Topalli: Mafia po ruan me armë parcelat e drogës

  • 29 September 2016 - 17:12
Topalli: Mafia po ruan me armë parcelat e drogës

Duke folur në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar politikë.

Krahas kësaj, Topalli akuzoi Ramën edhe “për kanabisin që ka pushtuar vendin dhe për eksodin e shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian”.

“Gjatë këtyre viteve në opozitë unë kam ngulur këmbë për dy gjëra, duke akuzuar kryeministrin e vendit. I kam thënë vazhdimisht që nëse do të mbahesh mend për diçka dy janë gjërat: E para është periudha e qeverisjes sate gjatë të cilës shqiptarët kanë ikur sepse nuk patën më shpresë dhe e dyta gjatë periudhës sate ky vend është mbuluar nga hashashi. Ndoshta duhet ribërë një rivlerësim, gjëja më e rëndë që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe nga ky kryeministër është shkatërrimi i politikës”, tha deputetja e Partisë Demokratike, shkruan gazeta Shekulli.

Sipas saj, jetojmë në një sistem politik të thyer që nuk përfaqëson, nuk ka kauzë dhe në një periudhë dhe vend ku gënjeshtra është rregulli dhe e vërteta duket sëmundje.

“Kur kryeministrit hipokrizia i duket sinqeritet dhe krimi i duket i respektueshëm të vjen nganjëherë të mbyllësh gojën, të ikësh fare nga salla sepse fjala nuk ka peshë. Asgjë nuk ka kuptim sepse ka shkatërruar politikën. Unë e di që ka një ndjenjë neverie ndaj politikës, problemi është se politika është diçka shumë serioze. Shumë persona në këtë parlament të rankuar lart në top­politikën janë ngujuar në burgun e tyre”, shtoi Topalli. Ajo vijoi duke thënë se nëse kemi krim, bazën e ka te korrupsioni i politikës dhe vendimmarrjes. “Mafia po merr vendimet, mafia po ruan me armë në çdo cep të Shqipërisë parcelat e drogës. Çfarë duhet të ndodhë më shumë që të kuptojmë se të gjithë së bashku po rrëshqasim”, shtoi deputetja e opozitës.

Në fjalën e saj, Topalli një përgjigje i rezervoi Ramës edhe për investimet në qarkun e Shkodrës.

“Investimet në qarkun e Shkodrës në periudhën 2005­2013 kanë arritur në vlerën 670 milion dollarë, ky flet për 20 milion dollarë. Janë ndërtuar 930 km rrugë me vlerë 200 milion dollarë, nga të cilat 232 km rrugë kombëtare, 208 km rrugë rajonale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, 490 km rrugë lokale në komuna e bashki. Gjatë këtyre 3 viteve nuk di jo 3 km rrugë, zero, në çdo gjë zero. Sot mu në qendër të qytetit të Shkodrës do shihni dyqanet e mbyllura, jepet me qira. Nëse një qytet i është rënë në qafë historikisht ai e ka emrin Shkodër”, përfundoi Topalli.

(Kosova Sot)