Falimentojnë bizneset, qytetarët të zhgënjyer me kryetarin Ahmeti!

  • 28 September 2016 - 07:47
Falimentojnë bizneset, qytetarët të zhgënjyer me kryetarin Ahmeti!

Bizneseve u është dashur t'i mbyllin dyqanet dhe t'i largojnë të punësuarit!

Ndërtimi i platosë mbi "Kurriz", të lagjes "Dardania" në Prishtinë, i ka tejkaluar të gjitha afatet kohore të kryerjes së punëve, pasi më 8 qershor 2015, kompania "Rexha&Loni" dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e bulevardit mbi "Kurriz" në lagjen "Dardania" në vlerë prej 948 mijë e 825 euro. Punimet, pra, ishin paraparë të kryhen për 180 ditë pune, nga koha kur është lidhur kontrata, ndërsa deri më tani janë bërë rreth 455 ditë dhe projekti ende nuk ka përfunduar! Në anën tjetër, mbi këtë plato, që për disa vjet u ka sjellë telashe qytetarëve dhe tani kur edhe kanë filluar punimet është krijuar kaos për banorët, bizneset, por edhe kalimtarët e rastit. Bizneset ankohen për shkak të mospërfundimit të punimeve me kohë, sepse atyre u ka rënë puna duke rrezikuar kështu edhe punëtorët si dhe qarkullimin e bizneseve që u ka rënë deri në 95 për qind. Gjithashtu, edhe qytetarët dhe kalimtarët e rastit janë shprehur mjaft të mllefosur për këtë dështim. Ndërkohë, disa nga bizneset pranojnë se u është dashur t'i mbyllin edhe bizneset e tyre dhe të pësojnë humbje, shkruan gazeta Kosova Sot.

Bizneseve u bie puna

Edmond Rrahmani, banakier në kafeterinë "Melosi", mbi plato të "Kurrizit", theksoi për gazetën "Kosova Sot"se për disa muaj është dashur të mbyllin edhe lokalin."Ende pa filluar punimet këtu ka qenë edhe tarraca dhe ne kemi qenë 11 punë- torë, si pasojë e punës është dashur të zbresim numrin e punëtorëve dhe tani jemi pesë punëtorë. Me fillimin e punimeve na është rrezuar edhe tarraca dhe për shtatë muaj na është dashur të mbyllim lokalin. Tani, nga shkurti i këtij viti, e kemi hapur, por kot nuk kemi punë sikurse përpara , myshterinjtë po i shohim nëpër lokale të tjera. Po hezitojnë të vijnë këtu të pinë kafe në pluhur të platosë", ka theksuar ai. Për gjithë këtë dështim, Rrahmani ka akuzuar Komunën e Prishtinës, e cila nuk po e monitoron zvarritjen e punimeve në këtë pjesë. Sipas tij, asnjëherë nuk janë parë zyrtarë të Komunës duke monitoruar punimet. "As shefat, e as kryetari Shpend Ahmeti, asnjëherë nuk kanë qenë për t'u njoftuar për së afërmi me punimet. Të paktën ne jemi këtu dhe dikush nga ne do t'i kishte parë", është shprehur Rrahmani. Ky qytetar ka shprehur habinë e tij se si mund të kontraktohet një kompani ku në vend pune shihen shumë pak punëtorë duke kryer punë. "Shumë pak ka punëtorë, me këtë numër mendoj se nuk arrihet të kryhen punët", është shprehur Rrahmani...(Më gjërësisht mund të lexoni në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)