Epilepsia e rëndë e vogëlushes ia djeg zemrën së ëmës

  • 27 September 2016 - 07:41
Epilepsia e rëndë e vogëlushes ia djeg zemrën së ëmës

Lumni Krasniqi: Nuk kam para ta dërgoj vajzën te mjeku, në Prishtinë

Është nxënëse e klasës së gjashtë në shkollën fillore të fshatit Okllap, komuna e Lipjanit, por sëmundja nuk po ia lejon që ajo të ndjekë mësimet si nxënëse e rregullt. Është kjo Agnesa Krasniqi, e cila po ballafaqohet me sëmundjen e epilepsisë. Agnesa, përveçqë po përballet me sëmundjen, sipas prindërve të saj, ajo po ballafaqohet edhe me mungesë të një trajtimi të duhur mjekësor, pikërisht në mungesë të mjeteve financiare. Te dy prindërit e Agnesës janë të papunë, kurse ushqimi, veshmbathja e fëmijëve, shkollimi, janë të varura nga një ndihmë sociale në vlerë prej 113 eurosh, shkruan gazeta Kosova Sot.

Për më shumë babi i saj, i cili nuk pushonte se qari për vajzën e vet të sëmurë dhe pamundësinë financiare për ta trajtuar si duhet sëmundjen e saj, është rrëfyer për gazetën për hallet të cilat po e mundonin këtë kryefamiljar. "Unë kam rënë në hall, nuk po di më çka të bëj. Sëmundja e vajzës po acarohet dita- ditës, nuk po kam para ta dërgoj tek mjekët. Po ma thyen shpirtin dhe po më shihni se nuk po arrij t'i ndaloj lotët. Vërtet jam në hall, çka të bëj, jam i papunë dhe nuk po kam mundësi ta dërgoj as te mjekët në spital, në Prishtinë. Paratë e ndihmës sociale nuk po na dalin as për t'u ngopur me ushqim. Jemi pesë anëtarë të familjes dhe as shuma që merr vajza për shkak të sëmundjes nuk po mjafton për nevojat e saj", është shprehur Lumni Krasniqi, babai i vajzës.

"Nuk dua të ndahem nga shkolla, por sëmundja po më qet përtokë"

Në anën tjetër, derisa të dy prindërit ankoheshin për papunësinë dhe kushtet e vështira që po e kalojnë jetën, Agnesa, që u rrinte në krah, e kuptonte edhe ajo realitetin dhe nuk pushonte së qari. Ajo kërkonte që të ketë më shumë para që sëmundja e saj mos ta rëndojë edhe më shumë atë. Për më shumë, Agnesa theksoi se dëshiron të shkollohet, sikurse edhe të gjithë moshatarët e saj."Dua të kem më shumë para që të shkoj nëpër mjekë, nuk dua të ndahem nga shkolla, por sëmundja kur po më rrokë po më qet përtokë", u shpreh ajo duke mos mundur më të nxjerrë fjalë nga goja. Agnesa ishte një vajzë e mirë dhe e zonja, e aftë për të ecur përpara, por sigurisht se sëmundja donte trajtim serioz. Nëna e saj, Fatmirja, ankohej për fatin e saj, së cilës po i digjej zemra kur po e shihte vajzën në atë gjendje. "Vajza shkon në shkollë, por ndodh që ta sjellin shoqëria të alivanosur. Vuan nga sëmundja e epilepsisë dhe nuk po kemi mundësi ta dërgojmë te mjeku i vet, në Prishtinë. Tash, këto ditë, nuk është mirë, por nuk po kemi para ta dërgojmë atje. Po kam frikë se mos po bëhet edhe më keq", u shpreh ajo, ndërkohë që e ledhatonte të bijën. Vërtet ishte një pamje rrëqethëse për këdo që do ta kishte një rast të tillë si i kësaj nëne. Agnesa kërkonte shërim, kurse nëna e saj i thoshte që mund ta dërgojë te mjeku kur ta marrim ndihmën sociale. "Nuk kemi para, derisa ta marrim ndihmën sociale. Kjo nuk është mirë, po më duket se edhe kryet po i ajet këto ditë, është tej e shqetësuar. Nuk kemi si t'i bëjmë qare. Po mundohemi vetë që ta qetësojmë, por duket se edhe kështu nuk po ia dalim", theksoi kjo nënë e përvuajtur për gazetën...(Më gjërësisht mund të lexoni në gazetën Kosova Sot) 

(Kosova Sot)