Analistët: Thaçi po tenton ta kontrabandojë zv. kryeministër Ramiz Kelmendin

  • 27 September 2016 - 07:48
Analistët: Thaçi po tenton ta kontrabandojë zv. kryeministër Ramiz Kelmendin

KUNDËRSHTOHET ASHPËR TENTATIVA E PRESIDENTIT PËR TË FUTUR HUNDËT NË QEVERINË E KOALICIONIT

Kreu i shtetit shkel Kushtetutën me pazaret e pista në prapaskenë

"Hashimi, për ta shpëtuar lëkurën e vet, ka filluar t'i mbrojë fuqishëm edhe interesat e Serbisë në Kosovë. Përmes Ramiz Kelmendit, Thaçi mbron interesat e Serbisë në vendin tonë. Kjo mund të arrihet jo vetëm me Ramizin, të cilin e njohim të gjithë si materie serbe, por edhe veprimet e Thaçit në vazhdimësi tregojnë për një afërsi me politikat e Vuçiqit. Natyrisht, këtë mund ta bëjë me qëllimin e vetëm për ta shpëtuar lëkurën e tij të trashë nga korrupsioni për afër dy dekada të sundimit me popullin e përvuajtur të Kosovës", tha analisti Jeton Kelmendi për "Kosova Sot" 

Përpjekja e deputetit biznesmen Ramiz Kelmendi, që nëpërmes mbështetjes së fuqishme nga presidenti i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, të mbërrijë në pozitën e zv.kryeministrit të vendit, madje edhe atë brenda në LDK, duke mbrojtur kështu interesat oligarkike të mafisë politike, të importit nga Serbia, po shihet nga opozita dhe analistët politikë si një tregues ogurzi se si kreu i shtetit po punon për llogari të tjetërkujt dhe jo të qytetarëve të vendit. Afërsia e Kelmendit me kreun e shtetit pasqyrohet edhe në fotografinë e botuar nga biznesmeni, në të cilën shihet qartë se kush janë biznesmenët dhe politikanët më të afërt të Thaçit, duke veçuar super të preferuarin e monopoleve Shkëlqim Devollin, Ramiz Kelmendin, Besim Beqajn, Blerim Shalën, zv. shefin e BQK-së dhe të tjerë, shumica prej të cilëve ose janë ndihmuar financiarisht nga PDK-ja, ose kanë marrë monopole apo poste të larta qeveritare, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj gjykon se kjo lojë më së miri i shkon për shtat biznesmenit Ramiz Kelmendi, por që më pastaj gërshetohet edhe me interesat e oligarkëve të tjerë politikë e biznesorë si rrjet i organizuar. " Hyrja në një lojë të tillë varet nga vetë integriteti i deputetit dhe sinqeritetit të tij, ngase fillimisht lëvizja politike nga një subjekt politik tek tjetri nuk është sjellje e sinqertë dhe dihet që atë e bën vetëm për interesat individuale- vetjake, por jo për interes të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë frymë e shoh tani edhe lëvizjen dhe pozicionimin e z. Kelmendi", është shprehur Lekaj. 

Lojë e pistë e deputetit biznesmen 

Sipas deputetit të AAK-së, nëse ndodh avancimi në pozitën e zëvendëskryeministrit, atëherë ky mund të jetë edhe një pazar për ta blerë votën për demarkacionin dhe për t'i bërë presion nga ana e PDK-së dhe kryeministrit. "Sidoqoftë, kjo mendoj se është një lojë e pistë e këtij deputeti, të cilit nuk i ka hije një sjellje e tillë. ", tha shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj. Ai nuk e ka mohuar faktin që kjo mund të jetë edhe lojë e PDK-së për ta kontrolluar më mirë rrjetin biznesor dhe vetë kryeministrin Mustafa, pasi llogaritet që Kelmendi është njohës i mirë i fushës ekonomike, ndonëse do të jetë një fund i turpshëm i vetë Kelmendit në politikë. Publikimi i fotos, ku Kelmendi shihet në shoqëri të Hashim Thaçit dhe njerëzve që e rrethojnë, përfshirë edhe Devollit, ai e cilëson si lidhje të ngushtë të interesave biznesore oligarkike që ka ky grup i lidhur ngushtë me politikën. Ndërsa, deputeti Enver Hoti, nga Nisma për Kosovën, ka thënë se këtë pazar politik duhet ta kundërshtojnë edhe qytetarët, ngase njerëzit që kanë krijuar biznese të tilla të dyshimta, sikur Kelmendi me Devollët, janë ata që mund të bëjnë edhe punë të liga në interes të vendit. "Unë mendoj që kjo është vetëm një përditshmëri e përpjekjes së ruajtjes së klaneve të veta, dhe interesave që janë edhe burim i keqmenaxhimit të parasë publike dhe i gjithëçkafit që ka të bëjë me menaxhimin kundër interesave të këtij vendi, këta janë të gatshëm të shkojnë së bashku dhe t'i ruajnë pafundësisht ato interesa, pa asnjë dyshim në forma të ndryshme, duke i gërshetuar edhe njerëzit, por edhe interesat", tha Enver Hoti për "Kosova Sot".

