Donatorët e bëjnë me shtëpi familjen Nuredini

  • 30 September 2016 - 18:37
Donatorët e bëjnë me shtëpi familjen Nuredini

Të gjithë ata që kontribuuan në çfarëdo mënyre që ne të bëhemi me shtëpi nuk do të harrohen kurrë nga familja ime”, thotë Nuredini,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Falë Ardian Foniqit, zyrtar komunal në Gjilan, si dhe Afrim Sylejmanit, mërgimtar në Gjermani, familja Nuredini, e cila jetonte në kushte të vështira, ka arritur ta rinovojë shtëpinë. Duke e parë gjendjen e vështirë socio–ekonomike të kësaj familje, ata kanë organizuar një aksion për grumbullimin e ndihmave. Sylejmani e ka bërë këtë në Gjermani, kurse Foniqi përmes donatorëve në Gjilan. Ata kanë ftuar bamirësit në diasporë dhe në Gjilan që të ndihmojnë familjen Nurerdini të aftësojë shtëpinë e tij për banim. Shtëpia ku jetonte kjo familje ishte shkatërruar aq shumë nga brenda dhe nga jashtë, shkaku i vjetërsisë dhe materialit të dobët që kishte, sa që rrezikonte të shembej një ditë mbi kokat e fëmijëve. Familja Nuredini falënderon njerëzit e vullnetit të mirë, që u bashkuan në këtë aksion humanitar dhe e shpëtuan nga ky rrezik. “Fatmirësisht, populli ynë, si në diasporë, ashtu edhe në Kosovë, po vazhdon t`i ndihmojë qytetarët, të cilët jetojnë në varfëri të skajshme. Të gjithë ata që kontribuuan në çfarëdo mënyrë që ne të bëhemi me shtëpi, sidomos Ardian Foniqi e Afrim Sylejmani, nuk do të harrohen kurrë nga familja ime”, thotë Nuredini.

(Kosova Sot)