Grabitqarët e Qeverisë ia vënë syrin Trustit

  • 27 September 2016 - 07:37
Grabitqarët e Qeverisë ia vënë syrin Trustit

Kursimet pensionale, në rrezik nga ndryshimet ligjore

Të gjendur përballë presionit të madh të drejtuesve të Shoqatave të luftës së UÇK-së që duan pagesat dhe për shkak të numrit të madh të listës së veteranëve të luftës, që janë mbi 60 mijë sish, por edhe nga presioni i madh që po ia bëjnë Qeverisë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi fondet e dedikuara për ish-luftëtarët e gueriles shqiptare të UÇK-së, nuk janë të mjaftueshme, Qeveria e Isa Mustafës duket se nuk do t'i kursejë as paratë e Trustit Penisonal të Kosovës për të mbuluar "vrimat buxhetore". Siç dihet, kryesisht në tregjet jashtë vendit, në banka, janë të deponuara më shumë se 1 miliard e 600 milionë euro para, kursime pensionale të qytetarëve tanë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Financave dhe Trustit Pensional të Kosovës, se çfarë ndryshimesh pritet që të bëhen në këtë ligj, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Ndërkaq, sipas njohësve të kësaj fushe, ndryshimi i ligjit në formën dhe qëllimin që do t'i mundësonte Qeverisë 'Mustafa' që t'i fuste duart edhe në shfrytëzimin e parave të Trustit Pensional do të shkaktojë probleme të mëdha në një të ardhme të afërt. Ndërkaq, vlerësimi i njohësve të kësaj fushe është se Qeveria e Isa Mustafës po ua mësyn parave të Trustit Pensional me të vetmin qëllim, për të mbushur "vrimat e buxhetit" .

Trusti të depolitizohet

Analistët sugjerojnë se ndryshimet duhet që të bëhen në drejtim të pavarësimit të plotë të Trustit nga çdo lloj ndikimi apo interferimi politik, si dhe të hiqen kufizimet ekzistuese që mjetet e Trustit të investohen edhe në Kosovë. Lidhur me çështjen, bankieri Milazim Abazi tha se Qeveria 'Mustafa' nuk guxon që të propozojë aso ndryshimesh në Ligjin për Trustin Pensional, që do t'i mundë- sonte asaj përdorimin e mjeteve të Trustit për nevoja buxhetore. Sipas Abazit, ndryshimet duhet që të bëhen në drejtim të pavarësimit të plotë të Trustit nga çdo lloj ndikimi apo interferimi politik, si dhe të hiqen kufizimet ekzistuese që mjetet e Trustit të investohen edhe në Kosovë. "Trustit Pensional duhet t'i mundësohet që të blejnë aksione të ndërmarrjeve strategjike në Kosovë, siç janë: PTK-ja, Termoelektranat, Kombinati, "Trepça", Hekurudhat e Kosovës, pra në ato projekte strategjike që garantojnë kthim të lartë në investime.

Tregu vendor, i diskriminuar

Ndërsa, ish-anëtari i Bordit të BQK-së dhe eksperti i fushës së ekonomisë dhe financave, dr. Mejdi Bektashi, profesor universitar, tha për gazetën " Kosova Sot" se ndryshimet në Ligjin aktual të Trustit Pensional janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme. Por, ai sqaron se me Kushtetutën e vendit nuk është e paraparë se si dhe ku duhet dhe lejohet që të investohen këto para. "Por, nga njohuritë që kam, mendoj se ka qenë tepër jofavorizuese për tregun vendor që shumica e atyre mjeteve, 90 për qind, të jenë të deponuara nëpër bankat jashtë vendit". Bektashi është i mendimit se sikur këto mjete të ishin të deponuara në ndonjërën nga bankat vendore dhe ato po të hynin në qarkullim në tregun vendor siguria e tyre do të ishte dukshëm më e madhe sesa që është në bankat jashtë vendit. Edhe ai është pajtuar me vlerësimet e ekspertëve dhe deputetëve të opozitës se është e patolerueshme që të bëhen ndryshime të ligjit në fjalë, që do t'i mundësonte Qeverisë që t'i fuste duart edhe në paratë e Trustit Pensional, pasi që po të lejohen këto ndryshime të tilla ato do të shkaktonin probleme të mëdha."Mjetet e Trustit Pensional në asnjë mënyrë nuk guxojnë që të përdoren nga secila qeveri e vendit qoftë, me synimet për të mbuluar deficitin buxhetor", është shprehur Bektashi.

Kursimet, pronë e qytetarëve

Analisti i financave, i shkolluar në Angli, eksperti Xhevat Meha, për gazetën"Kosova sot" tha se fjala "trust" në shqip është besim. "Paratë e Trustit janë para të qytetarëve të Kosovës, që ua kanë dhënë në besim Trustit Pensional të Kosovës për t'i menaxhuar". Sipas Mehës, Qeveria nuk mundet t'i marrë paratë e huaja për nevoja të veta, sepse nuk është sistemi i socializmit tani, se jemi në ekonominë e tregut. Ai sqaroi se ekonomia e tregut është e përcaktuar me Kushtetutë, si baza e rregullimit shoqëror. Ekonomia e tregut në rend të parë garanton të drejtën e pronës. Sipas Mehës, paratë e Trustit janë pronë e qytetarëve tanë, ku qytetarët kanë të drejta ekskluzive. "Miratimi i ligjit që proklamon Qeveria 'Mustafa' bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës", theksoi ai. Ligjëruesi i disa kolegjeve, Nehat Maxhuni, tha për "Kosova Sot" se ndryshimi i ligjit ku do t'i lejohej Qeverisë 'Mustafa' që t'i fuste duart edhe në paratë e Trustit Pensial do të shkaktojë probleme, të cilat do të jenë dhe do të vërehen më vonë pas 4-5 viteve. "Përderisa Trusti Pensional i ka në dispozicion 1miliard e 600 milionë pasojat nuk vërehen menjëherë". Maxhuni thotë se qeveritarët tanë do t'i shpenzojnë nga pak këto para, duke bërë pagesa të panevojshme, pagesa siç janë listat e fryra të veteranëve etj., dhe në fund Trusti Pensional do ta ketë problemin se si t'i paguajë pensionet e pensionistëve të Kosovës. Ndërsa, përfaqë- suesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, tha për " Kosova Sot" se Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të kenë kujdes për Fondin Pensional, mos ta përdorin për të zhdëmtuar kërkesën e palës paditëse as të mbulimit të dubiozave që do të shfaqeshin me rastin e zhdëmtimit të kërkesës së palës paditëse apo edhe për veteranët e luftës.

(Kosova Sot)