Investimet e huaja, drejt përgjysmimit

  • 30 September 2016 - 07:50
Investimet e huaja, drejt përgjysmimit

36 për qind më pak investime të huaja sivjet .

Të dhënat e BB-së kanë demantuar kryeministrin Mustafa, që mburret se politikat e Qeverisë po i ndihmojnë biznesit. Në fakt, eksporti ra dhe nuk pati kurrfarë ofertash për investitorët,raporton Gazeta Kosova Sot

Ditë më parë, zyrtarët e Bankës Botërore të Kosovës, duke shpalosur të arriturat ekonomike në vendet e rajonit të Evropës Juglindore, me theks të veçantë duke folur për rajonin e Ballkanit, kanë treguar qartë se vetëlavdërimet e Qeverisë së 'Isa Mustafës', që thonë se Kosova ka shënuar një rrije të investimeve të huaja, nuk qëndrojnë. BB-ja i ka demantuar të dhënat e fundit të Bankës Botërore, sipas të cilave, mësohet se Kosova ka shënuar një rënie drastike të investimeve të huaja direkte. Investimet e Huaja Direkte kanë rënë për 36 për qind në gjysmën e parë të vitit 2016. Që nga viti 2008, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet ndërkombëtare në Kosovë kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Derisa në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro. Në vitin 2014, bilanci i investimeve direkte në Kosovë ka qenë 46 për qind më i ulët se në vitin 2013. Rënia e investimeve të huaja në Kosovë ka ngritur shqetësime të mëdha tek ekspertët e çështjeve ekonomike. Ata thonë se investimet e huaja janë të domosdoshme për ringjalljen ekonomike të Kosovë. Analistët e kësaj fushe dhe opozita thonë se për tërheqjen e investimeve të jashtme, nga diaspora, por edhe trimërimi i investitorëve të brendshëm, kërkohet zbatimi i rendit dhe ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit ekonomik, siguria në paanshmëri në zbatimin e kontratave, eliminimin e monopoleve dhe klientelizmit, të cilat Qeveria 'Mustafa' nuk ka arritur të i sigurojë. 

Opozita akuzon kryeministrin ekonomist për dështim Deputeti Enver Hoti (Nisma për Kosovën) thotë se janë të sakta të dhënat e Bankës Botërore për rënie investimesh, sepse kemi një jostabiliteti ekonomik dhe politik, andaj edhe sipas njohësve të çështjeve ekonomike, ka bërë që investitorët ndërkombëtarë të mos e shohin Kosovën vend atraktiv për investime. Ai ka theksuar se autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë veprim për të eliminuar problemet që kanë shkaktuar mosardhjen e investitorëve në Kosovë. "Krimi i organizuar, ekonomia joformale dhe korrupsioni në Kosovë janë ato dukuri, të cilat kanë larguar investitorët potencialë nga vendi", tha ai. Sipas deputetit Hoti, e gjithë barra e fajësisë për mosardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë bie në institucionet shtetërore dhe politikat e tyre të gabuara ekonomike. Kurse deputeti tjetër i opozitës, Bali Muharremaj (AAK), tha se këtë javë Banka Botërore edhe një herë ka konstatuar se kemi pasur një rënie të theksuar të investimeve të huaja direkte. "Kemi një papunësi të madhe e sidomos në radhët e të rinjve dhe kemi një largim të fuqisë punëtore nga Kosova, kemi një rritje të importit dhe kemi një tkurrje të rritjes ekonomike", ka theksuar ai. Muharremaj thotë se të gjitha këto të dhëna të Bankës Botërore e kanë demantuar shumë keq kryeministrin Isa Mustafa, i cili si mburravec e pa asnjë fije turpi po e gënjen opinion dhe deklaron se kemi rritje investimesh në Kosovë.

