pra, ishin shpenzuar mjetet e kontratës, pasi për një periudhë të shkurtër ishte kërkuar më shumë orë pune se sa planifikimi fillestar.

Hulumtimi i “Gazetës JnK” tregon se shkëputja e kontratës dyvjeçare ishte bërë në mënyrë kundërthënëse.

Menaxheri i kompanisë “Security Code”, Esat Tahiri, shprehet i habitur se si AKP-ja kishte iniciuar tenderin në dhjetorin e vitit 2015 ani se kishte kontratë valide.

“Kontrata kornizë ka qenë dyvjeçare, ndërsa AKP-ja një vit para se të përfundojë ka shpallur tender të ri me të vetmin arsyetim se i është harxhuar buxheti i parashikuar për kontratën e rregullt dhe duhet të ndërpritet (është fjala për kontratën e 1 shtatorit 2014)”, shpjegon Tahiri. “E kemi kundërshtuar këtë ndërprerje të kontratës dhe i kemi bërë me dije AKP-së se kemi kontratë valide deri më 1 shtator 2016”.

AKP-ja përmend disa faktorë që kanë ndikuar në harxhimin e parakohshëm të mjeteve.

Ajo përmend mungesën e bordit funksional, si një nga arsyet që kanë ndikuar që kontrata dyvjeçare të përfundojë 6 muaj përpara.

“Mungesa e bordit të drejtorëve për dy vjet ka shkaktuar që asnjë aset mos të shitet gjatë kësaj kohe duke pamundësuar realizimin e objektivave të paraparë në inicimin e deklaratës së nevojave dhe disponueshmërise së mjeteve dhe duke ndikuar që shpenzimet mos të zvogëlohen por përkundrazi të rriten”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

LEXO:  Pamje të papara më parë të aeroplanit luftarak më të rrezikshëm B-2 Stealth (Video)

Dhe arsyeja e dytë që është përmendur është nevoja e shtuar për staf të sigurimit gjatë largimit të uzurpatorëve nga objektet e uzurpuara. Vendimi për largimin e uzurpatorëve ishte marrë pas nënshkrimit të kontratës, prandaj sipas AKP-së nuk ka qenë i mundur planifikimi i këtyre shpenzimeve shtesë.

Palët kontraktuese kanë mospajtime edhe sa i përket kontratës së nënshkruar në vitin 2014. Përderisa, menaxheri i kompanisë “Security Code” thotë se kontrata e nënshkruar është kontratë kornizë, këtë gjë e mohojnë në AKP.

“Po të ishte kontratë kornizë ne si autoritet do të kishim të drejtën me shpenzu deri në 30% më tepër të kontratës bazë, por meqenëse ka qenë kontratë afatgjatë atëherë ne nuk kemi mundur me shfrytëzua këtë të drejtë, por jemi detyruar përveç aneksit bazë të nënshkruajmë edhe dy kontrata emergjente”, thuhet në përgjigjet e AKP-së

(Kosova Sot)