Vrasja e vëllait të ish-kryekomunarit, një person i tretë në pranga

  • 28 September 2016 - 21:56
Vrasja e vëllait të ish-kryekomunarit, një person i tretë në pranga

Një tjetër person i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit pak ditë më parë, është vënë në pranga nga Policia e Sarandës, duke e çuar në tre numrin e personave të vënë në pranga për ngjarjen.

I arrestuari është 38-vjeçari Eduard Gjonaj, ndërsa më herët janë ndaluar, Fernando Deda 29 vjeç dhe 15-vjeçari me inicialet Gj.A (dajë dhe nip). Dy të fundit akuzohen për “vrasje me dashje kryer në bashkëpunim” dhe armëmbajtje pa leje për 15-vjeçarin, në shtëpinë e të cilit u gjet dhe arma e krimit, një kallashnikov, që rezultoi të ishte pa lejen e autoriteteve. Deda dhe 15-vjeçari deri më tani i kanë mohuar akuzat e ngritura duke thënë se nuk kanë lidhje me ngjarjen.

47-vjeçari, vëllai i ish-kryekomunarit të Kaçinarit, Petrit Bardhi, u vra në fshatin Shëndelli të Sarandës ku familja ishte zhvendosur prej vitesh.

Sipas hetimeve të kryera deri më tani nga prokuroria, viktima, Aleksandër Bardhi 47 vjeç është qëlluar me armë në hyrje të fshatit. Autorët kanë menduar se ai ka gjetur vdekjen në vend, por sipas organit të akuzës, Bardhi ka mundur të shkojë në këmbë drejt banesës së tij për tu mjekuar. Por duke parë gjendjen e tij të vështirë, djali i xhaxhait e transportoi menjëherë në spitalin e Sarandës, por pa mundur të mbijetojë. Prokuroria beson se me përmirësimin e gjendjes psikologjike, dëshmia e bashkëshortes së Bardhit pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen. Ajo është personi me të cilin Bardhi ka pasur komunikimin e fundit pasi është qëlluar me kallashnikov nga autorët.

 

(Kosova Sot)