Propaganda e drejtësisë sulmon të vegjlit, fal oligarkët

  • 27 September 2016 - 07:55
Propaganda e drejtësisë sulmon të vegjlit, fal oligarkët

PARA LIGJIT JO TË GJITHË JANË TË BARABARTË

Sipas analistëve, kjo po bëhet vetëm për të mbuluar rastet e tjera të rënda dhe të shumta të krimit dhe korrupsionit, të përmasave të mëdha, e që dosjet e tyre flenë nëpër sirtarë të gjykatave e prokurorive

Kush nuk ka lidhje të forta me pushtetin viktimizohet dhe shantazhohet

Me synimin e vetëm për ta arsyetuar mospunën e tyre dhe demaskimin e krimit që e bën 'jaka e bardhë' në Kosovë, pushtetarët aktualë në bashkëpunim me prokuroritë, të cilat i kanë nën "mbikëqyrje të heshtur", kohët e fundit janë vërejtur disa lëvizje në drejtim të ndjekjes dhe hetimit të disa zyrtarëve të lartë të nivelit komunal. Sipas njohësve të kësaj fushe, ato më tepër konsiderohen se janë asgjë më tepër se vetëm sajesa të rasteve të ndjekjes së pushtetarëve të vegjël, që gjoja është duke e bërë Prokuroria e Shtetit me dyshimin se është porosi e pushtetarëve të lartë për të treguar kësisoj po e "luftuakan me të madhe krimin dhe korrupsionin", por duke lënë të lirë e të paprekur oligarkët që janë ata, të cilët qëndrojnë dhe fshihen pas të gjitha të këqijave të mëdha që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se pa dyshim ka edhe sajime të tilla të rasteve nga Prokuroria, që bëhen me porosinë dhe ndikimin e pushtetarëve të inkriminuar për të mjegulluar esencialisht kësisoj, siç tha, ata me potencialet për krim të organizuar e korrupsion, si dhe formave tjera të keqpërdorimit të drejtësisë dhe ligjit. "Kjo vetëm për të mbuluar rastet e tjera të rënda dhe të shumta të krimit e korrupsionit të përmasave të mëdha, e që dosjet e tyre flenë nëpër sirtarë të gjykatave e prokurorive dhe pa pasur asnjëherë kurajën e etikës, në rend të parë profesionale, për t'i gjykuar apo për t'i vënë para drejtë- sisë, por pa cenuar asnjëherë akësecilin rast dhe as që e kanë ndërmend një gjë të tillë, ngase këta oligarkët janë kurba e krimit, që e kanë kapur shtetin dhe e kanë bërë këtë vend si mos më keq, sidomos duke pasur ndikim drejtpërdrejt në institucionet e drejtësisë dhe përgjithë- sisht të shtetit, madje duke humbur shpresën në këtë vend se në një të ardhme të afërt do të mund të rregullohet diçka për të mirë", ka vijuar më tej ai.

Shteti juridik jofunksional

Sipas Kelmendit, derisa të jenë në pushtet oligarkët e inkriminuar në shumë aspekte kriminale, e që janë bartës të krimit të organizuar e të shumëllojshëm, sikurse për këta, siç tha nuk funksionon ligji e as shteti juridik."Ka disa nga rastet kinse të hetimit apo ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria ndaj aktorëve të korrupsionit e të krimit të organizuar dhe që jemi dëshmitarë të kësaj, por kjo më shumë i ngjan një shou të pështirosur dhe sa për të shpërndarë mjegullën në opinion se kinse po bëhet diçka në luftimin e krimit dhe korrupsionit", theksoi ai Sipas tij, në realitet asnjëherë as që janë nxjerrë para drejtësisë dhe ndëshkimit të ligjit ndokush nga oligarkët e që janë patjetërsueshëm abuzuesit dhe keqpërdoruesit më të mëdhenj në këtë vend. "Për këtë as nuk mund të flitet përderisa do jenë në pushtet pikërisht të inkriminuarit e mëdhenj, të cilët që nga paslufta janë pasuruar deri në pafundësi në kurriz të popullit, duke shtrirë edhe rrjetin e inkriminimit gjithandej institucioneve të shtetit, prandaj ata edhe janë përgjegjës para drejtësisë dhe ligjit, ku kjo praktikë dhe dukuri do të merrte fund për ta vetëm atëherë kur të veprojë gjyqësia jonë e pavarur dhe pa të inkriminuarit e të pandikuarit nga politika dhe mafia e krimit, e përjashtimisht kjo do të mund të ndodhë vetëm atëherë kur këta pushtetarë s'do të jenë pjesë e qeverisjes", është shprehur Kelmendi.

Rastet e rënda ngecin

Avokati Tomë Gashi mendon se ka raste të tilla, e siç tha posaçërisht kohëve të fundit kur hetimet janë zhvilluar për shumë zyrtarë të nivelit komunal dhe që janë bërë publike, duke përmendur këtu edhe të tilla, siç tha p.sh në rastin e 39 të akuzuarve që janë në territorin e Gjilanit, ku është përfshirë edhe ishkryetari i Gjilanit dhe po ashtu kohë më parë është bërë publike edhe një aktakuzë kundër kryetarit të tanishëm të Gjilanit, Lufti Haziri. "Më pastaj janë edhe një mori akuzash që po bëhen publike dhe me këtë po dëshirohet të formohet tek opinioni ajo se po bëhet një luftë e ashpër kundër krimit të organizuar, por që në realitet kjo luftë nuk është aq e ashpër sa do të duhej të ishte për shkak se prokuroria për raste të profilit të lartë thuajse ato i ka lënë në gjysmëheshtje", ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën "Kosova Sot". Deputeti nga 'Nisma' për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se për vetë faktin se shumë raste, të cilat procedohen nga organet e drejtësisë dhe përfundojnë pa sukses, sipas tij të njëjta, me të drejtë lënë të dyshohet se në këtë drejtim ka edhe sajesa për çështje publike dhe për konsum publik të organeve të drejtësisë. "Së këndejmi nuk është vetëm një rast, por ka disa të tilla që hetimet me pompozitet kanë filluar derisa me heshtje kanë përfunduar që në njëfarë forme kjo edhe e vë në dilemë funksionimin normal dhe të drejtë të drejtësisë në raport me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kryesisht nga 'peshqit e mëdhenj', e që janë zyrtarët e lartë të institucioneve", ka theksuar deputeti Zafir Berisha për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)