Milionat e tenderëve nuk e zgjojnë Prokurorinë

  • 28 September 2016 - 14:40
Milionat e tenderëve nuk e zgjojnë Prokurorinë

Korrupsioni me paranë publike, goditje e rëndë për ekonominë

Pushtetarët dyshohet se po pasurohen me fondet buxhetore

Deputetët dhe analistë vlerësojnë se për fat të keq dhënia e ryshfetit nga 10-20 për qind për ta marrë një tender për pushtetarët tanë, që nga paslufta e deri më sot, sikur është bërë një modë, se ndryshe edhe nuk mund të marrësh asnjë tender dhe me këtë dukuri negative të dhënies së ryshfetit në heshtje, sikur janë pajtuar edhe bizneset tona

Fusha e Prokurimit Publik që nga paslufta e deri më sot po vazhdon që të mbetet njëra nga pikat më të dobëta të funksionimit të shtetit të ri të Kosovës. Kështu thuhet në të gjitha raportet e organizatave vendore dhe ndërkombë- tarë të shoqërisë civile, por edhe institucioneve politike ndërkombëtare të BE-së dhe institucioneve të tjera financiare, si janë: BB-ja, FMNja, etj. Por, me gjithë këto vërejtje, që janë bërë e po bëhen në adresë të të gjitha Qeverive të pasluftës dhe Qeverisë aktuale të Isa Mustafës, pushtetarët e tashëm dhe organet e drejtësisë veç deklarimeve verbale, kanë bërë shumë pak në këtë drejtim, në mënyrë që të eliminohen apo që të paktën të zvogëlohen këto të meta të sistemit të prokurimit. Aq më tepër, kur dihet se vetëm gjatë një viti kalendarik, sipas njohësve të kësaj fushe, llogaritet se përmes tenderëve të Qeverisë në të dyja nivelet shpenzohen nga 700-800 milionë euro të buxhetit të vendit. Përkundër këtyre vërejtjeve, Prokuroria e Shtetit sipas analistëve po heton shumë pak raste të kontratave të dyshimta milionëshe që bëhen përmes tenderëve. Ndërkaq, si dihet nga tenderët milionësh, një sasi shumë e madhe e parave të buxhetit të vendit dyshohet se po përfundojnë me zhvatje nëpër xhepat e pushtetarëve tanë në të dyja nivelet, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Ryshfeti, modë qeveritare

Deputeti opozitar, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), tha se në asnjë mënyrë nuk duhet që të na befasojë heshtja e Prokurorisë së Shtetit që në shumicën e këtyre rasteve nuk po ndërmerr masa ndaj zhvatjeve, që bëhen në tenderët milionësh. "Kjo po ndodh, sepse sikurse e tërë gjyqësia, edhe Prokuroria si pjesë e saj është e kapur dhe e ndikuar nga politika ditore dhe të njëjtët dyshohet se u frikohen pasojave të hetimeve të rasteve të kësaj natyre ", theksoi ai. Sipas Hotit, edhe në ato raste kur Prokuroria e Shtetit e hap ndonjë hetim si ai në i ditëve të fundit që u bë ndaj ish-drejtuesve të Komunës së Gjilanit, ato më shumë po bëhen sa për sy e faqe dhe për reklama për t'u arsyetuar para ndërkombëtarëve se ja Prokuroria e Kosovës po punon. Ndërkohë, deputeti Hoti thotë se Prokuroria e Kosovës po i mbyllin sytë përballë rasteve dhe zhvatjeve milionëshe që po bëhen nga "bosat e krimit", nëpër këta tenderë. "Dhënia e ryshfetit nga 10-20 për qind për ta marrë një tender për pushtetarët tanë që nga paslufta e deri më sot sikur është bërë një modë se ndryshe edhe nuk të marrësh asnjë tender, dhe me këtë dukuri negative të dhënies së ryshfetit në heshtje, sikur janë pajtuar edhe bizneset tona", potencoi më tej deputeti Hoti.

