Pensionistët prizrenas nuk kanë një vend për t'u takuar

  • 29 September 2016 - 18:20
Pensionistët prizrenas nuk kanë një vend për t'u takuar

KËRKOJNË QË TË MOS PRESIN NË RADHË NË BANKA

Shpesh u bie të fikët duke pritur në radhë

"Me ato pak para, sa i marrim ne, besoni se as për ilaçe shpesh nuk na dalin", ankohet pensionisti Rexhep Hoxha. Ata fajësojnë shoqërinë se nuk po kujdeset mjaftueshëm për ta
P ensionistët prizrenas ankohen se nuk po kanë një vendtakim ku do të kalonin ditët, derisa duan që pensionet e tyre të dalin përmes postës dhe jo nëpër banka ku po krijohen radhë të gjata. Ata thonë se në banka krijohen aq shumë pritje, saqë atyre shpesh u bie edhe të fikët. Përkrahje në kërkesat e tyre u ka dhënë edhe deputetja e Parlamentit të Kosovës, Emilia Rexhepi. "Unë mendoj se bota ka avancuar me teknikë, por pensionet duhet të vazhdojnë të shkojnë me postierë, sepse kjo është më e lehtë për të moshuarit", shprehet ajo. Haxhi Lubovci, pensionit, është shprehur për "Kosova Sot" se dërgimi i parave përmes postës do të ishte një lehtësi e madhe për ta. "Ne kërkojmë që pensionet të na vijnë si gjithmonë me postier. Bankat aq shumë na keqtrajtojnë, saqë ne detyrohemi të zgjohemi herët të zëmë rendin e të presim, ka raste deri në dy ditë", shprehet Lubovci, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pensionet e vogla për standardin e Kosovës

I këtij mendimi ishte dhe Rexhep Hoxha, pensionist, duke theksuar se gjatë marrjes së këtyre pensioneve po krijohen radhë të gjata dhe shpesh u bie edhe të fikët. Ata thonë se janë të lodhur nga maltretimi në banka, prandaj duan që pensioni t'u shkojë te dera përmes postës. "Ato janë pak para, por neve na mbajnë, kurse ne s'kemi të hyra të tjera", shprehet Lubovci, duke shtruar se është bërë e padurueshme pritja e gjatë para bankës. Pensionistët ankohen se pensionet janë të vogla për standardin jetësor në Kosovë. "Me ato pak para sa i marrim ne, besoni se as për ilaçe shpesh nuk na dalin", ankohet Hoxha. Pensionistët e këtij qyteti kanë ankesa se në Prizren nuk po kanë një vend si adresë për tubim të pensionistëve, ashtu siç ka në qytetet e tjera. "Ka disa parqe, por me këto mundësi të komunës, ata duhen të na ndihmojnë që edhe ne të kemi një strehë si pikë takimi", shprehet Hoxha. Posta e Kosovës dhe Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale kanë nënshkruar një marrëveshje, që pensionet të merren në zyrat postare. Ndërkaq, kjo marrëveshje deri më tash nuk është respektuar nga Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale. Kjo ministri po ashtu kishte diskriminuar postën, duke përjashtuar nga gara për tenderin për shpërndarjen e skemave sociale. Çështja e shpërndarjes së pensioneve përmes postës është ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës. Pensionistët e Prizrenit, ndërkaq, shpresojnë se kërkesa e pensionistëve do të shqyrtohet pozitivisht nga Qeveria. Pensionistët e Prizrenit, bashkë me përfaqësues të sindikatave të pensionistëve, presin ditë më të mira. Shumica e pensionistëve kishin edhe ankesa të shumta. "Ky pension nuk mund të quhet as pension", pohon Aziz Berisha, pensionist. "Ne që i kemi dhënë Kosovës mundin tonë 40- vjeçar, tani marrim ndihma sociale", shprehet Berisha. Ata fajësojnë shoqërinë se nuk po kujdeset mjaftueshëm për ta. Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, tha se është i vetëdijshëm, që pensionistët ende nuk po arrijnë të trajtohen sipas meritave. 

Image

Ndihma mjekësore falas

Kryetari i Organizatës së Pensionistëve prizrenas, Musa Jorganxhiu pohon se pensionistët prizrenas, si edhe ata të Kosovës, po kalojnë një fazë paksa më të mirë se viteve më parë. "Pensionistët ende nuk po arrijnë në realizimin e pensioneve të plota të tyre. Por, më duhet të falënderoj KFOR-in turk, të cilët padyshim se pensionistët i ndihmojmë me barna falas dhe me organizmin e vizitës që i bëjnë falas", ka thënë ai. Organizata e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në komunën e Prizrenit numëron 12.600 anëtarë. Kryetari Musa Jorganxhiu shprehet për sfidat me të cilat përballen. Ai ka potencuar se numri i madh i këtyre gjejnë mundësi të ndihmës mjekësore falas, sidomos nga KFOR-i turk që në këtë organizatë ka kryer 20 mijë vizita falas dhe njëherësh ka dhuruar edhe barna pa pagesë për këto raste. Ai me këtë rast ka potencuar se KFOR-i turk në nivel vendi ka kryer mbi 50 mijë vizita dhe në të gjitha këto vizita ka ofruar edhe barna falas. Por, pos KFOR-it turk ai falënderon dr. Jalldëze Goranin që përmes saj kanë arritur tani 17 vjet të organizohen nga QKMF-ja në Prizren që një ditë në javë të kenë falas mjekun për vizita si dhe të marrin barnat e listës esenciale për pensionistët. Të jetosh në Prizren dhe të zgjohesh herët do të shohësh se janë një numër jo i vogël i pensionistëve që kontrollojnë çdo mëngjes kontejnerët e mbeturinave. Janë emra të njohur ndoshta edhe të respektuar dikur në këtë qytet edhe që të kenë kontribuar derisa tani detyrohen të kërkojnë ndoshta edhe kafshatën e gojës nëpër kontejnerë . 

(Kosova Sot)