Tregtari në vrap pas pushtetit

Rexhep Selimi, deputet nga Lëvizja "VETËVENDOSJE!", thotë se ku projekt është një plan i pistë i logjikës së një tregtari, i cili është gati të tregtojë gjithçka për interesin e tij, edhe në dëm të shtetit. "Ne e kemi ditur që Kelmendi është tregtar. Por, ndoshta ai me syrin e tregtarit çdo gjë e sheh si mall që shitet dhe që blihet, edhe emrin e tij. Por, kësaj radhe ai ndoshta po mendon që po bën tregti me emrin e tij, por kjo më shumë është kontrabandë sesa tregti', tha Rexhep Selimi për "Kosova Sot". Eksperti i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se ky plan i Thaçit dhe i grupit të tij flet më së miri për një diskutim që me kohë ka filluar brenda koalicionit për rirreshtimin e pozitave të reja dhe të interesave grupore e klanore. " Në këtë kontekst duhet të shikohet edhe figura e Ramiz Kelmendit, i cili për shkak të pozitave të tilla dhe luajtjes së rolit që ka, ka lëvizur prej një partie në një tjetër, por vetëm duke shikuar se cila parti politike është më e fortë në pushtet. Ai ishte anëtar i AAK-së, por kur AAK-ja e humbi pushtetin kaloi në PDK, kurse nëpërmes të PDK-së është përpjekur që të krijojë aso pozite që të vijë edhe në pushtet, në mënyrë që duke dalë në fund si deputet i pavarur, të lë të kuptohet se më nuk është as anëtar i PDK-së", ka theksuar ai. "Ai tani po pretendon që me lëvizjet e tilla të ngrihet në zëvendëskryeministër të Isa Mustafës, që është thjesht një lojë e mençme e lidhur mes politikës dhe ekonomisë së oligarkëve me qëllim të ruajtjes së kontrollit dhe krijimit të lidhjeve të forta të njërës dhe palës tjetër. Me këtë duhet të shohim një përpjekje të ashpër të oligarkëve të ndryshëm që janë në pushtet, në kuptimin politik, dhe të oligarkëve të ndryshëm, në fushën ekonomike, që ta dërgojnë këtë njeri në atë pozitë për të pasur një lidhje të fortë të kontrollit të politikës mbi ekonominë", u shpreh Kelmendi.

Mafia po e dirigjon Kosovën

Sipas analistit, Jeton Kelmendit, doktor i politikave të sigurisë, një projekt i tillë i lëvizjes kontrabandë të deputetit Kelmendi, deri në piramidën qeveritare, është treguesi më i madh i fatit të zi për Kosovën, që dëshmon fuqishëm se mafia e madhe është në udhëheqje të këtij vendi, tash e sa vite pas luftës së fundit. Ai thotë së tani Hashim Thaçi është nisur në një mision të ri, që përmes LDK-së t'i fusë agjentët e vet jo vetëm nëpër parti politike, por edhe në të gjitha institucionet kyçe të shtetit. "Kreu i shtetit Hashim Thaçi, taktikën e futjes së agjentëve të vet në parti rivale e ka përdorur në pothuajse të gjitha partitë e tjera, dhe këtë e dëshmon më së miri fakti se gati të gjithë kryeministrat e Kosovës së pasluftës janë të PDKsë. Unë mendoj se edhe Isa Mustafa i tashmi është vetëm një figurë, pion i Akademisë së PDK-së, pra i SHIK-ut. Me një fjalë, Thaçi këtë e ka specialitet. Por, tani, meqenëse lëkura e tij po kërcënohet nga Gjykata Speciale, ky njeri i papërgjegjshëm është duke luajtur lojëra të djallëzuara", tha ai. "Tani Hashimi, për ta shpëtuar lëkurën e vet, ka filluar t'i mbrojë fuqishëm edhe interesat e Serbisë në Kosovë. Përmes Ramiz Kelmendit, Thaçi mbron interesat e Serbisë në vendin tonë. Kjo mund të arrihet jo vetëm me Ramizin, të cilin e njohim të gjithë si materie serbe, por edhe veprimet e Thaçit në vazhdimësi tregojnë për një afërsi me politikat e Vuçiqit. Natyrisht, këtë mund ta bëjë me qëllimin e vetëm për ta shpëtuar lëkurën e tij të trashë nga korrupsioni për afër dy dekada të sundimit me popullin e përvuajtur të Kosovës", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot". Ai beson se Serbia mund ta pranojë këtë lojë dhe ta shtyjë arrestimin e tij për një kohë, por jo edhe ta shpëtojë përfundimisht atë . Ai beson që sa i përket zgjedhjes së Ramiz Kelmendit për zv. tani në PDK, rol kryesor ka edhe Kadri Veseli dhe nuk mundet Hashim Thaçi ta fusë Kelmendin në Qeveri pa pajtimin paraprak të Isa Mustafës. "Prandaj, ka zgjedhur partinë e tij satelite që përmes satelitit të tij Mustafa aty ta fusë Ramizin dhe oligarkët e tjerë që shumë prej tyre tanimë i ka instaluar në LDK", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot". 