Monopoli i homologimit, rast skandaloz

Eksperti i ekonomisë në fushën e integrimeve evropiane, Ardi Nokaj, tha për "Kosova Sot" se nuk duhet të habitemi se përse kemi aq pak intervenime të Prokurorisë së Shtetit në këto raste, sepse edhe fusha e drejtë- sisë dhe e Prokurorisë është e kapur nga politika sikurse, edhe fushat e tjera. Sipas analistit Nokaj, si pasojë e kësaj neglizhence të gjyqësisë dhe Prokurorisë, këto kontrata që po e ia pinë gjakun popullit, pasi që një pjesë e madhe e këtyre parave po përfundojnë në xhepat e pushtetarëve. "Bazuar në vlerësimet e disa ekspertëve të ekonomisë thuhet se së paku 150- 200 milionë euro para të thata janë zhvatje e pushtetarëve nëpër këta tenderë, ndërkohë që Prokuroria e Shtetit mrizojnë anash dhe heshtin në rastet e rënda se nuk kanë kurajë të hetojnë raste, dhe flitet se kjo bëhet nga ndërhyrja e politikës", ka theksuar ai. Si shembull të mosndërhyrjes dhe heshtjes së Prokurorisë, analisti Ardi Nokaj e mori rastin ku zyrtarët e Institutit "GAP" para dy tre muajve kanë dalë me të dhënat e tyre dhe më pas publikisht kanë kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që ta hetojnë kontratën e nënshkruar në mes të Ministrisë së Transportit dhe kompanisë "Eurolab", që është në pronësi të vëllezërve Devolli, për monopolin e homologimit të veturave. Nokaj tha se kanë qenë zyrtarët e Institutit "GAP" që i kanë sugjeruar Prokurorisë së Shtetit se ata duhet që ta hetojë kontratën e nënshkruar në vitin 2009, në mes të Ministrisë së Transportit dhe kompanisë "Eurolab", për monopolin e homologimit të veturave. Ai sqaroi se edhe pse sipas zyrtarëve të GAP-it konsiderohet se kjo kontratë është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, nuk ka pasur pasoja dhe Prokuroria ka heshtur edhe pse dihet botërisht se Kosova është vendi i vetëm në rajon, i cili ka vendosur monopol në homologimin e veturave, dhe se çmimi i homologimit në Kosovë prej 100 euro është dukshëm më i lartë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe madje është më i shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së. Nokaj thotë se deri më tash nuk ka pasur asnjë lajm se Prokuroria e Kosovës i ka nisur hetimet në ndriçimin e këtij rasti. "Heshtja e Prokurorisë po duket haptazi se ka ardhur si pasojë e interferencës apo ndërhyrjes së politikës", potencoi ai.

Tenderomania, dukuri e tranzicionit

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe juristi Blerim Burjani për "Kosova Sot" tha se tenderomania është një formë specifike e përfitimit të shteteve në tranzicion, veçmas në shtetet që e kanë pranuar ekonominë e tregut pas përmbysjes së diktaturave komuniste. Ai sqaron se kryesisht këtë formë të pasurimit e kanë bërë njerëzit e partive politike, duke bashkëpunuar me biznesin ose disa parti, përkatësisht njerëzit që janë shtyrë nga subjekti politik për të themeluar kompani të tilla me të vetmin qëllim për të ndarë përfitimet me bosat e partive. "Kjo është forma më e vrazhdë e pasurimit të pabazë dhe shkaktarit të pabarazisë në tregun e lirë, që vjen edhe si pasojë e indiferencës dhe mosndërhyrjes së Prokurorisë, por edhe si pasojë ku Ligji për konkurrencën dhe Agjencia që është dashur ta zbatojë ligjin me përpikëri nuk reagojnë, pasi ky autoritet për një kohë të gjatë ka qenë jofunksional", vijoi më tej ai. Veç saj, Burjani thotë se janë edhe mekanizmi i auditimit e deri te auditori gjeneral, që nuk dihet se si kontrollohet apo mbikëqyret e tërë procedura e këtyre tenderëve, prandaj ka ndodhur që shumë firma edhe pa mjete pune kanë fituar tenderët milionësh dhe për pasojë tonën gjendja duket të jetë kështu. Sipas Burjanit, kjo do të ndodhë në Kosovë dhe nuk do të mund të çrrënjoset deri në një shkallë të lartë të zhvillimit të sektorit privat, edhe pse kjo formë negative vazhdon pak a shumë të ndodhë edhe në disa shtete me traditë të vjetër demokratike, por këto gjëra janë minimale në shtetet e zhvilluara, ku ligjet e tregut janë primare dhe duhet të respektohen në mënyrë strikte. 

(Kosova Sot)