Raportet e ZAP-it përfundojnë në Prokurori

  • 28 September 2016 - 07:50
Raportet e ZAP-it përfundojnë në Prokurori

GJETJET E AUDITIMEVE, ME PLOT FAKTE PËR SHKELJE NË INSTITUCIONE

"ZAP-i i ka dërguar te ky prokuror disa informata për disa raste ku dyshohet se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të njëjtat i ka dërguar për veprime të mëtutjeshme në prokuroritë kompetente, ku tani janë duke u shqyrtuar nga prokurorët kompetentë", ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj

Kryeprokurori Lumezi ka caktuar një prokuror për analiza të raporteve

Që nga fillimi i funksionimit të ZAP-it, për auditimin e institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal, thuajse raportet e këtij institucioni asnjëherë nuk janë marrë parasysh dhe me seriozitet nga ana e organeve të drejtësisë, dhe shpeshherë ato raporte edhe janë injoruar nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjyqësori. Por, mbase tani e tutje nuk do të jetë kësisoj, ngase zyrtarët e Prokurorisë së Shtetit kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime konkrete duke caktuar edhe një prokuror, i cili enkas do të merret vetëm me hulumtimin dhe verifikimin e raporteve në fjalë. Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot", se Prokurori i Shtetit vepron dhe do të veprojë në të gjitha rastet ku ekziston dyshimi se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale, që është e inkriminuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, duke i trajtuar të gjitha ato raste në kuadër të kompetencave që ka, përfshirë, siç tha, edhe rastet e dala nga raportet e ZAP-it, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prokuroria inkurajon institucionet të bashkëpunojnë

"Lidhur me këtë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka caktuar një prokuror nga zyra e tij, person përgjegjës për t'i pranuar dhe për t'i analizuar të gjitha raportet nga ZAP-i, për të cilat ka dyshim se është kryer ndonjë vepër penale. ZAP-i i ka dërguar te ky prokuror disa informata për disa raste ku dyshohet se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të njëjtat i ka dërguar për veprime të mëtutjeshme në prokuroritë kompetente, ku tani janë duke u shqyrtuar nga prokurorët kompetentë", ka vijuar më tej ajo. Ndërkaq, sipas saj, për të biseduar lidhur me modalitetet e bashkëpunimit mes Prokurorit të Shtetit dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, më 4 korrik 2016 kishte pritur në takim auditorin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ku gjatë këtij takimi, siç tha, është biseduar për raportet e auditimit të pasqyrave financiare, të cilat kanë përfunduar dhe janë publikuar për të gjitha institucionet publike të Republikës së Kosovës. " Prokuroria i inkurajon të gjitha institucionet që kanë qenë subjekt i auditimit që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit, lidhur me rastet ku ka dyshime të arsyeshme se është kryer ndonjë vepër penale", ka potencuar zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë KozmaqiHajdaraj...(Më gjërësisht mund të lexoni në Gazetën Kosova Sot)

(Kosova Sot)