Heshtje e frikshme për padinë 390-milionëshe

  • 28 September 2016 - 07:35
Heshtje e frikshme për padinë 390-milionëshe

NGA KUSH PO FRIKËSOHET MINISTRI BLERAND STAVILECI TË FLASË SE KU QËNDRON BAZA E PADISË SË AXOS-IT

Kelmendi: "Askush nuk do të marrë asnjëherë asnjë përgjigje konkrete nga Blerand Stavileci për rastin e AXOS-it, sepse kemi të bëjmë me një organizim kriminal...''

"Qytetarët e Kosovës po i paguajnë shtrenjtë dallaveret dhe gabimet e Qeverisë nga e kaluara. Një mafi politike, e cila e ka 'qeverisur' Kosovën për shumë vjet, po i shkakton dëme të mëdha Kosovës edhe sot. Të gjitha këto nuk mund të kalojnë në heshtje dhe pa asnjë përgjegjësi. Kuvendi i Kosovës duhet të merret seriozisht me këtë çështje", tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, për "Kosova Sot''.


Në seancën e kaluar të Kuvendit, deputetja e pavarur, Margarita Kadriu, e ka ngritur çështjen shumë serioze të rrezikut të ndëshkimit të Kosovës me rreth 400 milionë euro nga arbitrazhi ndërkombëtar, pasi që kompania AXOS ka ngritur padinë, për shkak të tenderit të dështuar të privatizimit të PTK-së. Kadriu, përmes pyetjes parlamentare, adresuar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka kërkuar që ai të sqarojë për opinionin publik se a e ka analizuar se kush në Ministrinë që ai e udhëheq ka qenë përgjegjës për rrezikun e humbjes edhe të gati 400 milionë eurove të tatimpaguesve të Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë në punën e Qeverisë, ministrisë respektive. "Qytetarët e Kosovës, por edhe të zgjedhurit e popullit, deputetët, mbeten akoma pa përgjigje se çka tash, nëse Kosova e humb kontestin si në rastin e tenderit të pasaportave dhe detyrohet të paguajë edhe 390 milionë euro, një shumë sa një e katërta e buxhetit të shtetit. Ministri duhet të tregojë se kush është personi përgjegjës juridikisht për këtë dhe ku qëndron baza e padisë së AXOSit dhe kë e kanë angazhuar për mbrojtje, si dhe sa para e kanë kontraktuar...? ", ka thënë deputetja Kadriu, shkruan gazeta Kosova Sot.

Mirëpo, ministri Stavileci, sikur që nuk është përgjigjur në pyetjen e deputetes Kadriu, nuk është përgjigjur as në pyetjet e mëvonshme që gazeta "Kosova Sot" ia ka dërguar ministrisë përmes postës elektronike. Tani me të drejtë shtrohet pyetja pse kaq shumë po frikë- sohet ministri Stavileci të tregojë se çka po zihet prapa kuintave dhe a flet edhe kjo se me të vërtetë qytetarëve të Kosovës po u kanoset rreziku që afro 400 milionë euro përmes AXOS-it t`ua marrë mafio-politika e lidhur me biznesin në Kosovë?.

Alarm në Kuvend

Deputetë të partive politike në pozitë dhe opozitë, si dhe ekspertë të fushës së drejtësisë dhe ekonomisë, konsiderojnë se kjo përgjegjësi herët a vonë duhet të adresohet dhe humbja eventuale e milionave në këtë rast, por edhe në disa raste të tjera që pritet të ngrihen për skandale dhe konteste të ngjashme, duhet të adresohet me emër e mbiemër, duke mos përjashtuar as përgjegjësinë penale. "Unë nuk e di arsyen pse ministri Stavileci nuk dha një përgjigje lidhur me padinë e AXOS-it për dëmshpërblim në një shumë prej 390 milionë eurosh, por ai duhet të mundësojë transparencë të plotë lidhur me këtë proces gjyqësor, i cili mund t'i kushtojë buxhetit të Kosovës. Për një shumë kaq të madhe janë të patolerueshme heshtja dhe mungesa e transparencës. Qytetarët e Kosovës po i paguajnë shtrenjtë dallaveret dhe gabimet e Qeverisë nga e kaluara. Një mafi politike, e cila e ka 'qeverisur' Kosovën për shumë vjet, po i shkakton dëme të mëdha Kosovës edhe sot. Të gjitha këto nuk mund të kalojnë në heshtje dhe pa asnjë përgjegjësi. Kuvendi i Kosovës duhet të merret seriozisht me këtë çështje", tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, për "Kosova Sot". Gjykim të ngjashëm ka edhe deputeti Ismail Kurteshi nga lëvizja 'Vetëvendosje'. Ai nuk e fsheh aspak dyshimin që vetë politika qeveritare të jetë infiltruar qëllimisht në këtë aferë, me qëllim përfitimi. "Kushtëzimi i investitorëve, sidomos i atyre të huaj, që për të investuar duhet së pari një pjesë të aksioneve ta bartin në emër të pushtetarëve me ndikim. Kjo dukuri e përhapur gjatë viteve të pasluftës dhe detyrimi i shumë bizneseve vendore që një pjesë të fitimit t'ua japin të njëjtëve e ka dëmtuar Kosovën  shumë në të kaluarën", ka potencuar ai.

