Komuna e Skenderajt kërkon të bëhet presion për lirimin e Thaqit

  • 30 September 2016 - 18:03
Komuna e Skenderajt kërkon të bëhet presion për lirimin e Thaqit

Me një komunikatë dërguar mediave, Komuna e Skenderajt e ka dënuar ashpër arrestimin e nënkolonelit Nehat Thaçi nga Serbia.

"Komuna e Skenderaj dënon ashpër arrestimin nga policia e Serbisë të nënkolonel Nehat Thaçi me akuzën për terrorizëm gjatë kohës së luftës në Kosovë. Arrestimi i tij është veprim i papranueshëm dhe e konsiderojmë si sulm ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, që po bënë Serbia në vazhdimësi, duke shkelur marrëveshjet e arritura në mes të dy shteteve.

Arrestimi i një zyrtari të lartë të Republikës së Kosovës nga policia e Serbisë me akuza për terrorizëm të nxjerrë nga kryekrimineli Millosheviq gjatë periudhës së luftës, është veprim absurd i llojit të vet, pasi gjatë kësaj periudhe për Serbinë i gjithë populli shqiptar i Kosovës ka qenë terrorist.

Jemi të shqetësuar se me gjithë kohën e kaluar që nga lufta dhe me gjithë dialogun e zhvilluar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përndiqen si qytetarë dhe si zyrtarë shtetëror, për periudhën e luftës sonë çlirimtare.

Rasti i arrestimit të z. Nehat Thaçi, nuk është i pari dhe i vetmi kur zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës keqtrajtohen nga Serbia me qëllim të diskredidimit të autoritetit të tyre për periudhën e luftës çlirimtare dhe atë të pas luftës si zyrtarë të lartë të Kosovës.

Kërkojmë nga autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian në Kosovë, që të marrin masa të në drejtim të lirimit sa më të shpejtë të z. Nehat Thaçi, duke u dhënë fund një here e përgjithmonë arrestimeve të përseritura të këtij lloji."

(Kosova Sot)