Sllapuzhani i Suharekës bëhet me shkollë të re

  • 30 September 2016 - 18:06
Sllapuzhani i Suharekës bëhet me shkollë të re

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka përuruar sot objektin e ri të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Tivarit”, në fshatin Sllapuzhan të Suharekës.

Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe përfaqësues të qeverisë lokale.

Ministri Bajrami, pasi uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për ndërtimin e shkollës së re, theksoi se, investimi në përmirësimin e infrastrukturës shkollore i kontribuon mësimdhënies së avancuar dhe edukimit të gjeneratave të reja, të përgatitura për zhvillimin e vendit.

Ministri Bajrami tha se, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit, është e përkushtuar që të sigurojë objekte moderne për nxënësit tanë, në mënyrë që atyre tu ofrohet arsim bashkëkohorë.

“Ndërtimi i infrastrukturës shkollore është kusht i domsodoshëm që ne të ndërtojmë një edukim pozitiv dhe cilësorë. Por, kjo është vetëm gjysma e punës, gjysmën tjetër të punës duhet ta bëjmë ne mësimdhënësit duke iu qasur nxënësve me shumë dashuri, duke iu ofruar arsim dhe edukim cilësorë, për të krijuar gjenerata të reja, të cilat nesër do të kontribuojnë në përparimin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj”, ka theksuar ministri Bajrami.

Ndërsa, ministri Hoxhaj tha se, procesi i integrimeve evropiane, mbi të gjitha varet nga sistemi i edukimit të cilin ne e ndërtojmë, ndërkaq falënderoi Qeverinë qendrore dhe lokale, për investimin që po bëjnë në përmirësimin e kushteve për mësimdhënie dhe mësimnxënie në Komunën e Suharekës.

Ndryshe, objekti shkollor ka sipërfaqe bruto 2100 m², duke përfshirë pjesën gjelbëruese dhe terrenin sportiv. Kostoja e ndërtimit të objektit është mbi 500 mijë euro, ndërsa inventarizimi 28 mijë euro.

Objekti përmban këto hapësira: 9 dhoma mësimi për nxënësit fillor, 1 dhomë mësimi për nxënësit para fillor, Bibliotekë, 2 Kabinete te Arsimtarëve, Salla e Arsimtarëve, Drejtoria e arsimit fillor, Drejtoria e arsimit te mesëm te ulet, Sekretaria, Arkivi dhe depo.

(Kosova Sot)