Harrohen mjeshtrit e gërshërëv

  • 27 September 2016 - 19:04
Harrohen mjeshtrit e gërshërëv

"Ka mbetur vetëm mbiemri Makazxhiu, si shenjë e kësaj zeje', tregon Randobrava.

"Dikush mund të vijë në Prizren për t'i parë ato që nuk i sheh tjetërkund, e ato janë prodhimet e punëdores që tashme po kërkohen shumë nga turistët", thotë Elezi. raporton Gazeta Kosova Sot

Prizreni, përveç të tjerash, shquhet edhe qytet i zjeve të ndryshme. Por, me zhvillimin e teknologjisë shumë prej këtyre zejeve ose janë zhdukur, ose janë në zhdukje e sipër. Zejtarë të ndryshëm ishin pjesë të një "industrie" të tërë, derisa të nxirreshin produktet finale. Por, tani që mallrat vijnë të gatshme, madje edhe nga vende tejoqeanike, më nuk ka nevojë për mjeshtrit e dikurshëm. Një fat të tillë e patën edhe gërshërëtarët, të cilët punonin me prerjen e gëzofëve. Sami Disa, kryetar i Shoqatës së Afaristëve dhe Zejtarëve në Prizren, shprehet se shoqata ka shprehur gatishmërinë që të përkrahë iniciativën që të ruhen disa prej zejeve të vjetra, të cilat do të ishin në shërbim të qytetarëve të Prizrenit. Por, edhe ai është i vetëdijshëm se disa prej zejeve nuk do të kthehen më asnjëherë, sepse "koha e ka bërë të veten". Kështu shumë prej zejeve të vjetra bashkë me veglat e tyre do të mbeten vetëm muze. Edhe Reshat Kushaj, zyrtar i lartë i Arsimit në Prizren, ka uruar këto iniciativa, por edhe ai shpreh shqetësimin se tani po rrezikohen këto zeje. Sipas tij, edhe ekspozitat apo panairet e ndryshme domosdo se ndihmojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e zejeve të rralla të kësaj ane dhe të këtij qyteti. "Zeja e mbathtarëve dikur në Prizren ka qenë një zeje shumë e përhapur, Prizreni dikur ka pasur mbi 100 mbathtarë, kurse deri para pak vitesh në Prizren kishte tre mbathtarë. I fundi mbathtar në Prizren ishte Ali Nallbani. Prandaj shumë familje në Prizren në bazë të kësaj zeje kanë marrë mbiemrin Nallbani", tregon Kushaj. Sipas tij, edhe zeja e gërshërtarëve ka qenë mjaft e përhapur, por që është shuar me kalimin e kohës. "Gërshërëtarët kanë përdorur vegla dore dhe makina me sjellje dorë-mëbmë", thotë Kushaj. 

U kthyen nga Turqia për ta vazhduar traditën Sylejman Randobrava tregon se një nga zejtarët më të vjetër që njihet me emër është Sylejman Makazxhiu 1794-1874, i cili kishte trashëguar zejen nga të parët e familjes, derisa zejen e vazhdoi i biri Ismaili 1855- 1941, i cili u shpërngul për një kohë në Turqi, por midis dy luftërave botërore e vazhdoi zejen sërish në vendlindje, duke i mësuar edhe bijtë e tij Myfidin dhe Sylejmanin. "Pas vdekjes së Sylejmanit të fundit në këtë familje u shua edhe kjo zeje", thotë Randobrava. Sipas tij, krijuesi më i mirë dhe pikant në këtë zeje konsiderohej Ekrem Makazxhiu, i cili në dyqanin e trashëguar nga stërgjyshërit tij në lagjen e kunjxhive e ushtroi zejen që nga viti 1775. Zejen ia mësoi i djalit Abdylkadërit, kurse ky ua kaloi zejen dy djemve Ismetit, i cili u shpërngul në Turqi si dhe Ekremit 1926-1986. Ky i fundit e vazhdoi punën në shtëpi, duke ua mësuar zejen djemve. Kjo familje më herët prodhonte edhe gishtëza metali për nevojat e qepjes me dorë. Në mesin e gërshërëtarëve të çarshisë së kunjgjijve, zejen në dyqan e ushtronte usta Azizi, i cili e mësoi Ismail Makazxhinë, gjegjësisht Ismail Maksutin, i cili u shpërngul në Shqipëri në periudhën midis dy luftërave botërore. "Tani në Prizren kjo zeje është zhdukur tërësisht. Ka mbetur vetëm mbiemri Makazxhiu, si shenjë e kësaj zeje', tregon Randobrava.

Zejet, si shans për turizmin e qytetit Edhe profesori Mejdi Elezi shprehet se shumë prej zejeve të vjetra janë duke u zhdukur, kurse ky fat i keq e ka gjetur tashmë zejen e gërshërtarëve. "Dikush mund të vijë në Prizren për t'i parë ato që nuk i sheh tjetërkund e ato janë prodhimet e punëdores që tashme po kërkohen shumë nga turistët", thotë Elezi, duke shtuar se disa nga zejet mund të funksionalizohen, nëse jo për qëllimin e tyre primar, por vetëm për aspektin e turizmit. Sipas tij, dikur kishte shumë gërshërëtarë, sepse ishte nevoja e madhe për to.

(Kosova Sot)