Kurteshi: Ministrat e Mustafës morën pjesë në inaugurimin e 'Luginës së Diellit'

  • 29 September 2016 - 16:49
Kurteshi: Ministrat e Mustafës morën pjesë në inaugurimin e 'Luginës së Diellit'

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka sqaruar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përse ka ftuar në interpelancë kryeministrin Isa Mustafa për problemet në veri të vendit.

Kurteshi ka deklaruar se strukturat ilegale të Serbisë po veprojnë lirshëm dhe po e mbajnë të uzurpuar atë pjesë, duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Kurteshi ka akuzuar qeverinë e Kosovës për mos-administrim të urës së Ibrit në Mitrovicë. Ai ka përmendur edhe “Luginën e Diellit”, për të cilën thotë se Qeveria nuk ishte interesuar fare.

“Paralelisht me strategji të gabuar të Qeverisë së Kosovës, është paralajmëruar se në territor të Kosovës, serbët po tentojnë të ndërtojnë një lagje të ashtuquajtur ‘Lugina e Diellit’”, ka thënë Kurteshi.

“Së fundmi u bënë publike qëndrimet e kryeministrit që e quan të paligjshme atë lagje, por ministra nga qeveria e tij morën pjesë në inaugurim dhe përshëndetën atë”, ka deklaruar ai.

(Kosova Sot)