Imazhi i Kosovës, argument kundër në politikën e jashtme

  • 27 September 2016 - 12:42
Imazhi i Kosovës, argument kundër në politikën e jashtme

Kosova ka dështuar në krijimin e një imazhi pozitiv, i cili do të ishte argument për politikën e saj të jashtme, për të siguruar jo vetëm njohjet e reja, por edhe për procesin drejt anëtarësimit në organizatat më të rëndësishme evropiane dhe botërore në përgjithësi, vlerësojnë ekspertët e së drejtës evropiane dhe të asaj ndërkombëtare.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane në Kolegjin ISPE, thotë se procesi i shtet-formimit të Kosovës është projektuar si proces i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe vetëm pas këtij anëtarësimi Kosova mund ta pretendojë anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Profesor Mazreku thotë se Kosova ende nuk ka arritur të ndërtojë raporte normale me Bashkimin Evropian, për faktin se ende i mungojnë njohjet nga 5 shtete anëtare të tij. Në këtë pikë, sipas tij, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, nuk ka pasur ndonjë lëvizje domethënëse të këtyre shteteve për ta njohur Kosovën, ndërkohë që ndërtimi i imazhit të Kosovës në botë bëhet përmes ndërtimit të imazhit të saj në Evropë. Në ndërtimin e këtij imazhi, siç thotë ai, politika e jashtme e Kosovës ka dështuar, e kushtëzuar pikërisht për shkak të sjelljeve të faktorëve kyç në skenën politike dhe institucionale në Kosovë.

“Unë mendoj që te rasti i Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh se si funksionon ai, rol të rëndësishëm ka i gjithë spektri politik në Kosovë. Arsyeja e parë është që Kosova nuk ka krijuar argumente të fuqishme për vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian që ato të përdorin argumentet në funksion të ushtrimit të një presioni mbi vendet që nuk e kanë njohur Kosovën."

"Për më tepër, ne nuk kemi parë ende asnjë lloj hapi politik nga ana e atyre që janë të thirrur që të bëjnë punë në këtë drejtim, që ta na ofrojnë një strategji konkrete se si do të arrijmë deri te njohjet nga këto 5 shtete”, thotë Mazreku.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Rel se përveç vullnetit deklarativ për të ecur me hapa serioz drejt përmirësimit të imazhit të Kosovës, si dhe vullnetit po ashtu deklarativ për marrjen e njohjeve më të shumta që do të hiqnin kontestimin juridik ndërkombëtar ndaj vendit, politika e jashtme e Kosovës ka pasur shumë pak suksese. Kjo për faktin që, sipas tij, klasa politike në Kosovë është më shumë e koncentruar në zhvillimet e brendshme dhe e kanë lënë nën hije lobimin ose përpjekjet për të përmirësuar imazhin e vendit.

Profesor Hoti thotë se edhe në të kaluarën ka pasur situata të ngjashme, madje edhe kundërthënëse.

“Kosova ka kaluar nëpër disa momente shumë të volitshme, ku ka pasur shans që të promovohet në mënyrë të jashtëzakonshme, siç ka qenë momenti i dhënies së opinionit juridik nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë. Fatkeqësisht, pas dhënies së këtij opinioni, ne jemi futur në krizë politike dhe e njëjta ka mbetur, nëse jo krejtësisht, atëherë shumë pak e shfrytëzuar."

"Mendoj se duhet të konsolidohemi në këtë drejtim dhe të bëjmë një strategji, jo sa për ta bërë dhe sa për ta vendosur në letër, por një strategji që do të ishte realiste, që do të përcaktonte në mënyrë të qartë se kah duhet të ec vendi dhe pastaj të fillojmë zbatimin e saj”, thotë Hoti.

Retorika e autoriteteve të Kosovës, e cila insiston në anëtarësimin e drejtpërdrejtë në Kombet e Bashkuara, sipas profesor Mazrekut, do të mbetet vetëm retorikë dhe asgjë më shumë, për faktin se Rusia dhe Kina, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mund ta bllokojnë çdo hap që mund të ketë Kosova në funksion të anëtarësimit në OKB. Ai thotë se Kosova mund t’i detyrojë ato ta ndërrojnë qëndrimin vetëm kur të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

“Kur Kosova të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, atëherë mund të jetë në pozitë që të përdorë mekanizmat e BE-së, për të ushtruar presion mbi këto shtete, sepse asnjë nga këto shtete nuk është në gjendje t’i sakrifikojë marrëdhëniet tregtare me BE-në. Dihet që shtetet e kanë fuqinë e të drejtës së vetos në organet ndërqeveritare të BE-së, për të bllokuar një marrëdhënie të caktuar, në fushën e politikës së jashtme, në qoftë se ajo politikë nuk është në funksion të interesave të atij shteti”, thotë Mazreku.

Por, sipas profesor Hotit, e gjithë përpjekja eventuale e politikës së jashtme të Kosovës për të arritur sukseset e dëshiruara në aspektin ndërkombëtar, do të jetë e kotë, me një imazh të degraduar të Kosovës.

“Madje, është degraduar në mënyrë shumë serioze. Informacionet, me të cilat komunikoj dhe flas në Bruksel, flasin për një zbehje të skajshme të imazhit të Kosovës. Por, jo vetëm në Bruksel, por edhe në botën mbarë, Kosova nuk e ka vëmendjen e duhur dhe është e domosdoshme që ta ndryshojmë diskursin”, thotë Hoti për rel.

Ai ka shtuar se karshi krejt zhvillimeve të jashtme që ndërlidhen me Kosovën, kjo e fundit aktualisht po përjeton një situatë kaotike brenda saj, e cila kërkon vëmendje dhe zgjidhje urgjente. 

(Kosova Sot)