Lekaj: Mos nënshkruani marrëveshje të dëmshme

  • 29 September 2016 - 13:44
Lekaj: Mos nënshkruani marrëveshje të dëmshme

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka pyetur kryeministrin Mustafa se pse në Bruksel po diskutohet për pasuritë e Kosovës. 

Ai ka akuzuar Qeverinë se i janë futur dialogut pa ndonjë platforme të mirëfillte politike. Sa i përket marrëveshjes për kodin telefonik, ai ka thënë se kjo marrëveshje është e dëmshme për vendin.

“Kur e dëgjoj kryeministrin e Kosovës, mendoj se me të vërtete ne kemi një shtet qe duhet të na ketë lakmi çdo qytetarë i Kosovës, por në praktike është e kundërta. Tashme jemi mësuar me refrenin se çdo marrëveshje është nënshkruar nga Editi Tahiri është në të mirën e Kosovës. Le t’i numëroj kryeministri një nga një se cilat janë ato marrëveshje të cilat shërbejnë për të mirën e Kosovës. Pse diskutohet në Bruksel për pasuritë e Kosovës.. Pse e bëni Serbinë pjesëmarrës në këtë marrëveshje”, ka thënë Lekaj në seancën e sotme plenare.

Ky është fjalimi i plotë i Lekajt:

Të nderuar kolegë deputetë, qytetarë të Kosovës e media

Marrëveshja për Telekomin e emëruar si Plan Aksional (Telecoms Action Plan), në mënyrë të qartë definon se rregullimi i Telekomunikacionit në Republikën e Kosovës sipas ligjeve të Kosovës kalon në rregullimin e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë. Kompetencat e rregullatorit të Kosovës i kalojnë grupeve të përbashkëta të rregullatorëve të Kosovës dhe Serbisë, të cilat me këtë plan aksional do të rregullojnë gjithë sektorin e telekomunikacionit duke përfshirë telefoninë fikse, mobile, spektrin frekuencor, transmetimin televiziv etj.

Marrëveshja në mënyrë të qartë definon krijimin e një kompanie të re NeëCosi kompani degë e Serbisë (“subsidiary of a Serbian company”) që do të regjistrohet në përputhje me kornizën rregullatore të Kosovës.  Marrëveshja parasheh që të gjitha asetet t’i transferohen kësaj kompanie e cila do të ketë të gjitha të drejtat e operimit.

Në këtë mënyrë, gjendja ekzistuese infrastrukturore në Veriun e Kosovës dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës kornizohet dhe legjitimohet si pjesë e Serbisë.

Marrëveshja për kodin nuk precizon se a është fjala për kod shtetëror apo territorial?  Per shkak te jotransparencës së palës kosovare, nuk është sqaruar kjo pikë derisa zyrtarët shtetëror të Serbisë kanë qartësuar se flitet për kod gjeografik që i jepet Kosovës nëpërmjet Serbisë.

Është e qartë se kjo marrëveshje e legalizon uzurpimin e infrastrukturës  telekomunikuese në veriun e Kosovës, dhe operimi i mëtutjeshëm  i lihet në duart e kompanive të Serbisë duke  e bërë pronare dhe duke i dhënë të drejtën legale të operimit.

(Kosova Sot)