Raportet e ZAP-it përfundojnë në Prokurori

  • 28 September 2016 - 07:50
Raportet e ZAP-it përfundojnë në Prokurori

GJETJET E AUDITIMEVE, ME PLOT FAKTE PËR SHKELJE NË INSTITUCIONE

"ZAP-i i ka dërguar te ky prokuror disa informata për disa raste ku dyshohet se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të njëjtat i ka dërguar për veprime të mëtutjeshme në prokuroritë kompetente, ku tani janë duke u shqyrtuar nga prokurorët kompetentë", ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj

Kryeprokurori Lumezi ka caktuar një prokuror për analiza të raporteve

Që nga fillimi i funksionimit të ZAP-it, për auditimin e institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal, thuajse raportet e këtij institucioni asnjëherë nuk janë marrë parasysh dhe me seriozitet nga ana e organeve të drejtësisë, dhe shpeshherë ato raporte edhe janë injoruar nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjyqësori. Por, mbase tani e tutje nuk do të jetë kësisoj, ngase zyrtarët e Prokurorisë së Shtetit kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime konkrete duke caktuar edhe një prokuror, i cili enkas do të merret vetëm me hulumtimin dhe verifikimin e raporteve në fjalë. Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot", se Prokurori i Shtetit vepron dhe do të veprojë në të gjitha rastet ku ekziston dyshimi se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale, që është e inkriminuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, duke i trajtuar të gjitha ato raste në kuadër të kompetencave që ka, përfshirë, siç tha, edhe rastet e dala nga raportet e ZAP-it, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prokuroria inkurajon institucionet të bashkëpunojnë

"Lidhur me këtë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka caktuar një prokuror nga zyra e tij, person përgjegjës për t'i pranuar dhe për t'i analizuar të gjitha raportet nga ZAP-i, për të cilat ka dyshim se është kryer ndonjë vepër penale. ZAP-i i ka dërguar te ky prokuror disa informata për disa raste ku dyshohet se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të njëjtat i ka dërguar për veprime të mëtutjeshme në prokuroritë kompetente, ku tani janë duke u shqyrtuar nga prokurorët kompetentë", ka vijuar më tej ajo. Ndërkaq, sipas saj, për të biseduar lidhur me modalitetet e bashkëpunimit mes Prokurorit të Shtetit dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, më 4 korrik 2016 kishte pritur në takim auditorin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ku gjatë këtij takimi, siç tha, është biseduar për raportet e auditimit të pasqyrave financiare, të cilat kanë përfunduar dhe janë publikuar për të gjitha institucionet publike të Republikës së Kosovës. " Prokuroria i inkurajon të gjitha institucionet që kanë qenë subjekt i auditimit që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit, lidhur me rastet ku ka dyshime të arsyeshme se është kryer ndonjë vepër penale", ka potencuar zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë KozmaqiHajdaraj.

Raportet, të mjaftueshme për të nisur hetime

Analisti Florim Zeqa, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se edhe përkundër konstatimeve të shumta nga ana e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) për qindra shkelje të ligjit në institucionet e nivelit qendror dhe atij lokal, sipas tij, në këtë drejtim mungojnë hetimet dhe ngritja e aktakuzave kundër shkelësve të ligjit. Kjo ngase, Zeqa thotë se injorimi nga ana e drejtësisë, respektivisht nga Prokuroria e Gjyqësori i rasteve të verifikuara nga ana e ZAP-it, e shkelësve të ligjit, bëhet me direktivat e të fortëve të politikës dhe parapolitikës, derisa, sipas tij, ZAP-i, ashtu sikurse viteve paraprake, edhe këtë vit ka gjetur shkelje të shumta në punën e institucioneve të larta shtetërore, më saktësisht, siç tha, shkelje dhe mospasqyrim real të aspekteve financiare të administratës publike të nivelit qendror si dhe atij lokal. " Andaj, konsideroj se raportet e nxjerra nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm janë të mjaftueshme për fillimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, por njëkohësisht si të tilla edhe bazë e mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave për keqpërdorime financiare. "Përfundimisht, mund të themi se lirimi i sistemit të drejtësisë vendore nga politika është i mundur vetëm përmes një ndryshimi substancial në qeverisjen e vendit ose si zakonisht me ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare, në të kundërtën të kota do të jenë veprimet e ZAP-it, por edhe organizatave të tjera që merren me monitorimin e punës së institucioneve vendore, përfshirë edhe Agjencinë Antikorrupsion, TaskForcën e ish- presidentes Jahjaga, etj.", është shprehur Zeqa.

Mungojnë rastet e ndëshkimeve në gjykata

Avokati Skender Musa thotë se sa i përket auditimit që bëhen nëpër institucionet qeveritare, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror të institucioneve të Qeverisë, sipas tij, auditori çdo shkelje që i tejkalon përmasat e vërejtjeve qofshin ato disiplinore apo administrative dhe që bien në kuadër të veprave penale duhet që lëndën ta dorëzojë në Prokurorinë e Shtetit, dhe më pastaj kjo e fundit duhet t'i hetojë ato në pajtim me ligjin në mënyrë që të shikojë se a ka të bëjë me vepër penale apo jo. " Por, fatkeqësisht, deri në këtë kohë nuk kemi pasur raste në praktikën gjyqësore të Kosovës që me iniciativë të auditorit të përgjithshëm të shkojë ndonjë lëndë në Prokuroi dhe si rezultat i asaj të ngrihet edhe aktakuzë, të paktën po flas personalisht nuk kam hasur në ndonjë lëndë të tillë që është ndëshkuar në gjykatat e Kosovës", ka thënë ai. "Me qëllim që të luftohen dukuritë negative, qoftë tek punësimi kur kemi nepotizëm në punësim, pastaj marrje të njerëzve në punë para shpalljes së konkursit, tek çështja e tenderëve, ku një pjesë e firmave dhe kompanive ende pa dalë tenderi i dinë çmimet me të cilat kanë me konkurruar, po ashtu i dinë tarifat se sa duhet për të paguar, dhe të gjitha këto auditori i përgjithshëm duhet që në rrugë ligjore të ngritë kallëzim penal kur gjen shkelje dhe lëndët t'i procedojë në Prokurori, derisa edhe kjo e fundit kur merr informacione se ka shkelje të tilla mundet 'ex- officio' që të fillojë hetimet, por është më e vështirë që Prokuroria vetë të fillojë 'ex officio', pasi realisht nuk kanë informacione për atë se çka ndodh në institucionet qeveritare", theksoi Musa.  

(Kosova Sot)