Dy agregate kryesore kanë shënuar rënie Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ekonomisti Ismajl Kastrati, tha për "Kosova Sot" se vetëlavdërimin e Qeverisë dhe vetë kryeministrit Isa Mustafa, se në Kosovë vjet ka pasur një rritje të investimeve e kanë demantuar shumë keq edhe zyrtarët e Bankës Botërore. "Banka Botërore tregoi se dy nga agregatet zhvillimore të Kosovës kanë shënuar rënie. Sepse ka pasur një rënie në investimeve të jashtme direkte dhe në eksporte. Megjithatë, parashikohet rritje ekonomike prej 3.6 për qind. Pavarësisht nga të dhënat e BB-së, Isa Mustafa edhe më tutje vetëlavdërohet, duke deklaruar se do të kemi rritje ekonomike mbi 4 për qind, se Qeveria është e përkushtuar dhe fokusuar në zhvillimin ekonomik", tha ai. Sipas Kastratit, për tërheqjen e investimeve të jashtme nga diaspora, por edhe trimërimi i investitorëve të brendshëm, kërkohet zbatimi i rendit dhe ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit ekonomik, siguria në paanshmëri në zbatimin e kontratave, eliminimin e monopoleve dhe klientelizmit, të cilat Qeveria 'Mustafa' nuk ka arritur t'i bëjë, por në mungesë të rezultateve në rritjen ekonomike, është fokusuar në vetëlavdërim dhe fjalë të mëdha.

Mungoi oferta joshëse për investitorët Ndërsa drejtori i institutit "Strass", Ibrahim Rexhepi, tha se është e kuptueshme se në asnjë shtet të botës nuk vijnë investitorët e huaj për të bërë investimet në ato vende, kur ka jostabilitet politik dhe një pasiguri për kapitalin e tyre. Sipas analistit Rexhepi, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur ndonjë ofertë apo ndonjë projekt atraktiv për joshjen e investitorëve të huaj. Sipas Rexhepit, këtu në Kosovë ka pasur vetëm dështime të realizimit të projekteve, si kanë qenë dështimi i privatizimit të PTK-së, pastaj dështimi i privatizimit të kompleksit rekreativo-sportiv të 'Brezovicës', etj. Në anën tjetër, profesori universitar, Nazmi Mustafa, thekson se investimet kanë rënë edhe për shkak të imazhit të dëmtuar të Kosovës. Sipas tij, vendet e rajonit kanë avancuar më shumë në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, duke iu ofruar kushte shumë më të mira sesa Kosova. "Kemi një nivel të lartë të korrupsionit që për investitorët është një element kyç pse nuk investojnë në Kosovë, kemi një ekonomi me një pjesëmarrje të lartë të ekonomisë joformale, që krijon një konkurrencë joreale, e cila ka ndikim negativ për tërheqjen e investitorëve. Po ashtu, mungon një strategji atraktive promovuese", vlerëson Mustafa. Ai thotë se Kosova duhet të ketë një strategji për promovimin e investimeve të huaja, ku janë caktuar edhe sektorë, ku investitorët e huaj mund të investojnë, si: bujqësia, energjia, përpunimi i metaleve, riciklimi i mbeturinave, si dhe teknologjia informative.

Pa investime të huaja nuk ngjallet ekonomia Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e quan mjaft shqetësues faktin e rënies së investimeve të huaja, që e ka konfirmuar ditë më parë Banka Botërore. Ai shtoi se nga hulumtimet e shumta të bëra nga shoqatat ekonomike, është vlerësuar se barrierat në të bërit biznes, siç është niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, kanë ndikuar që shumë investitorë të mos shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë dhe vlera e këtyre investimeve të bjerë. "Investimet e huaja, pra tërheqja e kapitalit të jashtëm, është kusht i domosdoshëm për ringjallje të ekonomisë së Kosovës. Kjo tërheqje e kapitalit varet nga mënyra si e qeverisim ne vendin tonë. Nëse kemi qeverisje të mirë, sundim të ligjit, nuk ka korrupsion, krim të organizuar, ka siguri për investitorët e jashtëm, atëherë këto pasuri që i kemi janë interesante për investitorët potencialë", shton Shatri. Faji për të gjitha këto barriera në të bërit biznes, sipas Shatrit, bie mbi Qeverinë e Kosovës. "Në mënyrën si e kemi qeverisur vendin që nga vitit 2008 e këndej, jo që nuk i kemi tërhequr investitorët e jashtëm, por ne i kemi dekurajuar ata. Nuk kemi krijuar infrastrukturë ekonomike, nuk kemi furnizim stabil me energji elektrike, ka nivel të lartë të korrupsionit, dhe shumë dukuri të tjera negative si pasiguria e pronës dhe dukuritë e tjera negative", shton ai. 

(Kosova Sot)