Basha:Shqipëria është kthyer në hambar droge

  • 27 September 2016 - 21:04
Basha:Shqipëria është kthyer në hambar droge

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha priti në një takim zëvendëndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështjet e sundimit të ligjit dhe trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, Aleksander Arvizu dhe ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu, me të cilët ka diskutuar për drogën, dekriminalizimin, korrupsionin dhe zgjedhjet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndau me bashkëbiseduesit shqetësimin për rritjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës me shtrirje në të gjithë territorin e vendit.

Sipas një komunikate të PD-së, Basha ka thënë se partnerët kanë bllokuar deri tani në kufijtë e tyre sasi rekord droge të ardhura nga Shqipëria por transporti i drogës po kryhet nga toka, ajri dhe detit, duke sjellë në vëmendje trafikun me skafe dhe me avion.

“Rasti i fundit, ku për t’i shërbyer trafikut të drogës ishte ndërtuar edhe një pistë ajrore, tregon se trafiku me avion është një mënyrë e preferuar nga trafikantët. Kjo shtrirje masive dhe në sasi e kultivimit të kanabisit, lehtësitë e kalimit të saj nga territori i Shqipërisë do të ishin të pamundura”, tha zoti Basha, pa bashkëpunimin dhe mbrojtjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve politik të saj.

Ai ka shtuar se rast flagrant është së fundmi dhe ndalimi me kokainë i vëllait të shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga, ndërsa ai vetë është nën akuzë për mbrojtjen e parcelave me hashash në Dibër.

Zgjedhjet në Dibër, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, janë shembull i impakti të drogës në zgjedhje. Rreziku që sjell me vete droga është kriminalizimi i shoqërisë, ekonomisë dhe politikës.Lideri i opozitës theksoi se kthimi i Shqipërisë në hambar droge është pasojë direkte e kriminalizimit të politikës dhe administratës.“Edi Rama promovoi në poste kyçe në administrate dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit i cili nuk po zbatohet.

Siç u pa dhe në zgjedhjet e Dibrës, këta persona po angazhohen në procese elektorale dhe po mbrohen nga kryeministri për t’i përdorur në zgjedhjet e 2017 duke sjellë disa shembuj si rasti i Elvis Roshit, Artur Bushit, Artur Bardhit të cilët vazhdojnë të mbajnë postin e kryebashkiakut në thyerje të dispozitave të ligjit të dekriminalizimit apo Armando Prengës dhe Arben Ndokës”, tha ai.Një tjetër shqetësim që Basha ndau me zyrtarët e lartë amerikanë ishte korrupsioni.

(Kosova Sot)