Mustafa: Gjendjen e vështirë në veri të vendit e kemi trashëguar nga UNMIK-u

  • 29 September 2016 - 17:00
Mustafa: Gjendjen e vështirë në veri të vendit e kemi trashëguar nga UNMIK-u

Kryeministri Isa Mustafa, duke folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar që Kosova ka arritur që të krijojë normalitet dhe të integrojë qytetarët e pjesës veriore.

Ai ka thënë se kjo është arritur falë bisedimeve në Bruksel me palën serbe.

Mustafa ka thënë se se gjendja e vështirë në veri të vendit është trashëguar nga UNMIK-u.

 “Gjendjen e vështirë në veri të vendit e kemi trashëguar nga UNMIK-u. Kemi vendosur sovranitetin në territorin e Kosovës. Kemi kufij me Serbinë, policinë e Kosovës e kemi atje dhe po punohet në rivitalizimin e urës së Ibrit që lidh dy pjesët e Mitrovicës. Edhe kompanitë në veri janë regjistruar dhe fiskalizuar. Gjendja e sigurisë atje është përmirësuar bindshëm. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat përkatëse. Kemi marrë masa edhe për zhvillimin ekonomik, duke themeluar një fond që të ndihmohet zhvillimi ekonomik i Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Zveçanit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se Qeveria e Kosovës ka vendosur si plan strategjik shtrimin e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe katër komunat veriore.

“Është arritë të vendosen doganierët në pikën e kalimit, policisë, rivitalizimi i urës, shkollimi, tatimi është duke u grumbulluar. Shteti ynë po forcon planin duke krijuar kushte ekonomike për mirëqenie”, tha Mustafa.

(Kosova Sot)