Tahiri shpjegon përse nuk u arrit marrëveshja për kodin telefonik

  • 30 September 2016 - 18:22
Tahiri shpjegon përse nuk u arrit marrëveshja për kodin telefonik

Edhe pas pesë ditësh të takimeve intensive në Bruksel për çështjet e kodit telefonik të Kosovës, nuk është arritur marrëveshja për implementim. Arsye për mosmarrëveshje, sipas Ministres për Dialogë, Edita Tahiri, është se pala serbe ka dalë jashtë kornizave të rëna dakord më herët.

Tahiri ka thënë se serbët shkelën ato që kishin rënë në ujdi më herët me marrëveshjen për telekomin.

“Pala serbe duke e shkelur marrëveshjen ka kërkuar shtrirje të antenave të telekomit në të gjithë Kosovën. Serbia doli jashtë asaj që kemi rënë dakord në marrëveshjen për dialogun. Ata kanë shkelur marrëveshjen, duke kërkuar gjëra që shkojnë jashtë marrëveshjes”, tha ajo.

Sipas Tahirit, delegacioni kosovar në Bruksel tërë kohën ka mbrojtur interesat e shtetit.

“Ne as që kemi lëshuar pe dhe as që do të lëshojmë në të ardhmen”, pohoi për klank Tahiri.

Ajo ka treguar se zyrtarët e Bashkimit Europian kanë kërkuar që të vazhdohet me dialog përkundër mospajtimeve momentale.

(Kosova Sot)