Pushtetarët sorollaten në korridoret e OKB-së

  • 27 September 2016 - 14:30
Pushtetarët sorollaten në korridoret e OKB-së

Vendimi i GJND-së nuk u administrua drejt nga qeveria kosovare

Politika e jashtme e Kosovës, e papërfillshme në botë

"Zyrtarët e Republikës së Kosovës çdo vit shkojnë dhe sorollaten në asamblenë vjetore të OKB-së dhe nuk arrijnë të bëjnë asnjë lëvizje pozitive për fuqizimin e sovranitetit, të cilën fuqi e ka dhënë edhe vetë GJND-ja me vendimin e saj", tha Islam Krasniqi

Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati befasuar për të mirë me vendimin shumë të favorshëm në gjykimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga deputetët e zgjedhur të popullit para gati 9 vjetësh, diplomacia kosovare, sipas njohësve të kësaj fushe, akoma po tregohet e pafuqishme dhe e paaftë që ta përdorë atë aktgjykim që të lobohet fuqishëm për anëtarësim të shpejtë të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, si në OKB, qoftë edhe në cilësinë e vëzhguesit. Çdo vit zyrtarët e shtetit të Kosovës shkojnë dhe sorollatën në asamblenë vjetore të OKB-së dhe nuk arrijnë të bëjnë asnjë lëvizje pozitive për fuqizimin e sovranitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku, tha për "Kosova Sot" se konfirmimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shtetësinë e Republikës së Kosovës në 2009 ishte me plot kuptimin e fjalës moment historik, i cili e "patentoi" legalitetin e pavarësisë së vendit tonë. "Ky moment historik e rast i shkëlqyeshëm për lobuesit e Kosovës, e sidomos nga Qeveria, nuk arriti të marrë hovin e duhur që të përdorej maksimalisht për t'i konfirmuar botës se shtetësia e Kosovës është brenda ligjit ndërkombëtar. Orvatjet e Serbisë karshi Kosovës, deri më tani, me automatizëm kanë qenë kundërshtuese, mohuese e deri në denigruese, pa përmendur këtu veprimet deri në shkallë gjenocidi që ajo i ka bërë kundër shqiptarëve e vendit tonë deri në vitin 1999", theksoi Maloku. Sipas tij, arsye kryesore e hijezimit të opinionit të GJND-së për legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte edhe çelja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të iniciuar nga Serbia dhe Bashkimi Evropian."Ky dialog e reduktoi mjaft shumë hovin e njohjeve", ka thënë më tej ai, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Diplomacia kosovare, inferiore

Po aq kritik dhe me vlerësim negativ është edhe analisti Islam Krasniqi. "Diplomacia kosovare po tregohet shumë inferiore ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, po tregohet shumë e dobët dhe e paaftë që të përdorë aktgjykimin e favorshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë, që shteti i Kosovës duke u bazuar dhe mbështetur në të që të anëtarësohemi më shpejt në mekanizmat ndërkombëtarë, edhe në OKB, qoftë edhe në cilësinë e vëzhguesit", theksoi ai. "Diplomacia e Republikës së Kosovës tërë kohën rri jashtë shtetit, e cila me mosditurin e saj ka krijuar hapësirë që çdo vendim, çdo sukses i Kosovës, të vjen përmes bisedimeve në Bruksel, pasi kjo klasë politike po harron së mbi 100 shtete na kanë njohur dhe është koha që të piqemi politikisht dhe të lobojmë më seriozisht për vendin tonë", ka theksuar ai. "Zyrtarët e Republikës së Kosovës çdo vit shkojnë dhe sorollaten në asamblenë vjetore të OKB-së dhe nuk arrijnë të bëjnë asnjë lëvizje pozitive për fuqizimin e sovranitetit, ndërkaq të cilën fuqi e ka dhënë edhe vetë GJND-ja me vendimin e saj", tha Islam Krasniqi. Për njohësin tjetër të kësaj fushe të politikës dhe diplomacisë kosovare, Ilir Fetahu, dështimi diplomatik i Kosovës që ta përdorim si medalje të artë në lobimin ndërkombëtar aktgjykimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës, është duke rënduar akoma më shumë edhe identifikimi i Kosovës në botë si shteti më i korruptuar në globin tokësor.

Thaçi, një ministër i Jashtëm i dështuar

Fetahu thotë së dështimi më i madh në këtë plan i adresohet vetë ish-kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, i cili për një vit të plotë ishte në pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm, kurse tanimë është në pozitën e presidentit të vendit. "Kosova edhe në kohën sa ishte ministër i jashtëm, Hashim Thaçi, kishte ngecje radikale në zhvillimin e politikës së jashtme, për fat të keq kishte vetëm një apo dy njohje, edhe ato paraprakisht të përgatitura, e që konsideroj se duhet të mbahet në mend si një debakël i madh jo vetëm për drejtuesin e diplomacisë kosovare, por edhe për vetë Kosovën si shtet i ri", u shpreh ai. "Është e vërtetë që Kosova e ka një trofe të madh, një medalje të artë që është vendimi i GJND-së se pavarësia e Kosovës është në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe unë mendoj që një eksplorim i mirë i këtij interpretimi tek shtetet që hezitojnë do të ishte një kalim i shpejtë i pengesë për ato vende dhe hapje e rrugës për depërtim më të shpejtë në organizmat ndërkombëtar, edhe në OKB", tha analisti Ilir Fetahu. Kjo sipas tij nuk do ta ketë efektin e duhur nëse nuk shoqërohet edhe me funksionimin e fuqishëm të shtetit ligjor. "Mirëpo, unë mendoj se krahas këtij veprimi ne duhet të jemi të sigurt që ky dështim nuk lidhet vetëm me rolin dhe funksionin e dështuar të kryesuesit të diplomacisë kosovare, ministrit të Jashtëm, por lidhet ngushtë edhe me mosfunksionimin e shtetit ligjor të Kosovës, si shtet i ri, i cili është bërë emblemë ndërkombëtare e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra, në këtë rast aduti më i fortë i lobimit të fuqishëm ndërkombëtar do të ishte funksionimi i fuqishëm i shtetit ligjor në një shtet të ri sikur që është Kosova, sepse imazhi sa më i mirë në arenën ndërkombëtare do të ishte një lobim i madh me emrin dhe identitetin e ri të shtetit të Kosovës", theksoi në fund Fetahu.  

(Kosova Sot)