Çfarë mbetet nga ëndrra për paqe e presidentit izraelit?

  • 28 September 2016 - 17:25
Çfarë mbetet nga ëndrra për paqe e presidentit izraelit?

Ne po lëmë pas epokën e luftës dhe po ecim së bashku drejt paqes, profetizonte Shimon Peres ndërsa merrte çmimin Nobel të Paqes. A mund të kishte imagjinuar ai se kjo rrugë do të ishte kaq e vështirë sa që ditën e vdekjes së tij, kjo shpresë është në një pikë të vdekur?

Që të tre, Yitzhak Rabin, Shimon Peres dhe Yasser Arafat, buzëqeshnin duke treguar medaljet e arta dhe diplomat e vlerësimit të përpjekjeve të tyre për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme, të materializuar nga një marrëveshje historike (Oslo 1) të firmosur në Uashington dhe duke sjellë premtimin e një zgjidhje të kofliktit.

Shpresa i ka lënë vendin një pesimizmi të thellë. “Kanë kaluar 23 vite nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë të Oslos mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës”, konstaton i mërzitur më 15 shtator sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

“Fatkeqësisht, ne jemi më largë se kurrë nga objektivat. Zgjidhja me dy shtete rrezikon të zëvendësohet nga një realitet me një shtet dhe një dhunë dhe pushtim i përhershëm”, vazhdoi ai.

Marrëveshja e vitit 1993 i dha fund Intifadës së parë. Që prej atëherë, ka pasur një të dytë. Mijëra burra, gra dhe fëmijë izraelitë dhe palestinezë kanë vdekur në një cikël atentatesh vetëvrasëse, fushatash ushtarake, goditjesh me predha, operacionesh ndëshkuese, vrasjesh të shënjestruara.

“Komedia e procesit të paqes”

“Rripi i Gazas është një bombë me sahat”, sipas Ban. Në vitin 2017 do të bëhen 50 vite që Cisjordania dhe Jerusalemi Lindor janë pushtuar nga ushtria izraelite.

Pavarësisht pranimit nga të dyja palët, pavarësisht miratimit nga komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen me dy shtete, pavarësisht aksesit të Palestinës drejt statusit të shtetit vëzhgues në OKB, pavarësisht njohjes nga më shumë se 130 kryeqytete, palestinezët vazhdojnë të presin shtetin e tyre të pavarur. Izraelitët vazhdojnë të aspirojnë për siguri.

“Dora jonë mbetet e shtrirë me vullnetin për të bërë paqe, por çështja që rikthehet pa pushim është nëse ka krerë në Izrael, fuqi pushtuese, që dëshiron vërtetë paqen dhe që të braktisë shpirtin hegjemonik, ekspansionist dhe kolonizues?”, deklaronte së fundmi presidenti palestinez, Mahmoud Abbas në OKB.

“60 vite më pas, palestinezët insistojnë në refuzimin e ekzistencës së një shteti hebre dhe kjo është zemra e vërtetë e konfliktit. Kur palestinezët të thonë në fund po ndaj një shteti hebre, ne do mund t’i japim fund këtij konflikti”, i përgjigjet Netanyahu.

Hendeku duket aq i madh që diplomatët alarmohen se një zgjidhje me dy shtete mund të shndërrohet vetëm në një mirazh, shkruan ATA.

Nga Oslo tek Camp David duke kaluar nga Taba, sipërmarrja diplomatike është bllokuar dhe rikthimi i një konflikti të ri duket shumë më real se paqja.

asser Arafat, Shimon Peres dhe Yitzhak Rabin duke marrë Nobelin pë Paqe

(Kosova Sot)