Marifetet e qeveritarëve bllokojnë zhvillimin

Sipas Kurteshit, ky ambient i papërshtatshëm për zhvillimin e vendit po e dëmton vendin edhe tani kjo frymë, nëse nuk ndryshon rrënjësisht, do ta pamundësojë zhvillimin ekonomik të vendit edhe në të ardhmen."Privatizimi në formën që është bërë në Kosovë është një faktor tjetër i ngecjes ekonomike të vendit, por në të njëjtën kohë edhe burim i madh i pasurimit të pushtetarëve dhe të afërmeve të tyre. Dhënia e tenderëve ose shitja e aseteve përmes tenderëve ndërkombëtarë mund t'i sjellin vendit humbje të dyfishta; së pari vendi humb për shkak të nënshkrimit të kontratave të dëmshme për vendin, së dyti vendi mund të humbë për shkak të mosrespektimit të kontratave që mund të sjellin humbje me pasoja të mëdha ekonomike", theksoi ai."E përbashkët e të gjitha këtyre marifeteve është mungesa e transparencës që vazhdimisht po krijon mjegull, nuk po dihet kush kë po e padit e kush po përfiton nga këto marifete të qeveritarëve. Por, dihet se humbësi në këtë rast është ekonomia e Kosovës dhe qytetarët e saj. Po ashtu dihet kush duhet të përgjigjet për humbjet që po i shkaktohen Kosovës, e në këtë mes nuk hyn vetëm ministri Stavileci", tha Ismail Kurteshi për "Kosova Sot". Sipas tij, është momenti kritik kur këtyre dallavereve duhet t'u mbyllet dera dhe të veprojë ligji. "Është koha e fundit që në Kosovë të fillojë të ndëshkohen përgjegjësit, përndryshe herët a vonë ky vend do të kolapsojë", potencoi ai.

Së shpejti në rend dite interpelanca e kryeministrit

Sipas deputetit Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, gjasat që ministri Stavileci t'i bishtnojë rrëfimit para deputetëve, e me këtë edhe para qytetarëve të vendit për këtë dhe skandalet e tjera është minimal, ngase pikërisht për rastin AXOS-it ligjvënësit kanë bërë kërkesë për një interpelancë të kryeministrit dhe ajo pritet të radhitet në rend dite në një nga seancat e radhës të muajit tetor. Deputeti Berisha tha se edhe ai në seancën e fundit të Kuvendit e ka ngritur si shqetësim serioz sjelljen e papërgjegjshme që po reflekton gjithandej nëpër institucionet e shtetit, duke mos anashkaluar as vetë kryetarin e Kuvendit. "Humbja e miliona eurove që ndodh si rezultat i papërgjegjësisë në institucione është njëri nga defektet e radhës që e dëmton edhe perspektivën, por edhe imazhin e vendit", u shpreh ai. Sipas tij, çështja e AXOS-it, si mega-skandal, është një çështje të cilën edhe si deputetë e kanë iniciuar, duke bërë kërkesë për një interpelancë për ministrin në Kuvend."Besoj që në seancën tjetër të radhës duhet të sqarohet kjo çështje. Nevoja është tepër e domosdoshme për sqarim të përgjegjësisë, sepse ne, përveç kësaj, kemi edhe dështimin e projektit tjetër shumë të madh, që është trumbetuar për disa muaj rresht nga Qeveria dhe partitë në pushtet, me rastin e 'Brezovicës', një projekt i dështuar, që ka mbetur nën hije dhe që do të pasojë menjëherë pas skandalit të pasaportave me firmë austriake, me AXOS-in, do të pasojnë skandale të tjera me firma serioze kur Kosova rrezikon që nga gjykatat ndërkombëtare, si rezultat i papërgjegjësisë së individëve të caktuar të humbë miliona euro. Mendoj se kjo praktikë jo që duhet vetëm të ndërpritet, por edhe personat që i sjellin institucionet e vendit në këto situata të pakëndshme duhet të shkojnë në përgjegjësi", ka theksuar Berisha.

