Shkoi për t’i kontrolluar sytë, e kuptoi që kishte tumor në tru

  • 27 September 2016 - 19:35
Shkoi për t’i kontrolluar sytë, e kuptoi që kishte tumor në tru

“Unë kam menduar se dhimbjet e kokës ishin si pasojë e kohës së madhe që im bir e kalonte duke luajtur lojëra kompjuterike”, theksoi Salkeld,transmeton Gazeta Kosova Sot.

Një adoleshent e ka zbuluar se vuante nga një tumor i rrezikshëm në tru, pasi që kishte shkuar për një test të zakonshëm të syve. Callum Salkeld, 15-vjeçar, nga Uajtlli Bej i Anglisë, ka vuajtur nga dhimbjet e kokës për disa muaj. Si rrjedhojë, prindërit e tij të brengosur - Alison, 35 dhe Chris 37-vjeçar – e kishin dërguar tek mjeku i përgjithshëm, i cili ua kishte propozuar që ta dërgonin të birin për një test të syve. Më të shkuar për kontroll atyre u ishte thënë që Callum kishte një ënjtje në pjesën e pasme të syrit, andaj ishte referuar për në spital. Disa javë më vonë ai ishte diagnostikuar me një tumor 2 centimetra të madh dhe një cist që po i bënte presion në tru. Zonja Salkeld ka thënë: “Oftamologu ia ka shpëtuar jetën, pasi që unë kam menduar se dhimbjet e kokës ishin si pasojë e kohës së madhe që im bir e kalonte duke luajtur lojëra kompjuterike”.

 Një cist i bënte presion në nervin optik

Djaloshi kishte filluar të përjetonte kokëdhimbje në shtator të vitit të kaluar, pak kohë pasi që ishte rikthyer në shkollë, mirëpo nëna e tij e kishte injoruar në njëfarë mënyre, duke e qortuar për faktin që qëndronte shumë duke luajtur në ‘PlayStation’. Ajo nuk ishte shqetësuar asnjëherë për shikimin e tij, pasi që ishte e bindur që i biri shihte mirë, mirëpo, gjërat kishin filluar të dukeshin më serioze në muajin dhjetor, kur dhimbjet e kokës kishin filluar të bëheshin shumë më të ashpra. Madje Callum-i kishte filluar të sëmurej më shpesh dhe Krishtlindjet e vitit të kaluar i ka kaluar i sëmurë, duke mos qenë në gjendje që të luante me ‘Xbox’-in të cilin ia kishin blerë prindërit. Në janar të këtij vitit, Callum-i i është nënshtruar skanimit CT që ka treguar për një tumor të shkallës së ultë dhe një cist që po i bënte presion në nervin optik. Efekti i kombinuar i shkaktonte dhimbjet e tmerrshme të kokës që i kishte katërmbëdhjetëvjeçari.

 “Nuk kam dashur ta shqetësoj djalin”

Pas testeve shtesë, Callum-i ishte dërguar në sallën e operacionit, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes për heqjen e tumorit dhe cistit, ndërhyrje kjo që kishte zgjatur gjashtë orë. Ai ishte shëruar shpejt nga operacioni dhe ka dalë nga spitali disa javë më vonë. “Kam qenë e lumtur që ata kanë gjetur diçka. Po shqetësohesha çdo ditë e më shumë dhe ka qenë një lloj çlirimi kur ka dalë diagnoza. Ka qenë e frikshme mirëpo meqë isha në situatë të tillë, më është dashur të merrem me këtë gjë. Gjithçka ka ndodhur aq shpejt saqë nuk kam pasur kohë të mendoj. Nuk kam dashur ta shqetësoj djalin”, ka thënë nëna e tij. Callum ishte rikthyer në shkollë në mes të muajit shkurt, gjashtë javë pas operacionit, dhe menjëherë ka vazhduar të luaj futboll për ekipin e shkollës dhe një ekip lokal. Përveç shenjave në pjesën e pasme të kokës dhe në pjesën e qafës, ai është shëruar plotësisht. 

(Kosova Sot)