UNESCO, Shqipëria ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për kërkim dhe zhvillim

  • 28 September 2016 - 19:02
UNESCO, Shqipëria ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për kërkim dhe zhvillim

Shqipëria investon vetëm 0.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për kërkim dhe zhvillim. Është UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e cila ka realizuar së fundmi një studim me titull; “Sa investon vendi juaj në kërkim dhe zhvillim?”.

Në këtë studim tregohen se cilat janë shtetet që udhëheqin kërkimin dhe zhvillimin. Janë  vende që llogarisin rreth 80% të shpenzimeve në sektorin publik dhe privat për këtë zë. Ato shpenzojnë nga 2% deri në 5% të PBB-së për kërkim dhe zhvillim. Ndër shtetet më të orientuara ndaj këtyre sektorëve janë: Koreja e Jugit, Izraeli, Japonia, Finlanda, Suedia, Danimarka, Austria, Zvicra, Gjermania, SHBA-ja, Belgjika, Sllovenia, Franca, Austra e Singapori.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave pranë UNESCO-s, Shqipëria llogarit 0.2% ndaj PBB-së shpenzime për kërkime dhe zhvillim. Vendi ynë llogarit 157 kërkues për një milion banorë, ku rreth 56% e zënë meshkujt dhe 44% femrat.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve i takon buxhetit të shtetit me rreth 20.7 mln dollarë, ndërsa universitetet llogarisin gjithashtu një shifër të ngjashme në rreth 19 mln dollarë. Në total, Shqipëria llogarit shpenzime për kërkim dhe zhvillim në sektorin privat dhe publik në rreth 39.8 milionë dollarë mesatarisht në vit.

(Kosova Sot)