Meta: Reforma në drejtësi, kryefjalë e gjithë procesit transformues të vendit

  • 27 September 2016 - 17:30
 Meta: Reforma në drejtësi, kryefjalë e gjithë procesit transformues të vendit

Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të Edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut organizoi të martën shfaqjen e filmit dokumentar holandez “Një histori Përndjekëse”, në sallën e seancave plenare.

Në përshëndetjen e tij, kryeparlamentari Ilir Meta duke iu referuar subjektit të filmit, tha se shpreson që reforma në drejtësi të ketë një zbatim sa më të suksesshëm.

“Reforma në drejtësi është një kryefjalë e gjithë procesit transformues të vendit, me qëllim edhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ndryshe nga ato shfaqjet e së enjtes (seancat plenare), shpresoj sot të kemi një film domethënës”, tha Meta.

“Nuk e di, - vijoi ai, - se kush është subjekti i detajuar i filmit, por thelbi është që një i ri nga Sudani i Jugut që ka studiuar në Britani, kthehet në vendin e tij me dëshira dhe ëndrrat për të zbatuar ato çfarë ai ka mësuar në një universitet britanik, me qëllim për të vendosur drejtësinë në një vend, ku drejtësia mungonte prej shumë kohësh, dhe përplaset me një realitet të vështirë.

Shpresoj të jetë më e lehtë për të gjithë ata shqiptarë që kanë studiuar gjatë këtyre 26 viteve në Britani, në SHBA, Europë e kudo për drejtësi apo dhe për fusha të tjera, që për të realizuar ato ëndrra që ata kanë, falë edhe një kulture të lartë që kanë përfituar në ato vende, që edhe kjo reformë për të cilën vazhdojmë të diskutojmë, të ketë një zbatim sa më të suksesshëm”, nënvizoi kryetari Meta në përshëndetjen me rastin e hapjes së festivalit.

Ndwrsa drejtori ekzekutiv i Festivalit, Kujtim Çashku, vlerësoi bashkëpunimin e kryetarit të Kuvendit duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë që arti të integrohet më shumë në politikë. “Arti dhe kultura të jep më shumë mundësi reflektimi se sa politika e kufizuar. Kjo e zgjeron hapësirën e mendimit, krijon një kulturë tjetër që neve na mungon në parlamentin shqiptar”, u shpreh Çashku.

(Kosova Sot)