Kuvendi e qet në harresë referendumin

  • 30 September 2016 - 07:42
Kuvendi e qet në harresë referendumin

Opozita shpenzon krejt energjitë me dy marrëveshje.

Politikës me gjasë nuk i intereson që qytetarët të shprehin qëndrimin e tyre për tema të rëndësishme, sepse do t'ua prishin pazaret e pista që i bëjnë,raporton Gazeta Kosova Sot

Fokusimi i opozitës parlamentare të Kosovës, me prioritet të vetëm në dy tema problemore për vendit, për më shumë se një vit, sikur janë Demarkacioni dhe Asociacioni, duke anashkaluar çështje të tjera me interes për fuqizimin e rolit vendimmarrës të qytetarit, siç është mundësia e ndryshimit të Kushtetutës dhe inicimi i propozimit për hartimin e ligjit për referendum, por edhe tema të tjera me peshë, për analistët politikë krijon përshtypjen se kemi një opozitë tepër inerte. Analistët politikë konsiderojnë se vetëm me ca deklarata të herëpashershme nuk arrihet kurrë qëllimi si opozitë. Analisti politik, Islam Krasniqi pohon se është e vërtetë që Demarkacioni dhe Asociacioni apo Zajednica, këto dy marrëveshje janë shumë të dëmshme, po nuk është dashur të harrohen edhe kërkesat e qytetarëve, të cilat i shërbejnë popullit për vetëqeverisje."Kjo opozitë është dashur që të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës për të bërë ligjin për referendumin, ku qytetarët të dalin dhe t'i zgjedhin çështjet madhore sa herë që u lypet nevoja, por fatkeqësisht kjo gjë është harruar pothuajse krejtësisht, ku nuk ka asnjë vendim konkret pos disa deklarata të herëpashershme e që nuk u realizuan kurrë", tha Krasniqi për "Kosova Sot".

Një shans i madh u lëshua Për njohësin e fushës së legjislacionit Blerim Burjanin, mosinteresimi i spektrit politik në pozitë dhe opozitë rreth ligjit të referendumit është një dobësi e madhe që i përcjell tash e sa vite, pa perspektivë të shpejtë të vetëdijesimit. "Asnjëherë deri më tash nuk ka pasur ndonjë interesim për të nxitur apo për të shtyrë përpara ligjin për referendumin si mjet demokratik që përdoret në të gjitha shtetet demokratike për të marrë verdiktin e popullit për ndonjë çështje kruciale për shtetin kur nuk ka konsensus mes forcave politike, por ka bllokim të proceseve. Pra, as pozita, e as opozita nuk ka pasur ndonjë interesim dhe seriozitet në këtë temë. Sido që të jetë, tema e referendumit është jetike për nivelin qendror të pushtetit dhe atë lokal", tha ai. Sipas Burjanit, dihet se për cilat tema nga plani i Ahtisarit nuk mund të ketë referendum apo nuk është e lejueshme, por për të gjitha temat e tjera që nuk janë përmendur në këtë plan është i domosdoshëm referendumi. "Gjithsesi që është lëshuar një shans i madh që e ka pasur dhe e ka opozita. Konsideroj se opozita së pari është dashur ta shtyjë procesin e referendumit pastaj është dashur të kërkojë edhe tema të tjera. Mirëpo, duke u bazuar me këtë lloj sjelljeje inerte mund të fitohet përshtypja se realisht dhe objektivisht Kosova s'ka opozitë për pushtetin dhe qytetarin, por ka opozitë për inate të pozitës", ka thënë Burjani

Disa tema po neglizhohen Edhe politologu Arsim Haziri thotë se ka shumë tema që opozita është duke i harruar apo duke i neglizhuar. "Gjithsesi pajtohem që përpos dy çështjeve me të cilat ajo në vazhdimësi është duke u marrë, me ndonjë tjetër aksion, nismë serioze ende nuk është duke u përfshirë si pjesë të agjendës politike që do të ishte edhe në interes të qytetarit. Mendoj që opozita po ngec shumë në përfitimin e më shumë poenëve duke vendnumëruar me trajtimin e vetëm këtyre dy temave, sado që nuk mund ta injorojmë peshën që kanë ato për interesin e shtetit, Megjithatë, konsideroj që peshë shumë me rëndësi do të kishte zgjerimi më i madh i temave që duhet ngritur nga opozita parlamentare, për ta sfiduar akoma më shumë koalicionin qeverisës, e ndër to janë një mal i dukurive negative, krimi i organizuar dhe korrupsioni, derisa edhe ideja për ndryshime kushtetuese dhe hartimin e ligjit për referendumin do të ishte një avancim serioz politik dhe afrim më i madh me qytetarin", u shpreh ai. "Kosova, përpos versionit të gabuat të demarkimit kufitar e Zajednicës, ka probleme madhore me të cilat opozita pa kompromis do të duhej të merrej,duke afirmuar me përkushtim edhe mendimin popullor, të drejtën e deklarimit në referendum", theksoi ai. Gazeta ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe te subjektet politike parlamentare në opozitë, por për çështjen e referendumit nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga ana e tyre, pse nuk është iniciuar deri më tash, pavarësisht se për kundërshtimin e Asociacionit dhe demarkacionit qe organizuar mbledhja e formave të qytetarëve në peticion, i cili për opozitën parlamentare kishte fuqinë e barasvlershme me atë të një referendumi popullor. Kritik ndaj kësaj qasjeje të izoluar të opozitës karshi problemeve të shumta që ka mundësi për t'i sensibilizuar, qoftë politike apo praktike, me të cilat ballafaqohet qytetari në jetën e përditshme është edhe analisti Ali Hertica. " Përfundimisht, me këtë sjellje del konstatimi i pakontestueshëm se kjo opozitë nuk ka kurrfarë koncepti se si duhet të reagojë për ta dënuar fuqishëm qeverisjen e tanishme", tha analisti Ali Hertica.

(Kosova Sot)