Vëllezërit luajnë brenda, kanë alergji ndaj rrezeve të diellit

  • 29 September 2016 - 20:31
Vëllezërit luajnë brenda, kanë alergji ndaj rrezeve të diellit

PËR SHKAK TË SËMUNDJES SË RRALLË

Familja vendos një pishinë në dhomën e ndejës,që djemtë të mendojnë së janë jashtë

"Nuk mund të shkojmë për shoping, nëse djemtë nuk janë të mbuluar kokë e këmbë, gjë që i bie se nuk mund ta shohin botën e jashtme", shprehet Lisa

Dy vëllezër të vegjël janë të detyruar të luajnë brenda shtëpisë gjatë gjithë ditës, për shkak se të dy janë alergjikë ndaj dritës së diellit. Kur Vincenti, njëvjeçar dhe Zakkery, 10 muajsh, u ekspozohen rrezeve të diellit, fytyrat e tyre ënjten dhe ata preken nga një alergji e dhimbshme. Djemtë ende nuk janë diagnostikuar, megjithatë doktorët dyshojnë që ata mund të jenë të prekur nga një sëmundje shumë e rrallë që quhet "Erythropoietic Protoporphyria", që bën që lëkura e tyre të jetë më e ndjeshme ndaj rrezeve ultravioletë. Prindërit e tyre, Lisa 32-vjeçare dhe Andrew Mason, 43-vjeçar, nga Barnsllej i Anglisë, nuk mund t'i lënë djemtë që të dalin nga shtëpia pa i mbështjellë me rroba që i mbrojnë nga rrezet e diellit, transmeton gazeta Kosova Sot.

"Jemi të lidhur për shtëpie"

Gjatë verës, familja vendos një pishinë në dhomën e ndejës për t'ua mundësuar djemve që të mendojnë që janë jashtë, përkundër faktit që në dritare vendosen perde të errëta, për t'i mbrojtur ata nga drita e diellit. Zonja Mason ka thënë: "Ata po vuajnë shumë. Jemi të lidhur për shtëpie. Jeta e tillë është e vështirë. Nëse ekspozohen ndaj rrezeve të diellit, fytyra e tyre ënjtet, sikurse edhe duart dhe lëkura e tyre mbulohet nga alergjia e tmerrshme. Kjo gjë u shkakton shumë dhimbje dhe ata bërtasin me të madhe. Kanë probleme me gjumin. Ky është një ankth i vërtetë për gjithë familjen, andaj ata nuk dalin jashtë gjatë ditës. Nuk mund të shkojmë për shoping nëse djemtë nuk janë të mbuluar kokë e këmbë, gjë që i bie se nuk mund ta shohin botën e jashtme". Edhe kur janë brenda shtëpisë, ata duhet të mbrohen nga çdo lloj drite dhe familja është detyruar t'i mbulojë dritaret me perde të errëta, në përpjekje për ta parandaluar ndonjë reaksion. Në shtëpi janë vendosur poqe speciale LED, pasi vetëm kjo lloj drite nuk e pengon Vincent-in dhe Zakkery-n. Kur Vincent-i ishte lindur në nëntor të vitit 2014 në fillim dukej si një djalë i shëndoshë. 

Skuqja e fytyrës

Pas disa ditësh ai kishte filluar të prekej nga një alergji dhe pa kaluar shumë kohë prindërit e kishin marrë vesh që ai ishte alergjik ndaj qumështit të lopës. Zonja Mason ia kishte dalë ta kontrollonte alergjinë nëpërmjet një diete speciale, mirëpo, kur i kishte mbushur gjashtë muaj, ai papritmas ishte mbuluar nga puçrrat teksa po luante në kopsht. "Menjëherë e pata dërguar brenda për të shikuar se çka kishte ndodhur dhe e pata vërejtur që alergjia e kishte kapur vetëm në fytyrë. Pasi djali im u pati qetësuar, e pata nxjerrë përsëri për të luajtur dhe menjëherë pati filluar skuqja e fytyrës. Nuk e dija se çka po ndodhte", ka thënë ajo. Kur Zakkery ishte lindur në dhjetor të vitit 2015 ai menjëherë e kishte zhvilluar alergjinë e njëjtë sikurse vëllai i tij dhe pa kaluar shumë kohë prindërit e kishin kuptuar që të dy ishin alergjikë ndaj rrezeve të diellit. 

(Ksoova Sot)