Vonesat burokratike i lënë punëtorët dy muaj pa rroga

  • 27 September 2016 - 16:57
Vonesat burokratike i lënë punëtorët dy muaj pa rroga

Punonjësit e higjienës në spitalin e Gjakovës, në grevë

Spitali i ka siguruar mjetet për këtë qëllim

Për shkak të publikimit të vonuar të tenderit të ri për mirëmbajtjen e higjienës në spitalin rajonal të Gjakovës dhe ankesave të mëpastajshme të kompanive të pakënaqura, 54 punëtorë të këtij spitali tash e dy muaj kanë ngelur pa rroga, prandaj janë futur në grevë

Problemet sociale të qytetarëve të Gjakovës janë gjithnjë e më të theksuara. Kjo është mbase edhe e kuptueshme kur disa të dhëna thonë se madje 20 mijë veta në këtë komunë presin të punësohen, edhe pse shpresat i kanë fare të vogla, pasi procesi i punësimit këtu po shkon shumë  ngadalë që është e kuptueshme kur dihet ngecja shumë e theksuar në zhvillimin ekonomik. Të papunët, kuptohet, ballafaqohen me probleme të mëdha sa i përket sigurimit të ekzistencës, por nuk janë krejt pa halle në këtë drejtim edhe disa që punojnë, por që të ardhurat personale i kanë shumë të ulëta, saqë nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet më të domosdoshme të jetesës, shkruan sot gazeta Kosova Sot Online.

Punën e kanë kryer, kërkojnë pagesën

Mu për shkak të pagave të vogla, shumica e tyre, siç thotë populli, nuk mund të “lidhin” të parin me të tridhjetin e muajit! Dhe, kur të tillët ballafaqohen edhe me pagesën jo të rregullt të pagës, atëherë situata për ta vetëm sa ashpërsohet. Se është kështu, aktualisht janë duke u bindur edhe 54 punëtorët e spitalit rajonal “Isa Grezda”, të cilët punojnë në sektorin e mirëmbajtjes së higjienës në këtë institucion shëndetësor.“Tash e dy muaj nuk na janë paguar të ardhurat. Neve edhe kur të na paguajnë me rregull rrogat, për shkak se ato janë të vogla, e kemi shumë të vështirë të mbijetojmë tërë muajin, e lëre tash që nuk janë duke na paguar fare. Si të mbijetojmë, si t’i ushqejmë fëmijët që kemi në shtëpi, e të cilët presin nga ne që t’u dërgojmë ushqim?

Nga ta marrim na atë ushqim kur nuk po na paguajnë rrogën edhe pse punën e kemi bërë”, ankohej të hënën Mejremja, e cila së bashku me disa kolegë të tjerë të këtij sektori ishin tubuar në oborrin e spitalit, për të protestuar që nuk po ua paguajnë pagat. “Jo, jo, nuk jemi duke protestuar, por këtu jemi në grevë dhe nëse nuk na japin rrogat do të futemi edhe në grevë urie”, fliste me mjaft mllef Mejremja, mllef ky që vërehej qartë edhe tek punëtorët e tjerë të tubuar aty. Siç thanë punëtorët e pakënaqur, ata janë angazhuar nga një kompani private që të kryejnë këtë punë, prandaj presin që ajo kompani dhe t’i paguajë.

Drejtori i spitalit premton se pagat do t’u paguhen punëtorëve

Pozitën aspak të mirë të këtyre punëtorëve të pakënaqur e qartëson drejtori i spitalit në Gjakovë, Ahmet Asllani, i cili madje ka mirëkuptim të plotë për mllefin që e shprehin punëtorët. “E kuptoj plotësisht nervozizmin dhe mllefin e tyre, pasi të gjithë ata janë njerëz hallexhinj, njerëz që punojnë për një kafshatë goje dhe nga të ardhurat që ata realizojnë varen edhe familjarët e tyre. Megjithatë, duhet të qartësohet se ata nuk janë në marrëdhënie pune me spitalin. Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga viti 2009, mirëmbajtja e higjienës në spital, përmes tenderit, u jepet kompanive private. Pra, punëtorët e pakënaqur nuk kanë asgjë me spitalin, por, pavarësisht nga kjo na bashkë ndiejmë me ata”, ka thënë për gazetën dr. Asllani. Duke e shpjeguar pse ka ndodhur kjo situatë që punëtorëve që dy muaj të mos u paguhen pagat, drejtori i spitalit ka thënë se kompanisë që e ka fituar tenderin e fundit për këtë punë më 1 gusht i ka skaduar kontrata dhe ende nuk është caktuar se a do t’i vazhdohet asaj kompanie kontrata edhe për një afat të ri apo do të caktohet ndonjë kompani tjetër. “Tenderët e kësaj natyre janë centralizuar. Ata nuk shpallen nga spitali apo nga komuna, por shpallen në nivel qendror, gjë që, pos tjerash, bëhet dhe për të nivelizuar pagat e punëtorëve që merren me këtë punë. Edhe pse pak me vonesë, tenderi është shpallur, por pas ankesave të kompanive që nuk kanë fituar OSHP-ja ka vendosur që ai të përsëritet. Tërë kjo e ka sjellë këtë situatë që punëtorëve të mos u paguhet paga tash e dy muaj”, ka thënë Ahmet Asllani, duke shtuar se ai dhe stafi udhëheqës i spitalit në Gjakovë janë të kënaqur me punën që në këtë spital e kanë kryer punëtorët e higjienës. Mu për këtë arsye, dr. Asllani e ka një premtim shpresëdhënës për punëtorët e pakënaqur. “Punëtorëve nuk bën t’u hyhet në hak. Ata punën e kanë kryer dhe atë mjaft mirë, prandaj edhe duhet të paguhen. Për këtë arsye, ne si spital i kemi siguruar mjetet për këtë qëllim dhe tash jemi duke kërkuar formën se si atyre t’u paguhen pagat për dy muaj. A do të bëhet kjo në formë të kontratës mbi vepër apo në ndonjë formë tjetër është pak e rëndësishme”, ka premtuar drejtori i spitalit të Gjakovës, premtim ky që i ka gëzuar punëtorët që presin t’i marrin dy paga.

(Kosova Sot)