AAK: Sigurimet shëndetësore, të pazbatueshme!

  • 28 September 2016 - 14:45
AAK: Sigurimet shëndetësore, të pazbatueshme!

Për AAK, sigurimet shëndetësore përbëjnë një prej elementeve kyçe të sistemit shëndetësor dhe çelës për zgjidhjen e shumë problemeve që e rëndojnë. Ato jo vetëm që rritin sasinë e përgjithshme të mjeteve financiare por edhe vendosin rregulla të operimit që rritin performancën dhe kualitetin në sistem, thuhet në komunikatën e AAk-së.

Kjo është komunikata e plotë:

Për AAK, sigurimet shëndetësore përbëjnë një prej elementeve kyçe të sistemit shëndetësor dhe çelës për zgjidhjen e shumë problemeve që e rëndojnë. Ato jo vetëm që rritin sasinë e përgjithshme të mjeteve financiare por edhe vendosin rregulla të operimit që rritin performancën dhe kualitetin në sistem.Të vendosura mbi baza të shëndosha, ato madje janë promotor i zhvillimit ekonomik të vendit. Fatkeqësisht, Ligji për sigurime shëndetësore i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në mandatin e kaluar dhe mënyra e implementimit të tij, nuk e ka këtë potencial. Përkundrazi, në vend se ta lirojë sistemin prej problemeve ai do ta rëndojë atë edhe më tepër. Madje e kanë vënë në pikëpyetje edhe vetë implementimin e tij.

Janë disa argumente në favor të këtij konsatimi, disa prej të cilave do ti shpjegojmë në vazhdim.

Shuma e mjeteve që do ti shtohen financimit të shëndetësisë nuk është e madhe. Aktualisht Kosova ndanë rreth 150 milionë euro për shëndetësi dhe me 30 deri 50 milionët që do t’i sjellë Fondi i sigurimeve publike, mund të ketë maksimalisht 200 milionë euro për shëndetësi. Kjo bënë rreth 100 euro për kokë banori, ndarje kjo që Kosovën vazhdon ta mbajë dukshëm prapa vendeve në rajon – Shqipërisë që ndanë rreth 200 euro, Maqedonisë që ndanë rreth 300 euro, Malit të Zi që ndanë 400 euro, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë që ndajnë rreth 500 euro dhe Kroacisë që ndanë gati 1000 euro për kokë banori në vit. Mos të përmendim vendet e Bashkimit Evropian që ndajnë prej 3000 deri 6000 euro për kokë banori në vit.

Dështimi për të siguruar mjete shtesë nga buxheti dhe burimet e tjera për të rritur ndarjen për kokë banori dhe, së fundi, zvogëlimi i buxhetit ekzistues, janë dëshmi se shëndetësia nuk është prioritet i Qeverisë Mustafa dhe se ajo nuk ka zgjidhje të veta për problemet e shëndetësisë.

Duke i dhënë të drejtën e ofrimit të sigurimeve shëndetësore të obligueshme vetëm Fondit të sigurimeve publike (neni 6, alinea 3), Ligji mbytë konkurencën në tregun e sigurimeve shëndetësore dhe humb shansin që fondet private të sigurimeve shëndetësore t’i shfrytëzojë për rritjen e cilësisë së  shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Përkundrazi, Ligji ka hapur rrugën për mbylljen e këtij sektori duke qenë se ka rrezervuar për fondet private vetëm sigurimin e “klientëve me rrezik të lartë” për çka asnjë fond nuk ka interes. Ndarja e të sigurimeve – i obligueshëm vetëm për publikun dhe plotësues vetëm për privatin, ka dëmtuar edhe Fondin publik duke qenë se e ka privuar nga zhvillimi në këtë drejtim.
Duke drejtuar të gjithë qytetarët obligueshëm drejtë institucioneve shëndetësore publike dhe duke u lejuar që në institucione private të shkojnë vetëm për shërbime të cilat nuk i ofron publiku, Fondi ka shkel barazinë e sektoreve të garantuar me Ligj. Për më tepër duke i garantuar kontratë pa kusht sektorit publik ai i heq atij motivim për zhvillim. Institucionet shëndetësore publike me punë të garantuar jo vetëm që nuk do të investojnë në teknologji të reja, por nuk do ti mirëmbajnë as ekzistueset.
Duke qenë se me Ligj Fondi ka të drejtë të lidh kontratë vetëm me institucionet e licencuara (neni 31, alinea 1) dhe të akredituara (neni 31, alinea 2), ndërsa asnjë institucion publik në Kosovë nuk është i tillë, çfarëdo kontrate me këto institucione do të jetë e jashtligjshme. Ndërsa, nëse pret që këto institucione të licencohen, do të pres me muaj e ndoshta edheme shumë, duke qenë se bëhet fjalë për një proces kompleks me rezultat të paqartë. Ju përkujtojmë se licencimi është proces i vlerësim të institucioneve shëndetësore përballë kriteriumeve minimale për punë i cili nuk është bërë asnjëherë në Kosovë, kryesisht nga frika se institucionet publike nuk do të licencohen.
AAK ndanë shqetësimin e qytetarëve për dëmtimin që do ti bëjë mbledhja e premiumeve për sigurime shëndetësore, gjashtë muaj para fillimit të shfrytëzimit të tyre, kategorive me paga minimale dhe ekzistencë të rrezikuar. Në vend se ta bëjë këtë, Qeveria është dashtë “ta mbushë” Fondin me mjete nga buxheti ose një kredi “e butë: dhe të fillojë me sigurime, jo pas gjashtë muaj, por menjëherë.

Kur kësaj i shtojmë edhe faktin se me 3 ministra në Bord mbikqyrës Fondi do të jetë krejtësisht i politizuar dhe nuk do të dëgjojë as interesat e pacientëve dhe as të punëtorëve shëndetësor dhe i shtojmë përvojën tonë të keqe me menaxhimin e parasë publike, emërime politike në poste udhëheqëse në shëndetësi dhe dukuritë e tjera, dhe në veçanti fakti se Fondi nuk po niset si fond por si një agjension për financimin e shëndetësisë, pa kapacitete të nevojshme profesionale, ne kemi arsye të mjaftueshme të besojmë se ai nuk do të përmirësojë gjendjen në shëndetësi, por to të jetë dështim i radhës i qeverisë LDK-PDK.

 

(Kosova Sot)