Porta që lidh Karadakun dhe Kumanovën mbetet e mbyllur

  • 27 September 2016 - 18:47
Porta që lidh Karadakun dhe Kumanovën mbetet e mbyllur

Kosova e ka kryer pjesën e saj të punës prej dhjetë vjetësh, ndërkaq pala maqedonase nuk po arrin t`i përfundojë rreth 20 kilometra rrugë as për një dekadë,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Ka një dekadë që banorët e brezit kufitar të komunës së Gjilanit janë duke pritur hapjen e vendkalimit kufitar në Stançiq. Pala kosovare e ka ndërtuar kaherë pjesën e saj të rrugës, e cila përshkon Zhegrën dhe fshatrat tjera të Grykës së Karadakut, për të përfunduar në kufi. Punët kanë ngecur në anën maqedonase, ku dhjeta kilometra rrugë nuk u rregulluan me vite të tëra. Qytetarët e të dyja anëve, që përgjithësisht janë shqiptarë po e presin me padurim finalizimin e këtij projekti, që ka mbështetje edhe të faktorit ndërkombëtar, ngase përbën një arterie jetike për zonën, si për qarkullimin e njerëzve, ashtu edhe të mallrave. Gjilani dhe Kumanova, përkatësisht Likovajanë, komuna fqinje, që të dyja me shumicë shqiptare. Gjithnjë këto dy qytete kanë pasur lidhje familjare, miqësore dhe kanë tregtuar mes vete, por që prejse u shpërbë Jugosllavia, këto dy qytete mbetën larg, më shumë se 100 kilometra, për shkak se mungon një vendkalim kufitar. Tashti kur të dy qeveritë janë zotuar se do ta hapin pikën kufitare, banorët e të dy anëve të kufirit duan që ky zotim të jetësohet sa më parë. Me hapjen e kësaj pike kufitare, Gjilanit i rikthehet statusi i qendrës më të madhe të Anamoravës dhe Kosovës Lindore. Vendkalimi në Stançiqi afron edhe më shumë këto dy vende, që shpirtërisht,  fizikisht dhe gjeografikisht janë shumë afër.

 Ëndrrat e banorëve të Stançiqit përfundojnë te gurët e kufirit 

“Rruga e Mbretit”, siç njihet ndryshe nga banorët, lidh këto dy shtete në distanca minimale. Sikur të ekzistonte një vendkalimi në Stançiq, nuk do të duheshin më tepër se 10-15 minuta për të mbërritur në Kumanovë, ndërsa tani duhet bërë mbi 100 km rrugë deri atje. Dihet se Gjilani e Kumanova kanë lidhje të shumta familjare e miqësore, andej e këndej kufirit. Banorët thonë se breza të tërë nga kjo anë e kanë përshkuar këmbë këtë rrugë, vite e vite, deri në Kumanovë, për t`u takuar me familjarë dhe të afërm, për të bërë pazare, ose qoftë edhe, siç thuhej asokohe, për të blerë një bukë furre. Atë e kanë shkelur ndër shekuj, fshatarë e mbretër, pushtues e paqeruajtës, luftëtarë, kalorës e kalimtarë të rastit. Ideja për asfaltimin e “Udhës së Mbretit” ishte përkrahur si prioritet nacional edhe nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tek i cili e kishin dorëzuar kërkesën banorët e Grykës së Karadakut. Ajo po vazhdon të mbetet një arterie e mbyllur në trupin shqiptar. Hapja e saj, do t`i bashkojë pas kaq shekujsh shqiptarët e Karadakut dhe të Kumanovës, të cilët me vite të tëra i ndanë pengesat e quajtura “gurët e kufirit”. Kjo rrugë, që e ka nismën e saj në Gjilan dhe ecën nëpër një vijë strategjike, deri në Kumanovë, është e rëndësishme për Kosovën, sepse mundëson qarkullim më të shkurtër dhe më të lehtë me Maqedoninë si dhe hap mundësi zhvillimi ekonomik e turistik të kësaj zone, e cila në vitet e fundit është braktisur me të madhe. “Udha e Mretit” është një arterie më e lashtë se vetë mbreti Murati i Parë, nëpër të cilën me shekuj qarkulluan njerëzit dhe mallrat, duke qenë gjithnjë një korridor i rëndësishëm komunikues për shqiptarët e kësaj ane.

 Rrugë e luftës dhe e paqes

Banorët e Grykës së Karadakut janë të lumtur që një synim i kahershëm i shumë brezave të kësaj ane është shumë afër për t`u bërë realitet. Ata presin që kjo arterie e vjetër komunikimi me Kumanovën, do ta rikthej jetën në këtë zonë. Në të vërtetë, kjo rrugë ka një histori interesante. Banorët thonë se sa herë është menduar të ndërtohet “Rruga e Mbretit” gjithnjë kanë ndodhur konflikte dhe luftëra në këto treva. Por, ajo njihet edhe si “rrugë e paqes”, sepse pikërisht këndej kanë hyrë në Kosovë paqeruajtësit e NATO-s. Në këtë rajon, tani janë krijuar realitete të reja dhe qytetarët besojnë se ëndrra e tyre e vjetër do të bëhet realitet. Sali Hasani, një banor i kësaj ane, thotë se Gjilani dhe Kumanova, si qytete ndërkufitare, kanë shumëçka të përbashkët.“Bashkëvendësit e mi e kanë ecur këmbë rrugën deri në Kumanovë, sa e sa herë, për të shkuar në Sllupçan, Vaksincë, Lipkovë, Opajë dhe fshatra e tjera, me të cilat kemi lidhje miqësie e farefisnore”, thotë Hasani. Ai rikujton se dikur shumë familje të fshatrave të Karadakut, Shurdhan, Stançiq, Zhegër dhe të tjera, ishin shpërngulur andej nga rrethinat e Kumanovës, ku jetojnë edhe sot. Ka fshatra që janë menjëherë matanë kufirit, ku njerëzit do të shkonim me qejf te njëri-tjetri edhe një ndejë pasdarke, ose për një cigare duhan, siç thuhet, sa për t`u parë mes vete, por tani për tani ky konsiderohet kalim ilegal i kufirit dhe është i dënueshëm me ligj.

(Kosova Sot)