Opozita dështoi të vërë në pah të metat e Muhaxherit

  • 30 September 2016 - 20:08
Opozita dështoi të vërë në pah të metat e Muhaxherit

 “Opozita pejane ka çka të flasë edhe për vonesat e tenderëve dhe anulimin e tyre, për ujin e pijes etj.”, ka thënë Hydaverdi Saphija,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Komuna e Pejës kohët e fundit po angazhohet që përmes takimeve më qytetarë, debateve në bashkësi territoriale për buxhetin dhe projektet kapitale, përmes formave të tjera komunikuese, të hapet ndaj qytetarëve. Por, njohësit e rrethanave politike në qytetin e Pejës kanë vërejtje për punën e qeverisë lokale, derisa thonë se edhe opozita nuk po e bën më të mirën e duhur.

Naim Sahiti, kryetar i degës së AAK-së në Pejë, thotë se AAK-ja si parti institucionaliste gjithmonë ka qenë opozitë konstruktive.“Ne edhe gjatë këtij mandati, si partia kryesore opozitare, kemi qenë konstruktivë; kemi përkrahur vendimet pozitive që kanë qenë në dobi të qytetarëve, si p.sh projekti “Borea“, si dhe shumë propozime dhe projekte të tjera. Në anën tjetër është detyrë jona që si opozitë të bëjmë publike apo të kritikojmë dhe të reagojmë kur ka keqpërdorime, dështime, papërgjegjësi dhe paaftësi”, ka thënë Sahiti, duke shtuar se si opozitë po monitorojnë punën e qeverisë lokale.“Veçanërisht na duhet ta ballafaqojmë këta pushtetarë me premtimet që i kanë dhënë dhe me mospërmbushjen e tyre. Kjo qeverisje fatkeqësisht ka 90% kësi lloj veprimeve negative, andaj dhe ne si AAK në kuvend debatojmë pothuajse 70% të kohës sa debatohet në kuvend. Ne vërtet me sinqeritet e themi që do të dëshironim të debatojmë për suksese, ngase mossukseset nuk na gëzojnë, por nga puna e kësaj qeverisje të paaftë ka tepër pak suksese e shumë e shumë dështime dhe mosmbajtje premtimesh”, ka thënë Sahiti.

Koalicioni i gjerë, opozitë inferiore

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, thotë se e mirëpresin opozitarizmin në Asamblenë Komunale, por jo kritikat paushall . “Ne do të dëshironim që opozita çdo kritikë që e bën ta argumentojë, të ofrojë alternativa për një qeverisje më të mirë, të luftojë për interesa të qytetarëve e jo për interesa partiake. Debatet e opozitës nuk duhet të marrin ngjyrime fushatash politike dhe një opozitë e fortë. Nuk them se pushteti gjithmonë e ka drejtë, por atëherë kur gabon të nxirren fakte dhe argumente për gabimet e jo të mohohet çdo gjë që vjen nga pozita”, thotë Zefaj.

Ndërsa analisti Reshat Nurboja, doktorant në shkencat politike, thotë se në Pejë opozitë më shumë partiake sesa politike janë vetëm AAK-ja dhe VV-ja, meqenëse të gjitha subjektet e tjera fituese në zgjedhjet e vitit 2013:janë pjesë e një koalicioni të pushtetit komunal.

Nurboja veçon se në relacione të këtilla, të fuqisë numerike, mund të thuhet se opozita në Pejë ka qenë inerte, pa përmbajtje dhe jo në nivel të detyrës së saj primare si parti opozitare. “Fillimisht kemi mosinformimin adekuat e të qëndrueshëm të shoqërisë gjegjësisht elektoratit me mospërmbushjen e premtimeve nga kryetari i komunës dhe partive në pushtet dhënë elektoratit të gjithmbarshëm të Komunës së Pejës”, ka thënë Nurboja, duke shtuar se opozita ka dështuar në kundërshtimin e politikave qeverisëse që ë mbajnë peng zhvillimin e qytetit.

 Të rinjtë duan të ikin nga Peja

Sipas tij, në veçanti qasja e këtij pushteti ndaj çështjes së demarkacionit dëshmon se Peja asnjëherë në historinë e saj më të re nuk ka pasur pushtet e opozitë më të lodhur. “Pejës gjatë këtij mandati nuk ia lënë asnjë projekt kapital e përmbajtjesor, me të cilin do të identifikohet pushteti apo opozitarizmi i tyre, e nga ana tjetër gjendjen edhe ashtu të keqe të trashëguar jo vetëm që nuk e kanë zbutur apo përmirësuar, por përkundrazi e kanë thelluar aq shumë sa që kanë arritur që të gjitha mendimet e gjeneratave të reja të jenë preokupimi i vetëm se si dhe sa më shpejt të ikin nga Peja nga ky vend ku ata nuk e shohin perspektivën dhe të ardhmen e tyre për një jetë më të mirë… Kjo është e arritura kryesore e këtij pushteti e kësaj opozite dhe të mbarë shoqërisë sonë në misionin e tyre politik, njerëzor e kombëtar”, vlerëson Reshat Nurboja.

Edhe Hydaverdi Spahija, politolog nga Peja, thotë se roli i opozitës në shoqëritë demokratike është që të kontrollojë pushtetin dhe të ketë edhe një rol këshillues dhe të një katalizatori në përmbushjen e objektivave të premtuara nga pozita me interes për qytetarët. “Roli i opozitës nuk është të fusë grindje dhe kacafytje, por të jetë bindëse dhe me fakte dhe argumente të dëshmojë për lëshimet që mund t’i bëjë pushteti. Ka shumëçka të debatohet dhe të kërkohen përmirësime, qoftë në projektet e infrastrukturës, ambientit, pastërtisë se qytetit, furnizimit më ujë të pijshëm, ndriçimit të rrugëve të qytetit, rrezikun nga qentë endacakë e shumëçka tjetër që është më interes të veçantë për qytetarin. Opozita pejane ka çka të flasë edhe për vonesat e tenderëve dhe anulimin e tyre, për ujin e pijes etj. Më ketë ajo do të nxiste pushtetin lokal që të përmirësohet gjithherë e më shumë, të mos përsërisë gabimet, por të gjitha këto duke shkuar në interes të qytetarit”, thotë politologu Hydaverdi Spahija.

(Kosova Sot)