Shkollat hapin dyert për fëmijët me aftësi të kufizuara

  • 30 September 2016 - 16:57
 Shkollat hapin dyert për fëmijët me aftësi të kufizuara

Reportazh nga Prizreni

OJQ"Handikosi", në partneritet me organizatën "Save The Children”, realizojnë projektin

"Asgjë më të lumtur në botë nuk më bën se kur vajza ime shkon në klasë të parë në Piranë në shkollë fillore dhe shoqërohet me shokë e shoqe. Jemi nëna dhe zemra jonë bëhet mal, kur ajo bëhet e barabartë me fëmijët e tjerë", thotë nëna Qamile Elshani

OJQ"Handikosi", në partneritet me organizatën "Save The Children", është duke e implementuar projektin ,,Edukimi cilësor gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara në edukimin parafillor dhe fillor, pa diskriminim". Projekti është trevjeçar tregon Ardita Sylbije- Gota. Ajo thotë se objektivat kryesore të projektit janë që deri në vitin 2018, së paku 45 deri në 50 fëmijë me aftësi të kufizuara të përfitojnë mundësi të përmirësuara  për arsimin gjithëpërfshirës, të sigurt dhe me cilësi të mirë, si në edukimin parafillor, ashtu edhe në atë fillor, si dhe që këta fëmije me aftësi të kufizuara deri në vitin 2018 të regjistrohen dhe të përfitojnë nga cilësia e arsimit parafillor dhe fillor. “Sa i përket arritshmërisë, me plot guxim mund të them se me ndihmën e pakursyer të zyrtarëve të Drejtorisë së Arsimit dhe mirëkuptimin e drejtorëve të shkollave, këtë vit në shkolla të rregullta janë përfshirë 16 fëmijë me aftësi të kufizuara. Kjo domosdo se na bënë krenarë që këta fëmijë të jenë të barabartë”, ka thënë ajo, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

 

Kushtet e dobëta në shkolla

"Handikosi" tani me këto aktivitete bën promovimin e angazhimit në praktikë. “Ne jemi bashkë me fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët prej shtatorit janë ulur për herë të parë në bankat shkollore. Kemi bërë edhe një vizitë në Drejtorinë e Arsimit, ku jemi takuar me drejtorin e Arsimit Zijadin Shemsedini, ku nga afër edhe kemi mësuar shumë gjëra sa i përket kësaj kategorie të këtyre nxënësve. Ne kërkojmë angazhimin e të gjithëve në rritjen e numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin parafillor dhe atë fillor, sepse ky numër ende është i vogël në krahasim me numrin e fëmijëve që janë jashtë bankave shkollore”, ka thënë më tutje Gota. “Për fat të keq, ka edhe shumë sfida që e përcjellin gjithëpërfshirjen,  siç janë: mungesa e transportit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla të rregullta, mungesa e mësuesve mbështetës, numri i madh i nxënësve në klasa, mungesa e asistentëve personalë, si dhe mungesa e statistikave të sakta se sa fëmijë në komunën e Prizrenit janë jashtë bankave shkollore etj.”, është shprehur ajo.

Image

 

Përvojat e jashtëzakonshme të nënës dhe mësueses

Qamile Elshani është nënë e një fëmijë më aftësi të kufizuar dhe  për "Kosova Sot" tregon përvojën e saj ."Asgjë më të lumtur në botë nuk më bën se kur vajza ime shkon në klasë të parë në Piranë në shkollë fillore dhe me shokë e shoqe shoqërohet. Jemi nëna dhe zemra jonë bëhet mal, kur ajo bëhet e barabartë me fëmijët e tjerë", theksoi ajo. Kurse, këso kërkesa kanë edhe vetë fëmijët e të gjitha ato nëna që kanë fëmijët e këtillë. Mësuesja Selamie Thaçi, nga shkolla "Ardhmëria", tregon se për pesë vjet ka pasur një nxënëse të kësaj kategorie dhe për "Kosova Sot" thotë se si ishte kjo eksperiencë. "Më besoni se kam pasur përkushtim të madh ndaj asaj nxënëse, Diana Gashi. Ajo e meriton jo vetëm përkushtimin, por meriton shumë, ngase këta fëmijë dinë të duan, të respektojnë. Ajo tash lexon, shkruan dhe është e barabartë me fëmijët dhe shoqet e shokët e klasës. Ajo që më bën krenare është fakti se këtë dashuri ajo e ka kuptuar dhe ajo tani më konsideron si një nënë të dytë të saj, kurse prindërit e saj ishin tërësisht të përkushtuar ndaj saj dhe asaj asgjë në këtë botë nuk i ka munguar nga fëmijët e tjerë. Ajo është dhe do të mbetet dashuria ime më madhe në këto 21 vjet punë në arsim. Fëmijët e këtillë kanë aq shumë dashuri e respekt, saqë vetëm njeriu që punon me këta fëmijë e kupton pastërtinë shpirtërore të këtyre fëmijëve”, ka theksuar ajo për “Kosova Sot”. 

(Kosova Sot)