Pushteti i lidhur me oligarkinë ekonomik

Përgjegjësia do të duhej adresuar nëse do të funksiononte shteti ligjor edhe sipas profesorit të së drejtës Muhamet Kelmendit, por duke u bazuar në përmasat, në të cilat politika kontrollon gjithë sistemin shtetëror, edhe drejtësinë, ai është shumë pesimist se diçka e tillë do të adresohet si duhet."Qeveria e Kosovës nuk jep fare përgjegjësi. Ajo nuk di se çka është përgjegjësia morale, politike, financiare dhe penale. Sikur të dihej me siguri se edhe çështja e veprimeve të qeveritarëve të Kosovës në fushën ekonomike është e qartë, duken se pas asaj politike del me tërë vrazhdësinë e vet kriminale, sepse këta njerëz janë të lidhur ngushtë me oligarkinë ekonomike, thënë qartë me kriminelët, të cilët jo vetëm politikën, por edhe ekonominë e kanë varfëruar tërë- sisht nga struktura kriminale politikoekonomike. Vjedhjet dhe keqpërdorimet në aspektin ekonomik po shihen në të gjitha fushat e jetës qeveritare dhe ekonomike. U pa se për një çështje shumë të vogël, çështja e pasaportave, ishin të përzier pothuajse një strukturë e gjerë e politikaneve, gjë që solli çrregullime në fushën e letrave të udhëtimit, me pasaporta, duke krijuar situata të rënda që çështja të shkojë edhe pranë gjykatave ndërkombëtare", tha ai. "Në fushën e tillë të problemit financiar në shumën prej 390 milionë eurove të krijuara me AXOSI-in është një vepër tjetër e qeveritarëve të Kosovës. Edhe këtu nuk pritet ndonjë sqarim as nga ministri dhe as nga Qeveria. Këta janë mësuar me vjedhje dhe plaçkitje të parasë publike dhe natyrisht se sikur në të kaluarën edhe tash nuk ka përgjegjësi", u shpreh Kelmendi.

Përgjegjësia të kërkohet nga kupola e krimit

Sipas Kelmendit, qeveritarët janë bërë milionerë dhe ata nuk dinë se çka është përgjegjësia politike, morale, financiare dhe ajo penale. "Me qindra vepra penale numërohen nga kompetentë për krim dhe askush nuk përgjigjet. Kemi prova të mjaftueshme për Thaçin, Mustafën, Veselin e të tjerët, po nuk ka përgjegjësi", tha prof. Kelmendi për "Kosova Sot". Ai thotë se kërkimi i përgjegjësisë nga Stavileci duhet të jetë hapi i fundit që do të duhej ndërmarrë, pasi të kenë dhënë llogari të parët. "Kemi kështu një bashkërendim midis politikës, Qeverisë dhe ekonomisë në fushën kriminale. Prandaj, nuk ka përgjigje në Kuvend. Askush s'do të marrë asnjëherë asnjë përgjigje konkrete nga Blerand Stavileci për rastin e AXOS-it në shumën konfliktuoze prej 390 milionë eurove, sepse kemi të bëjmë këtu me një organizim kriminal, me strukturë dhe udhëheqje të mirë dhe profesionale. Bosi i tyre është Hashim Thaçi. Dhe, të kërkojmë llogari në këtë anë është sikurse me shku në deti e mos me pas ku të notosh. Kur krimi qëndron te Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, ai mund të kërkohet kudo tjetër, por është e kotë, sepse koka e krimit janë këta vetë", është shprehur Kelmendi për "Kosova Sot"
 

(Kosova Sot)