Luftë e paskrupullt biznesore

Analisti politik Arsim Haziri, nga ana e tij, e sheh këtë zhvillim të kontrabandës politike, të lidhur me klanet e oligarkisë së bizneseve të kontrolluara krejtësisht nga politika, si një lëvizje kriminale për të krijuar hartën e kontrollimit të çdo frymëmarrjeje në jetën biznesore të vendit, por që shkon përtej kësaj, edhe ruajtjen e lidhjeve me ekonominë e Serbisë dhe monopolizimin e tejskajshëm të bërjes biznes në vend. "Ky zhvillimi i tanishëm, që po lëviz në skenën politike të vendit, synimi i gradimit të deputetit biznesmen Ramiz Kelmendit në pozitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës nëpërmes të LDK-së, mendoj se është tendenca për ruajtjen dhe fuqizimin e ndërlidhjes së tij me biznesmenë të fuqishëm, dhe me pretendimin e Hashim Thaçit dhe të PDK-së për të pasur nën kontroll edhe më tutje pushtetin politik në vend. Tani, afrimi i Kelmendit në postin qeveritar përbën mundësinë më të madhe për përfitimet klanore dhe bizneseve të oligarkëve, duke e ditur peshën ekonomike që posedon ky rrjet biznesor në funksion të klanit PRONTO", u shpreh ai. "Dihet mirëfilli që Ramiz Kelmendi dhe fuqia e tij ekonomike për oligarkun Thaçi mund të jetë si faktor primar edhe për mbështetjen e ardhshme elektorale. Andaj, konsideroj se instalimi i Kelmendit në pozitën e zv.kryeministrit tregon më së miri se ideja e dikurshme për zhvillimi dhe prosperitet të vendit, për ekonomi të tregut të lirë dhe pa monopole paska qenë qasje mashtruese", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot".

Kryetari i Degës së LDK-së kundërshton zgjedhjen zv.kryeministër të Kelmendit

Reagim negativ lidhur me këtë tendencën të avancimit të Kelmendit në pozitën e zëvendëskryeministrit, me pretekstin se është njohës i mirë- ekspert për zhvillim ekonomik, vjen edhe nga ish- kryetari i Degës së LDKs në Prizren Haxhi Avdyli. Ai thotë se Kelmendi këtë kontribut mund ta japë edhe pa u ngritur në atë pozitë , por megjithatë vendimin final e sheh tek marrëveshja e koalicionit qeverisës, ndonëse deklarimi apolitik i Kelmendit vë në pikëpyetje se cilin interes do të përfaqësojë ai në pozitën e njeriut të dytë në Qeverinë e Kosovës. "Unë konsideroj se ne duhet ta respektojmë Ramiz Kelmendin si biznesmen, por unë nuk e di në këtë rast se kë në të vërtetë e përfaqëson ai po të shkojë në pozitën e zëvendëskryeministrit. Ai është ishanëtar i PDK-së dhe tani i deklaruar si i pavarur, kështu që unë mendoj se dhënia e pozitës së zëvendëskryeministrit deputetit Ramiz Kelmendit është gabim, kurse sa është ai kompetent për ta ushtruar atë pozitë, sa është njeri që mund të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të vendit, nga ajo pozitë, ai mund të kontribuojë me idetë e veta edhe sikur fare të mos jetë zëvendëskryeministër. "Mendoj që dhënia e kësaj pozite për Ramiz Kelmendin, që nuk përfaqëson tani asnjë subjekt politik në koalicion, për mua është e pakuptimtë", ka potencuar në fund ai. 

(Kosova Sot)