Gashi: Lumezi të tregojë a ka prokurorë të korruptuar në Kosovë

  • 30 September 2016 - 14:28
Gashi: Lumezi të tregojë a ka prokurorë të korruptuar në Kosovë

 Avokati Tomë Gashi thotë për gazetën “Kosova Sot” se personi i vetëm dhe kompetent është Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ai i cili duhet pyetur për atë se a ka prokurorë të cilët eventualisht janë të korruptuar dhe mund të marrin mitë për të kryer shërbime të caktuara.

Ai thotë se Lumezi, përveç punëve të tjera shtetërore që i ka si Kryeprokuror i Shtetit të Republikës së Kosovës, ai e ka edhe obligim që të përcjellë punën e vartësve të vet e që të gjithë janë prokurorë në Republikën e Kosovës.

Sipas avokatit Gashi, kushdo tjetër që mund të japë informata, mund të flasë ndryshe, atëherë ai duhet ta dokumentojë se prokurori me emër dhe mbiemër ka qenë i involvuar në afera korruptive.

 " Por, sido që të jetë ne nuk mund t'i përfshijmë të gjithë prokurorët apo shumicën e tyre nëse eventualisht diku ka raste individuale, prandaj sidoqoftë kësaj pyetje duhet prapë po them t'i përgjigjet vetëm Kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe askush tjetër, pasi është në specifikat e punës së prokurorisë, kështu që tjetërkush mundet të flasë vetëm me hamendje, derisa nëse dikush eventualisht ka prova për këtë dukuri kaq negative, atëherë duhet të njëjtat t'i raportojë në Prokurorinë e Shtetit".

Tutje, Gashi duke e përmendur rastin e prokurores të suspenduar dhe tashmë edhe të dënuar Badivuku, për të cilën, siç tha, është i vetmi rast që është publik dhe para këtij rasti, sipas tij, ne nuk kemi pasur raste të hapura penale kundër prokurorëve, por Gashi mendon se një rast nuk do të thotë se edhe prokurorët e tjerë janë të involvuar në afera korruptive.

" Por, në këtë drejtim më tepër mendoj se një pjesë e prokurorëve kanë mungesë të njohurive profesionale sesa që ata janë të involvuar në afera korruptive. Ndërkaq, kësaj dukurie të mitëmarrjes nuk mundet t'i shpëtojë askush në këto faza, pasi besoj se shtetet që dalin prej një sistemi krejtësisht tjetër dhe kalojmë në sistem demokratik, ngase ne më herët kemi qenë shtet socialist derisa kemi qenë pjesë e ish- Jugosllavisë dhe Serbisë, ndërsa që nga 12 qershori i vitit 1999 ne jemi pjesë e shteteve kapitaliste", tha ai.

(Kosova Sot)